Ekziston një lidhje e ngushtë mes sociologjisë dhe psikologjisë. Të dyja këto shkenca shoqërore ushtrojnë detyrshmëri,të dyja e kontrollojnë dhe e orientojnë sjelljen e individit. Dallimi mes tyre qëndron se faktet sociologjike janë jashtë individit, përtej ekzistencës së tij, dhe e detyrojnë njeriun të sillet në një mënyrë të caktuar. Fakti psikologjik është brenda individit dhe jeton sa jeton individi.
Njeriu është një kafshë sociale. Ai ka një shtytje të natyrshme për të jetuar një jetë të lidhur me të tjerët. Duke jetuar me të tjerët ai gëzon frytet e përbashkëta të jetës. Njeriu ka nevojë për shoqërinë,për ekzistencën e tij. Fëmija varet nga prindërit e tij, kapacitetet e ndryshme të fëmijës mund të zhvillohen vetëm në shoqëri. Në përgjithësi ne jemi qenie sociale, takohemi pothuajse çdo ditë me miq,kolegë apo te afërm dhe ndërveprojmë me njeri-tjetrin. Ne të gjithë kemi momentet tona delikate në jetë, e sidomos në kushtet në të cilat jetojmë, në realitetin e zymtë me të cilin përballemi çdo ditë, me papunësinë, varfërinë, ndotjen, paragjykimet etj.
Të gjithë jemi të predispozuar për t’u prekur nga simptoma të vogla ose të mëdha të stresit ankthit, frikërave të ndryshme, duke humbur të drejtën për të funksionuar normalisht si qenie sociale. Për të mos arritur në gjendje të tilla të padëshirueshme, të papërballueshme, të dëmshme për shëndetin tonë mendor dhe fizik, është e këshillueshme për t’i paraprirë të keqes të konsultohemi me psikologun. Psikologjia, e cila ka për objekt studimi njeriun, qëllimi kryesor i kësaj shkence është të kuptuarit të sjelljes në një larmi metodash që i ndihmojnë për t’i ndihmuar njerëzit. Psikologët janë të interesuar se si ndikojnë mbi njerëzit faktorë të ndryshëm të jashtëm. Psikologu vlerëson, analizon, trajton dhe studion proceset e të menduarit të individëve në situata të caktuara të jetës së tij. Psikologjia na i ndriçon aktivitetet dhe sjelljet e njerëzve, me të cilët takohemi çdo ditë në rruge, në shkollë, në familje etj. Pra psikologjia studion realitetin psikik dhe jetën psikike të individit në raport me shoqërinë. Me veçoritë psikike nënkuptojmë cilësitë e qëndrueshme të individit siç janë: shprehitë, aftësitë, temperamentin, nevojat, interesat dhe cilësitë e tjera të personalitetit, të cilat shprehen në reagimet dhe sjelljet e njerëzve.
Për psikologun, dija sociologjike është e domosdoshme, ku argumentohet se, raporti i individit ndaj shoqërisë është i lidhur ngushtë. Vendimet e individit që në dukje (vetëvrasja) janë tërësisht individuale, si një akt personal, shpjegohet nëpërmjet forcave shoqërore. Integrimi dhe përfshirja e individëve në rregullimin shoqëror është i rëndësishëm për ruajtjen e balancës shoqërore.
Ne jetojmë dhe punojmë me njerëz me të cilët kemi besime dhe pikëpamje të ndryshme, kemi pavarësinë tonë, por në realitet jemi shumë të varur nga të tjerët. Shoqëria ka një rol rregullues te individi. Fenomenet shoqërore janë fakte sociale dhe këto janë subjekt i sociologjisë. Karakteristikat dalluese shoqërore dhe përcaktuese, të cilat nuk janë të pranueshme për shpjegimet në nivelin biologjik apo psikologjik. Ato janë jashtë individit, por janë të pajisura me fuqi detyruese dhe imponuese. Faktet sociale dhe në veçanti rregullat morale i bëhen udhërrëfyes të efektshëm dhe kontrollues të sjelljes, shoqëria është “diçka tej nesh dhe brenda nesh”. Vetitë e një grupi janë të pavarura nga tiparet individuale dhe prandaj duhet të studiohen në të mire të tyre.
Përmes studimit të klasave shoqërore, krimit dhe devijimeve të karakterit, punës dhe ndryshimeve në organizimet fetare dhe politike, kjo zbulon tensionin ndërmjet rolit të individit në formimin e tij, duke pasqyruar vlerën e sociologjisë si perspektivë drejt të kuptuarit të botës moderne. Sociologjia duke qenë se tregon shkaqet shoqërore të veprimit individual, i çliron njerëzit nga përgjegjësit. Përmes dijes sociologjike, duke njohur veprimet sociale, pjesëmarrjen e individit në shoqëri, ndërveprimet shoqërore duke shpjeguar kështu ndikimin që kanë faktorët socialë te individi. Duke njohur individin në ndikimin social së jashtmi, për psikologun kjo dije sociologjike krijon një ndihmë të madhe për t’u orientuar të njohë faktorët e brendshëm që ndikojnë te individi. Psikologjia na bën të mundur t’i njohim njerëzit, vetveten dhe jetën në përgjithësi, duke na treguar rrugën se si të veprojmë në situata të ndryshme, që t’i evitojmë të metat dhe të zbatojmë cilësitë pozitive. Pra na tregon rrugën e formimit të vetive psikike të personalitetit. Njeriu vazhdimisht është përpjekur të njohë natyrën që e rrethon. Ky interesim ka ekzistuar dhe vazhdon dhe sot.
Si përfundim mund të themi që përmes dijes sociologjike, duke vëzhguar sjelljet dhe marrëdhëniet shoqërore, ndikimin që këto marrëdhënie kanë te individi, e ndihmojnë psikologun për të pasuruar dhe analizuar më mire natyrën e problemit të individit duke kuptuar dhe duke i ardhur në ndihmë. Me ndihmën e psikologut, duke u shprehur lirshëm, duke larguar nga ndërgjegjja të gjitha ngarkesat negative emocionale, në mënyrë që të reduktojmë stresin, ankthin, për më tepër për të shmangur depresionin madhor dhe për të ndërtuar jetën që dëshirojmë, duke realizuar qëllimet që i kemi vendosur vetes, si qenie sociale dhe produkt i shoqërisë.
“Asgjë që njeriu punon ose krijon, nuk mund të kuptohet pa psikologji!”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.