Studim

March 10, 2018 | 8:12

Nga Besmir Guri: Stili autoritar i mësuesve nxit ankthin te nxënësit në shkollë

Ky punim studimor ka si qëllim kryesor, nevojën për të identifikuar problematikat dhe ndikimin që ka sjellja autoritare e mësuesit tek nxënësit si dhe nëse ekziston një lidhje midis stilit autoritar dhe ankthit.

MSc.Besmir Guri, Psikolog

MSc.Besmir Guri, Psikolog

Mësuesi nuk duhet ta konsiderojë nxënësin si të barabartë me të, por duhet ta konsiderojë nxënësin potencialisht të barabartë me të (Hare, 1993). Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve në nenin 12 të saj thekson se: “Mendimeve dhe pikëpamjeve të fëmijës duhet t’u jepet pesha e duhur në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre.

Meqenëse fëmija është subjekt i zhvillimit të vet, pikëpamjet e tij janë të rëndësishme në këtë proces. Zhvillimi i fëmijës është më shumë se rritja fizike dhe shëndeti i tij, ai përfshin zhvillimin mendor, moral, social, kulturor, dhe shpirtëror. Zhvillimi lidhet me fëmijën dhe është një proces për realizimin e potencialit të brendshëm të çdo fëmije. Për të mbështetur efektivisht zhvillimin e fëmijës duhet të kuptohet koncepti i “zhvillimit të kapaciteteve të fëmijës”. Zhvillimi i fëmijës duhet parë si një proces ndryshimesh në vazhdimësi, gjatë të cilit fëmijët arrijnë të zotërojnë nivele të menduari dhe të vepruari gjithnjë e më komplekse, ndërkohë që ata lëvizin drejt vendosmërisë dhe pjekurisë.

Ajo që dua që të theksoj në studimin tim, lidhet me faktin se sa i rëndësishëm është faktori mësues për formimin e një personaliteti të shëndoshë te adoleshentët, pasi ata mundet që ta perceptojnë realitetin sipas mënyrës së tyre dhe në këtë mënyrë nevojitet një përkujdesje e jashtëzakonshme për këtë moshë delikate.

Më konkretisht ky studim ekzaminon sesi faktorët që lidhen me personalitetin e individit kanë lidhje me figurën e mësuesit si dhe ndikimin që ka ai te mosha delikate e adoleshentit për formimin e një personaliteti të shëndoshë.

p7-classroom-exam

Objektivat e studimit janë:

A:  Vënia në dukje e efekteve psikologjike dhe fizike që shfaqen tek nxënësi si pasojë e një sjellje jo të përshtatshme nga mësuesit;

B: Ti jepet një rëndësie më e madhe këtyre grupmoshave të cilat kanë nevojë shumë që të dëgjohet zëri i tyre.

C: Identifikimi i formës dhe vendit ku zhvillohet problematika.

Rishikim literature

Stili i mësimdhënies nënkupton një qasje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu strukturimin e mjedisit të klasës, ndërmarrjen e një supervizimi aktiv mbi angazhimin e nxënësve, përcaktimin e rregullave dhe rutinave të klasës, vendosjen e procedurave për të inkurajuar sjelljen e përshtatshme dhe përdorimin e strategjive të reduktimit të sjelljes (Roelofs dhe Veenman, 1994). Me stil autoritar të mësimdhënies do të nënkuptojmë një mënyrë të dhëni mësim në mënyrë të njëanshme, në sensin që mësuesi shqetësohet më shumë për kontekstin se sa për procesin, mban një qëndrim të ngurtë ndaj nxënësve dhe interesohet më shumë për atë që do të marrë se sa për atë që do të japë.

Domethënia e fjalës “autoritet” derivon nga origjina e fjalës latine auctoritas (Vikainen, 1984, pag 3.) dhe ka domethënie të ndryshme si: pushtet, prestigj, status dhe ndikim.

