Do doja të theksoja që në fillim: Diskriminojnë ata individë të shoqërisë që nuk janë mjaftueshëm të ndjeshëm kundrejt personit apo fëmijëve në rastin që po analizojmë.
Jo çdokush ka njohuri për sa i përket shkaqeve të mospasjes aftësi si individët e tjerë normalë për të funksionuar në jetën e përditshme. Te fëmijët me aftësi ndryshe nga fëmijët normalë, diskriminimi vret më shumë, thjesht për faktorin moshë. Mosha është e karakterizuar nga detaje të shumta, si: pranimi në shoqëri. Fëmijët vërtetë janë naivë dhe të çiltër në të menduar, nuk kanë “doreza”, por në të njëjtën kohë, ata diskriminojnë moshatarët e tyre me mungesë aftësish, shpeshherë dhe pa qëllim ose pa kuptuar. Duke mos qenë të aftë të marrin pjesë totalisht në rrethin shoqëror, fëmijët me aftësi ndryshe ndihen të veçuar dhe të vetmuar.
Ashtu siç diskutohet përditë dhe është e ditur tashmë, shkolla dhe familja janë dy mbështetësit kryesorë të fëmijëve me aftësi ndryshe. Përveç programit të përshtatur për këta fëmijë, si për shembull: matematikë dhe lëndë të tjera, shkolla duhet të punojë shumë më shumë me vetëbesimin që këta fëmijë duhet të kenë për të përballuar momentin që jetojnë dhe të ardhmen në një shoqëri të evoluar si e sotmja. Nëpërmjet lojës apo leksionit të drejtpërdrejtë, këta fëmijë duhet të praktikojnë si të përdorin ato veti që kanë. Nëse këto veti do vihen në dukje në nivelin që duhet, edhe njerëzit rrotull këtyre fëmijëve, edhe shokët e tyre moshatarë, nuk do shikojnë defektet, por cilësitë dhe virtytet e këtyre fëmijëve.
Në praktikën time të përditshme, shikoj se si mësues të mrekullueshëm nxjerrin në pah aftësitë e nxënësve që mbase kanë aftësi ndryshe, por vizatojnë aq bukur, dinë të “luajnë” me ushtrimet matematikore ose kur luajnë një instrument. Këtu duket aftësia e edukatorit të pajisur me pedagogjinë e duhur dhe ndjenjën humane për të ndihmuar këta fëmijë. Familja gjithmonë është mbështetësja tjetër, dhe mendoj që çdo prind që i duhet të përballet me fëmijët me aftësi ndryshe, duhet të zgjerojë këndvështrimin jo për t’u “qarë” për fatin, por për të vlerësuar çfarë fëmija është në gjendje të bëjë. Gjithsesi, bazuar në statistika, deri diku njerëzit tashmë janë të pajisur me njohuri ndaj individëve me aftësi ndryshe, e sidomos kundrejt fëmijëve. Institucionet dhe shkollat përpiqen që këta fëmijë të jenë të përfshirë në shumicën e aktiviteteve.
Materialet tashmë janë të shumëllojshme për të hulumtuar botën e këtyre fëmijëve, sepse duke njohur më shumë ata, do jemi më të aftë t’i ndihmojmë. Të hysh në botën e fëmijëve me aftësi ndryshe si autizmi, probleme në sjellje dhe humor, sindroma të tipeve të ndryshme, është si të hapësh një dritare dhe të shikosh diçka që kurrë s’e ke pritur. Aty do shohësh të bukurën dhe të vështirën, lotin dhe buzëqeshjen e shumë fëmijëve që edhe pse kanë aftësi të pamjaftueshme për të funksionuar në jetën e përditshme, dinë të qajnë dhe të qeshin si gjithë të tjerët.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 130
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.