Në fokus

July 12, 2017 | 10:16

Nga Besarta Taçi: Kur dhuna seksuale maskohet si lojë erotike

Gjendem shpeshherë përballë disa tregimeve, ku eksperiencat seksuale të pacientëve të mi, mund të duken në perceptim të parë si “inovative, kreative dhe elektrizuese”, por sapo veproj në mënyrë analitike, duke analizuar simptomat vepruese, konjicionet negative, emocionet dhe ndjesitë trupore, situata fillon e merr një hije të zezë, duke u shpallur si një dhunë e vërtetë, brenda mureve shtëpiake. Janë ato rastet ku gjithçka bëhet dhe mbetet sekret, ku sjellja seksuale agresive maskohet si dashuri e tepërt, ku dhuna justifikohet si lojë erotike, ku detyrimi martesor merr vendin e dëshirës dhe kthehet në dhimbje. Të gjitha këto situata kanë një emërtues të përbashkët, viktima ndjehet e nënshtruar, e poshtëruar, pa mundësi rrugëdalje, sepse abuzuesi vepron totalisht sipas skemës ku arrin kënaqësinë seksuale në mënyrën e tij, pa pyetur nëse kjo sjellje është e dëshiruar nga personi tjetër. Ajo që mungon në këto raporte, janë rregullat e çdo marrëdhënieje seksuale: “dëshira e përbashkët, siguria dhe respekti”.

Besarta Taci Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Besarta Taci
Psikologe Klinike, psikotraumatologe EMDR, Psikoseksologe

Si mund ta kuptojmë që jemi përballë një personi me një çrregullim personaliteti të tipologjisë sadiste, i cili del në pah sidomos në marrëdhëniet seksuale, të cilat karakterizohen nga ftohtësia emocionale, transformohen të detyrueshme dhe arrijnë në dhunë?

Në radhë të parë, personi i ashtuquajtur “sadist seksual” arrin në kënaqësi, duke e bërë të vuajë, të ndjehet i poshtëruar dhe të ndjejë viktimën e tij. Diagnoza e këtij çrregullimi seksual (DSM 5) sot është shumë më delikate sesa në 1886 kur Krafft- Ebing e përshkroi për herë të parë nga pikëpamja klinike, në veprën e tij “Psychopathia sexualis”. Aktualisht, praktikat seksuale të përmbledhura në akronimin BDSM (Bondage, Dominim-Disiplinë, Sadizëm dhe Mazokizëm), janë të njohura dhe të praktikuara edhe nga një pjesë e konsiderueshme e të rinjve shqiptarë, veprimet sado-mazokiste, të konsideruara ekstreme, i bëjnë të vështira limitet sjellore  dhe diagnostikimin e këtij çrregullimi seksual. Personat që shfaqin çrregullim të sadizmit seksual, shfaqin impulse dhe kanë fantazi destabilizuese, makth me tema seksuale sadiste dhe makabre, për të paktën 6 ose më shumë muaj. Një sjellje seksuale me sadizëm të moderuar, me lojëra seksuale (kilikosje, pickime, përdorimi i një thupre, shuplakat e lehta) ku dy të rritur janë në dijeni të paktit sjellor dhe ku të dy ndjejnë kënaqësi seksuale, nuk mund të konsiderohet çrregullim seksual, sepse nuk përbën dëm psikofizik, dhe nuk i përmbush kriteret e manualit statistikor të çrregullimeve mendore, ku cilësohet që, fantazitë dhe sjelljet duhet të krijojnë siklet dhe i shkaktojnë dëme personit tjetër. Faktikisht, kush praktikon marrëdhënie sado-mazokiste në lirshmërinë e vendimit reciprok, nuk kërkon një konsulencë psikoseksologjike për këtë arsye, sepse rezultati i marrëdhënieve është i kënaqshëm në këtë aspekt. Personat që kërkojnë ndihmë, janë ata që ndjehen viktima të një situate ku ato nuk kanë mundur të zgjedhin, dhe përjetojnë aspektin negativ të agresivitetit dhe të dhunës.

masochismNjë sjellje mund të bëhet patologjike nga mënyra e të shprehurit. Pjesa më e madhe e këtyre individëve ka fantazi, ku eksitimi seksual është rezultati i dhimbjes që mund t’i shkaktojnë partnerit, i cili mundet ose jo të jetë i vetëdijshëm.

Kur sadisti praktikon sjellje seksuale të dhimbshme me një partner të pavetëdijshëm, (që nuk e ka vendosur të jetë pjesë e kësaj loje) sadizmi seksual konsiderohet si një aktivitet kriminal, i cili me probabilitet të lartë mund ta vazhdojë derisa sadisti nuk arrestohet. Individët tregojnë ndjesi të forta kënaqësie deri në arritjen në orgazëm kur i kryejnë dënime të dhimbshme fizike partnerëve ose kafshëve. Shpeshherë sadisti ka një dëshirë të paralindur për të poshtëruar, shkaktuar dhimbje dhe shkatërrim psikofizik të tjetrit. Karakteristika themelore është fakti që kënaqësia rritet akoma më shumë kur personi që po vuan, i kërkon lutje për të ndaluar sjelljen, sadistit. “Nevoja për dhimbje” është një aspekt karakterizues i këtyre personaliteteve, e cila tregohet në formë aktive (sadizmi) t’i shkaktosh dhimbje, ose pasive (mazokizmi) të ndjesh kënaqësi kur dikush të bën të ndjesh dhimbje. Karakteristika tjetër është pushteti, i cili rrit ndjesinë e kontrollit te viktima. Sa më shumë dhimbje i shkakton viktimës, aq më shumë viktima do e lusë të ndalojë, aq më shumë sadisti do ndjejë kënaqësi.

