Të krahasosh fëmijërinë e gjeneratave më parë me periudhën e hershme të fëmijërisë së brezave të tanishëm, diferencat janë të dukshme, kjo sa i përket faktit të ekspozimit ndaj dijes dhe informacionit. Oportunitetet për të qenë afër dijes, nuk mund të themi kanë qenë të pakta në krahasim me sot, por mund të shprehemi, më të kufizuara.
Sot fëmijët nuk thithin dije vetëm nga shkolla, por dhe jashtë saj. Ata ekspozohen për të zgjedhur ç’është më e mirë për ta, nëpërmjet mjedisit ku jetojnë, shkallës së njohurive të prindërve, mundësive që kanë prindërit për të tejçuar dije tek fëmijët e tyre dhe teknologjia. Sidomos kjo e fundit, në ditët e sotme luan një rol shumë të madh.
Megjithatë, sot është shqetësimi i ditës se si mund “të mbjellim” një lloj dëshire tek fëmijët tanë, për të përthithur sa më shumë njohuri dhe të jetë të ndërgjegjshëm që shkolla dhe pajisja me dituri në përgjithësi, nuk është “angari” por një mjet që duhet për të qenë një person i suksesshëm në të ardhmen. Çdo prind ka metodat e veta për “ta thithur” fëmijën që të ketë dëshirë për të mësuar dhe të krijojë një lidhje të kënaqshme me shkollën.
Ja disa sugjerime të bazuara në observime dhe biseda që janë bërë me prindër:
Le të mos hiqemi si edukatorë të pakorrigjueshëm. Fëmijët në raste të veçanta, jo t’i kthejmë në metoda pune, por duhet t’i nxisim nëpërmjet “shpërblimit” kundrejt çdo realizimi qëllimi akademik. Nëse fëmija ka punuar sistematikisht për të dalë mirë në një test, atëherë le t’i plotësojmë dëshirën për diçka të akordueshme, që ka kohë që e kërkon. Tek fëmijët e vegjël, edhe dhënia e një akulloreje do ishte një lloj çmimi për mësimin e një germe më shumë. Kuptohet, në moshat më të rritura, “çmimet” arrijnë deri edhe në celularë apo kompjuter. Por është diçka që nëse e shtyn fëmijën përpara, duhet bërë.
Të krijosh një mjedis për fëmijën që të ketë kënaqësi të ulet dhe të lexojë e studiojë. Për vajzat, ndofta ngjyrat dhe lulet do ishin ftuese për të qëndruar në dhomë, e lexuar pak më shumë. Për djemtë, ndofta një tavolinë kompjuteri me ngjyra dhe forma tërheqëse, mund të jetë ftesë për të shtypur një faqe më shumë në kompjuter.
Të limitizosh kohën me teknologji është një tjetër problem që hasin të gjithë prindërit në ditët e sotme. Teknologjia sot është “dinake” sepse nuk afron veç njohuri, por koha që merr nëpërmjet lojërave marramendëse, është shqetësuese si sasi. Mbase duke bërë pakt me fëmijët, do të arrijmë në një marrëveshje që kundrejt mbarimit të detyrave dhe leximit ekstra, ata mund të përdorin teknologjinë. Pavarësisht nga mosha, qoftë dhe me një parashkollor, duhet gjetur mënyra për të folur për përfitimet që ka shkollimi dhe thithja e njohurive që na rrethojnë.
Përse do na duhen këto njohuri në jetë; ku do doje t’i përdorje; ose pyetja legjendare, çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Duke bërë këto biseda, edhe në mënyrë spontane qofshin, i japin fëmijës një lloj ideje që çfarë ai apo ajo po bën. Kjo është shumë e rëndësishme për të nesërmen.
Dhe e fundit, është komplimentimi i fëmijëve. Edhe kur fëmija vizaton njeriun në Fazën e Patates (bazuar tek zhvillimi psikologjik i fëmijës), pa trup, por veç kokë dhe këmbë të gjata, duhet lavdëruar. Fëmija aty ka ka vënë imagjinatën e vet. Edhe kur fëmija vjen me një germë më shumë të mësuar, por të shkruar pak shtrembër, duhet komplimentuar.
Një adoleshent, do t’i forcoheshe vetëbesimi kur prindërit i thonë: Kam besim tek ti, do t’ia dalësh. Duke vlerësuar çdo arritje të vogël të fëmijëve të çdo moshe, ata do jenë të përgatitur gjithmonë e më shumë për çdo vit akademik pasardhës, do kenë më shumë vetëbesim, sepse shohin që prindërit dhe shkolla krijojnë një atmosferë të ngrohtë, ku ëndrrat dhe dëshirat nuk mbeten thjesht nëpër banga.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.