Në fokus

November 26, 2018 | 9:04

Nga Besmir Guri / Mendimi psikologjik nga lashtësia deri në shekullin XIX, ndihmesa e mjekësisë në psikologji

 

Dijetari grek, Alamezon, ishte i pari që përdori rreth vitit 500 përpara erës së re, metodën e diseksionit mbi trupin e kafshëve. Kjo metodë u përdor për të studiuar muskujt, skeletin dhe trurin e kafshëve. Punimet e Alamezonit paraqiten sot nga studiuesit e psikologjisë, si përpjekjet e para për të përdorur metodën e vëzhgimit të drejtpërdrejtë të objektit, në studimet mbi qeniet e gjalla.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Alamezoni veprimtarinë e tij hulumtuese e zhvilloi në shkollën mjekësore të Craton. Kjo veprimtari u fokusua tek zbulimi i mekanizmave që shfaqeshin gjatë kalimit të stimulit vizual nga nxitësi pamor të trurit. Në këndvështrimin e tij truri konsiderohej jo vetëm si vendi ku mundësohej perceptimi i të parit dhe të dëgjuarit, por edhe si vendi ku e kishte origjinën procesi i të menduarit.

Alamezoni ndihmoi me interpretimet e tij në njësimin e mendimit dualist të kohës, në lidhje me aspektet e shpirtit që mendoheshin deri atëherë se ishin të lokalizuara si në kokë ashtu edhe në mushkëri. Ai duke njësuar mendimin e kohës, dha idenë se shpirti lokalizohet vetëm në kokë dhe se ajo hapësirë ishte përgjegjëse për shfaqjen e të gjitha funksioneve mendore.

 Alamezoni, nga ana tjetër, pranoi gjatë hulumtimeve të tij shkencore edhe njohjen e procesit të të menduarit dhe të perceptimit si dy procese të ndara dhe nxori në pah edhe dallimet midis përvojës ndjesore dhe të kuptuarit.

Trajtesat e tij përbënin një nga kulminacionet e mendimit psikologjik te kohës, mbi të cilat me vonë, u përqendrua puna e mjaft dijetarëve të tjerë. Punimet e tij me karakter mjekësor, tentuan të realizonin zëvendësimin e mënyrës së kurimit të deri atëhershëm të sëmundjeve që zbatoheshin nëpër tempuj nga sistemi kishtar i kohës, në një mënyrë të re, që zbatohej tek metoda e vëzhgimit arsyetues gjatë trajtimit të sëmundjes. Alamezoni, nëpërmjet kësaj metode të re të kurimit dhe trajtimit të sëmundjeve, ngulmoi edhe në një pohim interesant për kohën. Ky pohim qëndronte tek ideja e tij se shëndeti dhe sëmundjet ishin produkte që rridhnin nga mundësia e drejtpeshimit të punës së sistemeve të trupit tek individët.

Evoluimi që pësoj në kohë ideja e Alamezonit mbi trajtimin e sëmundjeve njerëzore, u paraqit saktë nga një figurë tjetër në fushën e mjekësisë, në Greqinë e lashtë, i quajtur Hipokrati (lindi ne vitin 460 p.e.r.).

Hipokrati ishte një ndër emrat më të shquar të shkencave mjekësore në Greqi dhe kontributi që dha ndikoi edhe në evoluimin e mendimit psikologjik të kohës. Shkollimi i Hipokratit në mjekësi u krye në tempullin Cas, që ishte ndër tempujt më në zë të Greqisë. Interesi i tij kryesor gjatë shkollimit, ishte dëshira për të zbuluar misteret e praktikave të kurimit të sëmundjeve që ushtronin asokohe priftërinjtë në tempujt kishtare. Kjo dëshirë e udhëhoqi drejt themelimit të një shkolle mjekësore, që kishte si objektiv t’u mësonte nxënësve një sistem të ri dhe të pakompromentuar deri në atë kohë, për shërimin e sëmundjeve.

Hipokrati nëpërmjet sistemit të tij për trajtimin e të sëmurit, predikoi idenë që të gjitha sëmundjet vinin nga shkaqe të ndryshme. Mënjanimi i këtyre shkaqeve natyrore, mundësonte punën në harmoni të sistemeve në trupin e njeriut. Ai pohoi se gjendja e harmonisë në trupin e njeriut varej nga ndërthurja e elementeve të pushimit, ushtrimeve fizike, dietave ushqimore, muzikës, shoqërisë etj. Sistemi i tij mbi trajtimin e të sëmurit, e drejtoi vëmendjen kryesore më shumë mbi pacientin se sa mbi sëmundjen, gjë që deri atëherë nuk shprehej në trajtimet mjekësore të kohës.

