Në fokus

May 9, 2019 | 8:17

Nga Aurela AGALLIU / Tabela e nderit, ndikimi në ndrydhjen emocionale të nxënësve

Tashmë jemi mësuar të shohim nëpër klasa dhe ambientet e shkollës, tabelën e nderit, me fëmijë të zgjedhur si të dalluar ndër të tjerëve. Ndonëse një rutinë e trashëguar nga e kaluara, duket sikur dallimi i fëmijëve nxit sjellje model tek fëmijët e tjerë në klasë apo në shkollë. Por ky është thjesht dhe vetëm ndikimi i parë, jo fort i arsyetuar. Ku e bazoj këtë?

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Fëmijët janë të ndryshëm dhe dallohen nga prirjet që ata kanë në fusha të ndryshme. Ne kurrë nuk kemi parë një klasë e cila të ketë pasur 100% nxënës ekselentë, apo një klasë e cila të këtë prodhuar vetëm matematicienë. Fëmijët nuk kanë të njëjtin koeficient inteligjence, nivel zhvillimi, aftësi përqendrimi apo mësimore. Klasat kanë diversitet dhe në syrin e një mësuesi çdo fëmijë është i veçantë, i aftë dhe i zhvilluar. Niveli i këtyre faktorëve nuk varet nga niveli i nxënësit më të mirë, por nga metodika mësimore dhe prirja specifike e fëmijëve. Bazuar në këtë arsyetim, tabela e nderit, krijon ndrydhje emocionale si pasojë e diferencimit dhe përzgjedhjes në nivel krahasimor nxënësish. Në këtë mënyrë ne zhvillojmë te fëmijët humbjen e besimit dhe mungesën e vlerësimit.

Por a mund të pohojmë ne se fëmijët e përzg jedhur për tabelën e nderit janë realisht më të mirët? Kurrsesi jo! Në sytë e mi, duket si një nocion komunist, i cili i vë të gjithë në garë për të “klonuar” më të mirin. Dhe më i miri mund të jetë një nxënës i mirë, por mund të këtë tipare negative të karakterit dhe sjelljes. Në shembull ilustrues ju sjell figurën e Hitlerit, i cili ishte një gjeni në fushën e tij, por që aftësitë i përdori për arsye negative. Sipas logjikës së tabelës së nderit, Hitleri dhe Mandela duhet të qëndrojnë në një tabelë. Ekselenca nuk mund të qëndrojë vetëm në rezultatet mësimore, por në një konglomerat aftësish. Një nxënës mund të jetë shumë i mirë në matematikë, por nuk është social. Një nxënës tjetër mund të mos shkëlqejë në fizik, por ka aftësi të mira organizuese dhe bashkëvepruese në temat sociale.

Shkolla është në thelb një rrugë e gjatë drejt zbulimit dhe eksplorimit të dëshirave apo prirjeve në të ardhmen. Prandaj është e rëndësishme të punohet në mënyrë të barabartë më te gjithë fëmijët dhe t’i njohim atyre dëshirat, mundësitë dhe lëndët ku spikasin. Fëmijët kanë nevojë të orientohen atje ku demonstrojnë më shumë rezultat dhe arritje.

Mësues, jini krijues në punën tuaj duke përzgjedhur metodat e duhura, të cilat nxisin dëshirë dhe besim te nxënësit. Tregohuni të duruar dhe të vëmendshëm me ta, për t’i krijuar hapësirat e duhura të shprehjes dhe demonstrimit. Zgjidhni metoda të ndryshme shpërblimi për përforcimin e sjelljes së mirë dhe mësimit, tabela e nderit nuk është forma më e mirë e përzgjedhjes, stimulimit apo motivimit të tyre.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top