Psikofakt

February 6, 2019 | 14:20

Nga Aurela Agalliu: Mentaliteti paragjykues dhe mbyllja e prindërve, shkaku i traumave seksuale te fëmijët

Abuzimet seksuale tek të miturit janë tregues i problemeve të thella të një shoqërie, e cila evidenton një nivel të ulët emancipimi social, psikologjik dhe kulturor. Një shoqërie që thërret për nevoja emergjente të trajtimit psikologjik, me individë me subjekt problematik të hershëm, ku duhet hulumtuar për një abuzim të mëparshëm ose të ekspozuar ndaj fenomenit familjar apo social.

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Rasti i të miturës në qytetin e Kavajës është një dëshmi e frikshme, lidhur me eksperiencat e para seksuale, të cilat përcaktojnë shëndetin e kësaj marrëdhënieje në të ardhmen e individit dhe cilësinë e raporteve intime ose jo. Prindërit shqiptarë, të mbyllur në mendësi dhe të ndikuar nga tabutë në lidhje me seksin, krijojnë komunikime të mbyllura dhe paragjykuese me fëmijët e tyre, duke mos krijuar hapësira komunikimi dhe edukimi në këtë fushë. Raste të përsëritura, trauma që lënë gjurmë në jetën dhe ndërgjegjen e të riut. Modele të deformuara të një prindërimi jo të suksesshëm, të një sistemi arsimor problematik, të një shteti aspak funksional, krijojnë hapësira për ekspozimin ndaj fenomenit të abuzimit seksual.

kavajaNëse do të kthehemi në një analizë të ngjarjes konkrete, do të kuptoni se vajza ka vepruar ndaj shantazhit në prani të frikës se mos rasti i saj do të bëhej publik ose do të merrej vesh nga prindërit. Për t’u maskuar para opinionit që me të drejtë, pasi paragjykimet janë tejet të rënda në këtë kontekst dhe etiketues, çoi në një ngjarje të rëndë ku nuk abuzohej vetëm nga një individ, por nga disa. Nëse prindërit do të kishin një komunikim të vazhdueshëm me vajzën, të lirë dhe jo gjykues, ju siguroj se një ngjarje e tillë, abuzues-viktimë nuk do të kishte ndodhur kurrsesi.

Në kulturën shqiptare, vazhdon të mbetet tabu edukata seksuale. Sa prej prindërve zhvillojnë komunikim të vazhdueshëm me fëmijët mbi zhvillimin e tyre seksual? Sa prej tyre kanë guximin të futen në lëkurën e fëmijëve të tyre dhe t’i orientojnë ata drejt njohjes së dëshirave dhe emocioneve të tyre?

Nëse doni përgjigje, ju siguroj se numri i tyre është fare i vogël sa mund të konsiderohet i papërfillshëm. Nuk kam  qëllim gjykimin ndaj prindërve, por reflektimin mbi rolin e tyre në edukimin gjithëpërfshirës mbi fëmijën. Puna e tyre përcakton suksesin ose jo të marrëdhënieve midis prindërve dhe fëmijëve, gjithashtu inicion baza të forta të shëndetit mendor, dhe parandalimin e fenomeneve të tilla traumatike.

Më vjen keq të them se, mungesa e vëmendjes ndaj sjelljeve të fëmijës pengon parandalimin e abuzimit. Një fëmijë i abuzuar, shfaq sjellje të cilat janë të dukshme, pasi janë ekstremisht të ndryshme nga ato që prindërit shohin përditë tek fëmija i tyre. Abuzimi seksual shfaq pasoja serioze, sjellje keqadaptuese dhe vështirësitë fizike/psikologjike të tilla si: vetëbesimi i varfër, depresion, ankth, zemërim, armiqësi, agresion, çrregullim të stresit post-traumatik, dhimbje koke, pagjumësi, obezitet, lodhje kronike, sjellje destruktive, abuzime me alkool/substancë/tentativa suicidale, etj. Prandaj tregoni kujdes dhe lexoni çdo sjellje të fëmijës tuaj pasi ju çojnë gjithmonë drejt problemit të cilin mund ta fsheh për disa kohë ndaj jush.

policia_e_kavajes_46428

Gjithashtu, zbehja e rolit të psikologut dhe mungesa e përfshirjes së tij në struktura të rëndësishme të institucioneve arsimore dhe më gjerë, është faktor i rëndësishëm tregues i rasteve të larta të abuzimeve seksuale. Figura e psikologut po trajtohet si nevojë aparente, duke mos u marrë si domosdoshmëri.

Së fundi, duhet kthyer vëmendja nga abuzuesit, autorë të veprës penale, për të cilët nuk vlen vetëm masa rehabilituese nëpërmjet dënimit, por e nevojshme gjithashtu është edhe trajtimi afatgjatë nëpërmjet një programi psikorehabilitues, në mënyrë që autori të mos jetë përsëritës i veprës penale.

PS: Prindër, jini të vëmendshëm dhe kushtojini më shumë kohë fëmijëve tuaj. Zhvishuni nga komplekset tuaja dhe ecni zbathur në rrugën emocionale, sociale, kulturore dhe psikologjike të tyre. Teksa shpenzoni pafundësisht lekë për t’u blerë atyre telefonin apo ipadin më të mirë, blijini atyre më shumë libra dhe shpenzoni më tepër lekë për t’i trajtuar për nevojat që kanë në mënyrë që të mos rrisni mostra, por individë dinjitozë dhe kontribuues në jetën e tyre dhe të tjerëve që kanë pranë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top