Hipokrati në librin “Arti i të vëzhguarit”, përmes punës eksperimentale arriti në idenë që ana e majtë e trurit njerëzor kontrollon lëvizjet e anës së djathtë të trupit dhe anasjelltas.

Ky libër i kushtonte vëmendje analizës së dukurive psikologjike si: mania, depresioni, paranoja, melankolia etj. Këto dukuri, quheshin si elementë të zakonshëm deri në atë kohë në jetën e shoqërisë njerëzore. Ai, krahas studimit të këtyre dukurive psikologjike, ishte i interesuar edhe për studimin e gjendjes së humorit tek njerëzit në shoqëri, çka u trajtua veçanërisht, me librin “Natyra e burrit”. Ky libër paraqiti teorinë e tij të humoreve, duke u mbështetur tek pohimi i dhënë nga Empedokli në postulatin që universi ishte i përbërë nga katër elementë të pandryshueshëm, që ishin: ajri, toka, zjarri dhe uji. Hipokrati, duke e marrë të mirëqenë këtë postulat, shkoi më tej në teorinë e tij, duke pohuar se këta elementë, janë të aftë të formojnë katër humoret bazë në trupin e njeriut. Ndërsa procesi i mungesës së baraspeshimit që mund të vihej re gjatë funksionimit të mekanizmave në organizëm, ishte sipas tij shkaku i prodhimit të sëmundjeve të ndryshme tek njeriu.

Teoria e humoreve ndikoi për shekuj në përcaktimin dhe trajtimin e sëmundjeve nëpërmjet shprehjes së idesë se këto katër lloje humoresh bazë mund të kenë efekt edhe mbi ndërtimin e personalitetit dhe temperamentit të individit.

Hipokrati tek botimi “De Morbu Sacro” e zhvendosi vëmendjen e punës së tij eksperimentale drejt analizës të sëmundjes së epilepsisë. Studiuesit e kohës e interpretonin sëmundjen e epilepsisë, si një sëmundje që rridhte nga ndërhyrja e zotit. Ndërsa analiza e Hipokratit, ndryshe nga mendimi i kohës, e trajtoi këtë sëmundje si diçka që rridhte nga funksionimi jo i mirë i trurit njerëzor. Ai, këtë gjetje mbi epilepsinë e çoi edhe më tej, duke synuar të ekzaminojë ndërtimin struktural të trurit të një epileptiku, si provë për të parë shkakun e sëmundjes.

Hipokrati dha kontribut edhe në shpjegimin e teorisë së etjes. Ai nëpërmjet kësaj teorie, shfaqi idenë, se goja e thatë ishte një sinjal për etjen njerëzore. Teoria e etjes, e dhënë nga Hipokrati, qëndroi e pacenuar për disa shekuj dhe u trajtua si pikë referimi nga mjaft studiues të sjelljes së etjes njerëzore. Kështu, Van Haller (1741) dhe Jensen (1751), e vendosën teorinë e gojës së tharë, si elementin qendror në teoritë e tyre mbi motivacionin. Rreth 100 vjet pas studimeve të Jensen për motivacionin, një tjetër autor, i quajtur Bernard, ne 1885, megjithëse tregoi që teoria e gojës së thatë nuk jepte asnjë shpjegim të saktë të motivimit për të pirë ujë, përsëri pranoi që elementët të kësaj teorie ishin të vlefshëm për t’u përdorur në shpjegimin e sjelljes mbi etjen njerëzore. Shprehje të tilla, si “fyti është i thatë dhe dua te pi ujë” apo “dua te lag fytin” etj, krijojnë lidhjen e teorisë së etjes së Hipokratit me përvojën e përditshme njerëzore. 