Wrong, ndër të tjera, e përkufizon “autoritetin” si një formë pushteti dhe pretendon se burimet e pushtetit janë legjitime dhe kompetencat e personalitetit (Wrong, 1980). Nga një mësues autoritar mund të presësh që të shikosh që do të kontrollojë sjelljen e fëmijëve në një mënyrë strikte, në mënyrë që sjellja e fëmijëve të jetë sipas dëshirës së mësuesit, duke i ndëshkuar fëmijët për ndonjë mosbindje të çastit (Baumrind, 1966). Në të tilla situata, mësuesi i tyre mbështetet mbi pozicionin që i jep fuqinë mësuesit dhe jo mbi bashkëpunimin dhe negocimin e vendimmarrjeve (Harjunen, 2002), është i bindur se nëse autoriteti i mësuesit është “naiv” kur është i lirë dhe konstruktiv, autoriteti fals bazohet në ndikimin e pushtetit (Gordon, 1977).

Kontribute teorike mbi përkufizimin e ankthit

Ankthi mund të përkufizohet si një ndjenjë e vakët frike, mërzie dhe shqetësimi për të ardhmen. Ai është një emocion që është i vështirë për t’u përshkruar me një fjalë të vetme. Ju e përjetoni atë në formën e një gjendjeje të pakëndshme, të paqartë, që shoqërohet me një parashikim se diçka e keqe do të ndodhë dhe që mund t’i vini emrin shqetësim, nervozizëm, grumbullim, tension, frikë, tmerr, panik. (Tailor.J.A, 1951). Shpesh individi tenton të shmangë mendimet e tij për frikën, por kjo gjë duket se e intensifikon atë. Ankthi është një frikë e shkaktuar prej kërkesave që i vendosen përpara, kërkesave që i vendosen njeriut kur ai nuk e di se çfarë janë aktualisht këto kërkesa. (Selye. H, I956).

Ankthi mund gjithashtu të mendohet si një emocion me pasoja të rëndësishme motivacionale. Një eksperiencë psikologjikisht ose fizikisht e dhimbshme shoqërohet shpesh me një ngacmues të veçantë. Fëmijët përjetojnë ankth kryesisht për ndodhi të jashtme si ndëshkimi, dëmtimi fizik etj.(Resnhan, D. L, 1989). Efektet psikologjike që mund të përfshijnë një individ janë :vigjilencë e rritur, irritim, tension si dhe paaftësi për t’u relaksuar apo për t’u përqendruar. Njerëzit zakonisht arrijnë në përfundimin se mënyra se si mendojnë mund të ndikohet nga ankthi. Ankthi është një ndjenjë e të kuptuarit, frikë apo shqetësim.

Disa frikëra dhe shqetësime janë të justifikuara, por ankthi mund të ndodhë pa një shkak, ose ai mund të krijohet bazuar në një situatë të vërtetë, por mund të jetë në proporcion me atë që normalisht do të pritet nga ankthi. Përmasat e tij mund të kenë një ndikim serioz në jetën e përditshme (Fox, S. I 1981). Ne jemi të prirur që situatat t’i lidhim me mënyrën se si mendojmë duke i ekzagjeruar gjërat. Njerëzit që përfshihen nga ankthi mund të mos shohin qartë në situata të caktuara, mund të ruajnë marrëdhënie të cilat mbështesin mënyrën e tyre të ankthshme të të parit të gjërave, ose që t’i shmangin situatat që atyre u shkaktojnë ankth.

Ankthi mund të vijë prej asgjëje ose prej rrethanave që përfshihen në të, por që shkakton, gjendje të pakontrolluar emocionale, pra shkakton një çrregullim të sistemit perceptues konkret dhe degjeneron proceset reale njohëse apo konjitive, por edhe ndikon sferën e logjikës dhe të gjykuarit të drejtë. Ankthi i vazhdueshëm një ditë do të ndikojë në çrregullimin e sistemit endokrin/ hormonal, si p.sh: sëmundja e sheqerit apo diabetit si rezultat i çrregullimit të gjëndrës endokrine hormonale¬metabolike që gjendet në pankreas.

