Mirëqenie

November 4, 2019 | 8:11

Nga Aurora Minga: Të shohësh jetën pozitivisht

aurora celikuShumë njerëz “presin” të ndihen të lumtur në jetë. Shumë prej tyre mendojnë se nuk kanë fat, ndërkohë që disa të tjerë mendojnë se “kanë lindur me këmishë”. Në realitet, nuk është e lehtë të ndjehesh i kënaqur ose të mendosh pozitivisht, ndërkohë që të rrethojnë shumë probleme me pak probabilitet për t’u zgjidhur.

Në shoqërinë e sotme problemet sjellin sasi të konsiderueshme stresi në motorin psikologjik të çdo anëtari të shoqërisë, por duhet të jetë zgjidhja e çdonjërit nga ne që të kënaqemi dhe të përpiqemi të jemi të lumtur me aq sa na afron jeta. Vetë jeta e ka vërtetuar se njerëzit nuk kanë qenë të lumtur, edhe pse kanë pasur, edhe pse kanë qenë të bukur; përfundimi është që të qenit i lumtur buron nga vetvetja.

1Ne duhet të flasim me Veten më parë: “A jam i lumtur? Ç’duhet të bëj? Sa duhet të kërkoj? A mundem për më shumë?”.

E para gjë që duhet të bëjmë është t’i mendojmë problemet tona si prova, të cilat na i vë përpara jeta, për të treguar se sa të aftë jemi të përballojmë momentet e vështira.

Duhet të mësojmë të jemi të kënaqur me çka kemi, jo në kuptimin që të dorëzohemi e t’i themi vetes se kaq mundemi. Bëhet fjalë për të vlerësuar atë çfarë kemi.

Duhet të “harrojmë” të kaluarën që mund të na vrasë ose që mban peng emocionet tona. Duhet të mos mendojmë për hakmarrjet apo për njerëzit që kanë shkaktuar “plagë” në anën tonë shpirtërore.

Duhet t’i trajtojmë njerëzit, në mos me dashuri, të paktën me respekt. Duke dhënë energji pozitive te njerëzit, do të marrim gjithashtu të njëjtin pozitivitet edhe nga ata.

Njerëzit që japin e marrin në shoqëri, janë gjithmonë më të lumtur se ata që u pëlqen vetmia, në njëfarë mënyre, ose që kanë probleme në marrëdhëniet shoqërore.

Flisni mirë për njerëzit. Gjithashtu, ky zakon do të thotë pozitivitet, i cili ndikon në shëndetin tonë psikologjik. Nuk duhet të shqetësohemi për gjëra të vogla. Kur flasim për probleme të vogla,e kemi fjalën për probleme për të cilat përqindja e mundësisë për t’u zgjidhur është shumë më e madhe se një problem shumë i rëndësishëm jetik. Për shembull, mbarëvajtja e fëmijëve në shkollë ka shumë rëndësi, por është një problem që mund ta kesh shumë më shumë në mbikëqyrje se sa problemi i gjetjes së një pune për të mbajtur e përballuar familjen.

Kështu që, le të mos e japim maksimalen e shqetësimit tonë në probleme që mund t’i zgjidhim me pak punë këmbëngulëse. Që të jemi të qetë, nuk duhet të krahasojmë veten me të tjerët. Sa e realizueshme është? Nuk e dimë, sepse ka shumë njerëz që ecin në jetë duke u nisur nga krahasimet me të tjerët. Ndonjëherë ka efekt pozitiv, por në të shumtën e rasteve shkakton xhelozi e zili për çka ndoshta s’mund ta kemi apo s’mund të jemi.

Përfundimisht, mund të themi që duhet të mësohemi në jetë e të pranojnë çfarë nuk mund të ndryshojmë dot dhe kjo është normale. Njerëzit e lumtur bëjnë një hap prapa dhe llogjikojnë se nëse nuk arrijnë dot të ndryshojnë diçka, atëherë bëjnë paqe. Nga ana tjetër, energjinë e tyre mund ta hedhin atje ku mund të ndryshojnë aspekte të jetës së tyre.

Të qenit të lumtur, do ta gjejmë vetëm te vetja dhe tek askush tjetër. Lumturia nuk implementohet; ajo është brenda nesh. Siç thamë në fillim, njerëzit kanë qenë të pasur, por jo të lumtur, të bukur, por jo të lumtur. Të lumtur janë ata që kanë shpirtin e atillë dhe jetojnë jetën me çka u ofron ajo.

Revista Psikologjia viti 2016

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top