Në fokus

January 20, 2020 | 11:51

Nga Aurela Agalliu: Të bërtasim fuqishëm në këtë shoqëri maskiliste

 

E duam shumë familjen, dhe në emër apo nder të saj, zotohemi të respektojmë bashkëshortin dhe t’i shërbejmë deri në vdekje. Po a premtohet dhe mbahet zotimi i tyre për ne?

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departmenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Aurela Agalliu, psikologe, lektore Departamenti i Psikologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT

Dua të qëndroj në retorikë, por historitë e vazhdueshme me kontekst dhunën në familje me devijojnë nga idealja.

Realitet therës, me fund tragjik për dy gratë e vrara në javën e dytë të muajit janar. Betimi në dashuri dhe zotimi për respekt reciprok në familjet shqiptare është vetëm një fasadë e hidhur. E them këtë sepse fundja, mungesa e bashkëshorteve i ktheu këto gra në viktima të agresorëve. Nëse sakrifica është pjesë e martesës, le të ndahet mes të dyve në një çati jo larg saj.

Krimet ndaj femrës nuk janë rastësore, e për më tepër kur flasim për vrasje të paramenduara. Pse e shenjuar një femër?

Sepse femra është figura më e nënshtruar e shoqërisë tonë. E keni vënë re? Kur bëhet një denoncim për dhunë në familje, dëgjon t’i thotë oficeri i policisë bashkëshortit dhunues: – “E do gruaja një shpullë”.

Çfarë bëhet me burrat që vrasin gratë?

Qëndrojnë pak vite në burg e më pas dalin me probleme psikologjike, i ke jashtë hekurave, të lirë dhe të lumtur. Po me gratë që vrasin për vetëmbrojtje burrat dhunues? Të gjitha brenda duke vuajtur dënimin pa rrethana lehtësuese kanë lënë fëmijët jashtë. Nuk kam dëgjuar për ndonjë femër që ka vrarë burrin të dalë me probleme psikologjike.

Sistem diskriminues! Edhe pse propagandojmë për nivel socio-ekonomik të femrave, duket se edhe kjo nuk ka qenë një arsye për të mbajtur larg duart e meshkujve të dhunshëm.

Krim për moral. Të më falni, por çfarë është e moralshme për njkë burrë që vret? Për një burrë që tregohet aq i vogël sa të vrasë një femër? Duke qenë se në kulturën shqiptare, morali dhe nderi janë vlerësuar mbi gjithçka, atëherë në emër të saj lehtësisht janë kryer shumë krime, ndonëse nuk ka qenë ky shkaku. Etiketimi mbi femër shqiptare është njolla më e keqe e vendosur mbi të. Kjo shoqëri që është më maskiliste se kurrë, ka nevojë të reagojë fort. Një reagim i fuqishëm publik do të sjellë ndryshime padyshim.

Krimet ndodhin në të gjithë botën. E vërteta është se edhe në botë femrat dhunohen, por format e dhunës në kontekstin tonë dallojnë dhe lëndojnë aq shumë, sa çdo grua do ndihej e vrarë. Familjet shqiptare kanë nevojë t’i kthejnë sytë nga femrat. T’i mbështesin ato, t’i japin të drejtën e fjalës, t’i forcojnë nivelin ekonomik dhe arsimor. Nëse mbështetja do të fillojë në familje ju siguroj se do të kemi më shumë gra të forta. Ka një tjetër paradoks brenda familjes shqiptare. Përpiqemi të bëjmë jetë individuale, por në sjellje jemi kolektivistë. Përfshihemi në familjet e të afërmve. Kërkojmë të marrim pjesë në vendimet e tyre. Kërkojmë të kontrollojmë gratë e vëllezërve apo të kushërinjve, duke i përndjekur si kunati paranojak i të ndjerës Enkeleda. Më keq akoma, do të thoja se për “nder” të familjes, këto do të donin t’i kishin ato, gratë e tyre.

A do të flisnim në këtë rast për familje shqiptare? Dyshoj se jo. Ne shqiptarët kemi pasur themele të forta të familjes. Kur ishim shoqëri kolektive e jetonin disa kurora në një shtëpi, familjet kanë qenë më të lumtura, sepse kishte më shumë dashuri dhe respekt. Vëllai ishte kujdestar i familjes dhe zëvendësonte babain. Por kjo në kohët moderne jo vetëm që nuk ekziston, madje vëllai mund t’i marrë gruan vëllait. 

Në këtë vend ke frikë të jetosh!

Në këtë vend mund të jesh një ditë një Fildez, mund të jesh Eva, mund të jesh Enkeleda, mund të jesh edhe Drita.

Ky është realiteti i hidhur i modernizmit shqiptar. Të guxosh të përdhunosh nusen e xhaxhait, të guxosh dhe të vrasësh gruan e vëllait. Të guxosh dhe të vrasësh të dashurën, të guxosh e të vrasësh komshien. Të guxosh e të vrasësh një femër, ndonëse ajo të ka falur botën ndër të tjerash!

Ju lutem mos flisni për nderin. Ju vetëm nder nuk keni!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top