shutterstock_41152939-classroom2

Simptomat e ankthit përfshijnë periudha ose situata të veçanta të forta të frikës. Simptomat e ankthit janë të lidhura me shenjat e mëposhtme:

  • Një pamje joreale e problemeve
  • Shqetësim ose një ndjenjë e të qenit “i mprehtë”
  • Nervozizëm
  • Tension
  • Dhimbje koke
  • Djersitje
  • Të përziera
  • Nevoja për të shkuar në banjo shpesh
  • Lodhje

Pikëpamja situacionale

Në një studim të ndërmarrë nga Gina Gresham për të parë një lidhje midis mësuesit, lëndës dhe nxitjes së ankthit, ka rezultuar përgjithësisht se nxënësit kanë bërë një lidhje midis figurës autoritare të mësuesit dhe lëndës. Në një pyetje të ngritur nga ajo nëse “ju pëlqen matematika?”, në të shumtën e rasteve rezultoi që përgjigjja e tyre të ishte negative, madje shprehnin nivele ankthi kur bënin lidhje me lëndën dhe mësuesin që drejtonte lëndën.

Përgjatë kërkimeve rreth ankthit që përjetojnë nxënësit nga autoriteti i mësuesit, rezultoi se ata më shpesh përjetonin ankth nga ata mësues të cilët jepnin mësim lëndën e matematikës, sipas Richardson and Suinn (1972). Përshkrimi i ankthit nga mësuesi i matematikës përcaktohet si “përjetimi i një tensioni të lartë ndjenjash dhe pamundësia për të qenë i qetë dhe i saktë në atë që bën”. Kërkimet kanë treguar se ekziston një lidhje midis lëndës së matematikës, stilit autoritar dhe ankthit dhe kjo temë është më se e zakonshme në mesin e edukatorëve (Bursal & Paznokas, 2006; Reys, 1995; Singh, Granville, dhe Dika, 2002; Thompson, 1992; Zettle & Raines, 2002). Matematika dhe ankthi i kanë rrënjët në stilin e mësimdhënies dhe të mësimdhënësit (Tobias, 1998; Vinson, 2001; Widmer & Chavez, 1982).

Dhe si pasojë e këtij fenomeni rezulton se ka një lidhje midis ankthit të nxitur i cili reflektohet drejtpërdrejt në performancën e dobët akademike të nxënësve, (Bush, 1989; Hembree, 1990). Një përqindje e konsiderueshme e mësuesve, raportuan se përjetojnë nivele të larta ankthi kur njësohen me lëndën dhe u duhet të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj nxënësve (Bursal & Paznokas, 2006; Harper & Daane, 1998; Hembree, 1990; Kelly & Tomhave, 1985). Matematika dhe mësuesit ndikojnë në nxitjen e ankthit, gjë që ka një efekt negativ mbi të mësuarit dhe ky bllokim emocional shkakton pasoja në të mësuar.

Një numër studimesh kanë treguar se ankthi ndërhyn në drejtimin e vëmendjes (Verw, 1971) dhe me proceset e kujtesës, aq sa nuk të lejon në përzgjedhjen e saktë dhe të ndryshme të lidhura të informacionit (Seiber, O’Neil & Tobias, 1977). Reduktimi i ankthit shpesh çon në arritje më të zgjeruara të informacionit (Zoller & Ben-Chaim, 1988). Mësuesi ( Martinez, 1987), thekson se ndoshta duhet të rishikojmë kurrikulat dhe programet e përgatitjes në mënyrë që të dalim nga shinat e mësimdhënies tradicionale. Studimet kanë treguar se ankthi nga autoriteti i mësuesit dhe i lëndës së matematikës, lidhet me disa aspekte psikologjike si kujtesën e punës, (Ashcraft, Kirk, 2001), moshën (Gierl,Bisanz, 1995), seksin (Bradley, Wygant, 1998), vetefikasitetin (Pajares, Graham, 1999), qëndrimet ndaj matematikës (Betz, 1978), ankthin nga testet (Kazelskis et al., 2000), dhe me ankthin në përgjithësi ( Zettle, Raines, 2000).