Sadizmi seksual nuk është sinonim i përdhunimit, por një bashkim kompleks i dhimbjes, seksit dhe kontrollit te viktima, por të paktën 10% e përdhunuesve diagnostikohen me këtë çrregullim, i cili është i pranishëm në 35-37 % të personave që kanë bërë vrasje nga një motiv seksual. Shpesh është i lidhur me një person që prezanton personalitet antisocial.

 

2Por pse dhimbja dhe kënaqësia shpeshherë janë të lidhura me sjelljet seksuale?

Eksperienca e dhimbjes është qendrore në praktikat BDSM (shprehia e seksualitetit atipik, ku sado-mazokizmi është pjesa ekstreme e këtyre sjelljeve), por gjithçka është parë nga një këndvështrim sigurie, respekti dhe ndjeshmërie ndaj partnerëve. Fabrizio Quattrini e shpjegon këtë mekanizëm në librin e tij “ Parafilie  e devianza” duke treguar për kontaktin sensorial-trupor dhe efektet e një marrëdhënieje ku seksualiteti përjetohet nëpërmjet sjelljeve që shkaktojnë dhimbje. Nuk duhet të harrojmë receptorët e dhimbjes që ndodhen në lëkurën tonë, shprehet ai. Nëse ato aktivizohen në mënyrë të vazhdueshme, truri ynë lëshon endorfinë, e cila prodhohet për të mbuluar dhimbjen, duke dhuruar kënaqësi. Rregullat sjellore dhe baza e përvojës sensoriale në formë loje, kontribuojnë shprehinë e një seksualiteti atipik, ku individi ndjehet i lirshëm të shprehë eroticitetin e tij. Kjo bashkë me tipologjinë e personalitetit të viktimës, historinë familjare dhe kulturën rrethuese, përbëjnë arsyet pse një individ mund të gjendet në një marrëdhënie në të cilën partneri maskon dëshirat e një personaliteti sadist të pashprehura, duke e vënë viktimën në një kurth psikologjik-pasiv, ku shpeshherë nuk respektohen dëshirat dhe limitet personale dhe mungon totalisht respekti. Kjo është arsyeja pse efekti i një seksualiteti të tillë mund të krijojë emocione totalisht negative dhe dhimbje.

Sjelljet më të zakonshme në praktikat e kësaj marrëdhënieje sado-mazokiste janë: “bondage (arti i të lidhurit që vjen nga Kina e lashtë), veshja me instrumente specifike (latex, taka të larta, buste), spanking (shuplaka në vithe, e cila origjinën duket se e ka nga Etruskët), mënyra ndëshkimi të ndryshme ashtu si edhe kilikosja, dirty talking (fjalë të pista dhe ndëshkime verbale), deri tek ekstremi i përdorimit të thuprave (me materiale të ndryshme) dhe derdhja e dyllit të ngrohtë të qiriut te lëkura. Këto të fundit janë të konsideruara si praktika ekstreme edhe pse janë brenda një pakti paqësor dhe respektues mes dy partnerëve.

Kënaqësia seksuale është një miksim fantazish, mendimesh dhe ndjesish, që fillojnë në trup dhe përjetohen në mendje. Nuk mund të përkufizojmë seksualitetin në kategori të ngurta, por të kuptojmë shprehitë e mundshme për të sensibilizuar mbi respektin dhe limitet e shprehjes të çdo qenieje njerëzore. Diferenca mes dhimbjes dhe kënaqësisë është shumë e madhe në përkufizimin e parë, por duhet të jemi më të kujdesshëm në diagnozat tona, sepse shpeshherë nuk ka kënaqësi pa dhimbje dhe në raste të tjera, kënaqësia është e dhimbshme. Diferenca më e rëndësishme është vetëdija për sjelljet që na pëlqejnë ose nuk na pëlqejnë, mundësia e të shprehurit të dëshirave në një marrëdhënie dhe siguria se këto dëshira do respektohen rreptësisht.

Personat që praktikojnë BDSM kanë gjetur një pakt të shenjtë për të arritur në këtë kompromis sjelljesh seksuale. Ato krijojnë një safe word ku një partner ka detyrën të ndalojë sapo tjetri e përmend. Në këtë mënyrë, seksualiteti rezulton i sigurt dhe brenda respektit të tolerueshëm, ndryshe nga ato marrëdhëniet ku seksualiteti kthehet në një detyrë martesore, duke shkaktuar dhunë seksuale “të mbrojtur” nga katër muret e shtëpisë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top