A ka recetë lumturia? A mund të jemi të lumtur sa hap e mbyll sytë, duke hedhur çdo gjë mbrapa? Apo të shpresojmë të jemi të lumtur duke menduar që ky është fati ose jo.
Është një thënie e vjetër, “Lumturia është si flutura, sa më shumë ta ndjekësh, aq më shumë largohet, por kur ti lodhesh, vjen e të ulet në sup”. (Henry David Thoreau, natyralist, poet dhe filozof amerikan).
Por kohët kanë ndryshuar dhe njeriu mund të kërkojë e të gjejë mënyra se si mund të jetë i lumtur. Është në natyrën njerëzore që kurrë mos të jetë i kënaqur, pasi jeta të përball me shumë vështirësi, por bazuar në studimet në fushën e psikologjisë, çdokush nga ne lind me “një pikë” fillestare të lumturisë.
Jeta me vështirësitë e saj, pastaj, na afron ose na largon nga kjo pikë. Psikologët konkludojnë se lumturia varet nga mënyra se si njerëzit menaxhojnë emocionet dhe relatat me njerëzit. Duhet të mbajmë gjithmonë në mendje vlerësimin e gjërave të bukura dhe pozitive që na rrethojnë. Të mundohemi të harrojmë negativitetin e disa njerëzve apo evenimenteve që kanë lënë impakt negativ në jetën tonë. Pavarësisht se është e vështirë, duhet të lëmë mënjanë të menduarit negativisht ose në mënyrë pesimiste. Teknika të ndryshme si meditimi, metoda relaksimi si joga, ecje në natyrë, ndihmojnë që të reflektohet dhe shikohen fenomenet me sy.
Tjetër qoftë dhe në mënyrë të përkohshme. Një nga ilaçet që lufton mos të qenit të lumtur është shoqëria. Dihet që në momente dëshpërimi, një bisedë me një shok a një shoqe “shëron plagë”. Nga një studim në Australi, është konkluduar që njerëzit që kanë lidhje të forta shoqërore, jetojnë më shumë. Por fatkeqësisht, njerëzit sot po varfërohen në drejtim të krijimit të lidhjeve të forta shoqërore, dhe kjo po krijon një epidemi të re depresioni. Aktivitet që na japin kënaqësi, janë gjithashtu një mënyrë tjetër për të qenë të lumtur.
Kur mendja angazhohet me aktivitete që japin kënaqësi si sporte të ndryshme, shkuarja me pushime që të largojnë sadopak nga rutina, atëherë tërë qenia jonë përjeton disa nivele të caktuara lumturie. Siç e shikojmë nga jeta e përditshme apo dhe studimet, lumturia nuk është vetëm çështje fati. Atë ndoshta dhe mund t’ia krijojmë vetvetes me njerëzit dhe çka na rrethon. Kultivohet? Mbase jo…
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.