Sot, shumë studiues të fushës së historisë dhe psikologjisë, e konsiderojnë Hipokratin si babain e hershëm të psikologjisë. Ky përcaktim jepet si vlerësim ndaj kontributit interesant që ai dha në interpretimin e një serie konceptesh me natyrë psikologjike në shoqërinë antike. Sistemi i kurimit te sëmundjeve, pas vdekjes se Hipokratit, u mbështet nga një mjek tjetër i dëgjuar i kohës, me emrin Galen. Ai jetoi në vitet 130 deri 200 dhe ishte njeriu që i zhvilloi me tej mendimet dhe idetë për metodën e vëzhgimit, të dhëna nga Hipokrati (Robinson, 1984). Galeni studioi mjekësi në institutin e Aleksandrisë, që ishte një nga qendrat me të mira të kohës në fushën e mjekësisë. Puna e tij u përqendrua në zbatimin në praktikë të metodës së vëzhgimit dhe eksperimentit. Ai shkroi disa libra, që shpjegonin modelet e funksionimit të pjesëve të ndryshme të trupit të njeriut.

Galeni nëpërmjet interpretimit që i bëri funksionimit të punës së zemrës, pasqyroi dhe nxori në pah mënyrën e tij shpirtërore të kuptimit dhe formimit të botës njerëzore. Ai vëzhgoi veprimtarinë prodhuese të njerëzve dhe kafshëve dhe vërejti që fryma e një qenie të gjallë ishte e ngrohtë. Galen karakteristikën ngrohtësi, e përcaktoi si një veçori të përgjithshme të botës së gjallë dhe karakteristikën ftohtësi, si një element që ishte i kundërt me ngrohtësinë. Ftohtësinë ai e futi tek elementët e botës pa jete. Anatomistët e kohës hodhën idenë që karakteristika ngrohtësi krijohej si rezultat i një zjarri që ndodhej ne zemrën e njeriut dhe fryma që tregohej në procesin e frymëmarrjes ishte tymi që shoqëronte këtë zjarr.

Ndërsa Galeni, ndryshe nga kjo ide e anatomistëve të kohës, besoi që flaka biologjike e zemrës, distilohej nga elementi i gjakut, dhe ky element në vetvete ishte substanca apo lënda përgjegjëse që luante rolin kryesor në procesin e lëvizjes dhe ndjeshmërisë së individit njerëzor (Farington, 1953). Ai, tek punimi “Pasionet dhe gabimet e shpirtit” u përqendrua në analizën dhe metodën që mundësonte njohjen dhe kurimin e sëmundjeve të shpirtit. Galeni, gjatë interpretimit të këtij problemi, pohoi që sëmundjet e shpirtit njerëzor shkaktohen nga trysnitë e ndryshme që mund të ushtrohen mbi organizmin.

 Përmbajtja që shfaqnin këto trysni, nuk ishin gjë tjetër veçse ndikimi i elementëve me natyrë psikologjike si zemërimi, frika, trishtimi, mërzitja, dhuna etj. Ai pranoi që trysnitë në vetvete mund të drejtohen nga fuqi irracionale, që nuk u binden arsyes njerëzore. Synimi për të larguar natyrën e individit njerëzor nga efekti kërcënues i këtyre trysnive të ushtruara nga elementë psikologjike, mund të realizohej vetëm duke njohur dhe kuptuar vetveten.

Galeni, procesin e të kuptuarit të vetvetes, e shikoi si një element që ishte i vështirë të realizohej nga vetë individi, sepse ndërhyrja në procesin e të kuptuarit të vetvetes, të elementëve si dashuria për vetën etj, shpeshherë, nuk e lejonte individin të kuptonte natyrën e gabimeve të tij (Sherington, 1951). Ai, në lidhje me këtë ide, pohoi që mënjanimi i këtij konflikti dhe njohja e gabimeve të vetvetes, mund të realizohen vetëm nëpërmjet dhënies së ndihmës nga një njeri tjetër që është jashtë individit dhe që do të luajë rolin e terapistit. Ideja që paraqiti Galen, për të mënjanuar kontradiktën në njohjen e vetës, qëndron sot si themeli bazë i interpretimit të lidhjes midis klientit dhe terapistit në psikologjinë klinike.

Kontributi që dha Galeni, ndikoi në mendimin psikologjik për një periudhë të madhe kohore. Influenca e mendimit te Galenit në procesin e interpretimit dhe analizës se dukurive psikologjike që shfaqeshin tek qenia njerëzore, mbizotëroi për një kohë të madhe në mendimin psikologjik të kohës duke arritur deri në kufijtë kohore të periudhës se Rilindjes europiane.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top