puberty-brain-uc-berkeley

Kërkimet nga studimet kanë treguar gjithashtu se ankthi që përjetojnë nxënësit nga mësuesit ka ndikim të drejtpërdrejtë në aspektet konjitive, psikologjike dhe ato të sjelljes. Frika që përjetojnë nga mësuesi i matematikës, u shkakton nxënësve një vetëvlerësim të ulët për veten, zhgënjim dhe dështime akademike (Tobias, 1998; Gresham, 2004). Nxënësit gjatë prezencës së mësuesit gjatë orës së matematikës përjetojnë shumë panik, mendime rreth dështimit, tension, mërzitje, dyshime, frikë, turp, tension në stomak, vështirësi në frymëmarrje, pamundësi për të dëgjuar mësuesen, pamundësi për t’u përqëndruar dhe e kanë të pamundur të përdorin fjalë që lidhen me matematikën (Austin, Wadlington, 1992; Bursal, Paznokas, 2006; Dutton, Dutton, 1991; Hembree, 1990).

Pikëpamje rreth formimit të stilit autoritar të mësimdhënies. Një studim i kryer nga “Miles Myers”, pohon se mësuesit e rinj, dëshirojnë dhe kërkojnë të largohen nga stilet e vjetra autoritare, por më pas hasin shpesh vështirësi që lidhen me çështjen e autoritetit. Sipas tyre frika më e madhe e mësuesit është në fillimet e karrierës së tij dhe këtu është pikënisja e gjithçkaje për të krijuar stilin e tij të mësimdhënies, pasi frika e bën këtë të fundit, të pozicionohet edhe në mënyrë të pandërgjegjshme drejt një stili të tij mësimdhënie. Sipas Moskowitz dhe Hayman (1976), nëse mësuesit humbasin një herë kontrollin e klasës së tyre, për ta do të bëhet gjithnjë e më e vështirë për ta rifituar këtë kontroll dhe kjo frikë mund të bëjë të mundur që një mësues të përqafojë një stil autoritar.

Frika e mësuesve të rinj se humbasin kontrollin e klasës vjen nga: një menaxhim i dobët, niveli akademik i dobët, pasiguria në vetvete, sipas Moskowitz dhe Hayman (1976). Është pikërisht kjo gjë që do të bëjë që mësuesi t’i qëndrojë besnik tashmë mënyrës së tij të mësimdhënies, duke lënë mënjanë metodikat e reja dhe kjo gjë ul aftësitë e tij në zhvillimin e kompetencës dhe dijet e tij do të jenë të kufizuara.

Ata pohuan se figura e mësuesit është themelore për të vendosur autoritetin në klasë, pasi nëse ata dështojnë për të krijuar rendin dhe paqen në klasë, atëherë janë duke humbur mundësinë për të krijuar një mjedis mësimor të mirë. Moskowitz dhe Hayman (1976), argumentojnë se kjo gjë ndodh veçanërisht te mësuesit e rinj pasi aty është lufta për të vendosur autoritetin në klasë. Është shumë thelbësore që për një mbarëvajtje sa më normale të marrëdhënieve midis dy palëve, domethënë midis mësuesit dhe nxënësit, nevojitet bashkëpunim, sepse mënyra se si një mësues vendos ta organizojë orën e mësimit është baza për një marrëdhënie të shëndoshë.

Aftësia e mësuesve për të organizuar klasën dhe menaxhuar sjelljen e nxënësve të tyre është thelbësore ndaj rezultateve pozitive në arsim. Përgatitja gjithëpërfshirëse e mësuesit dhe zhvillimi profesional në organizimin efektiv të klasës dhe menaxhimin e sjelljes si rrjedhojë është i nevojshëm për të përmirësuar rezultatet për nxënësit. Stili i mësimdhënies nuk nënkupton vetëm një marrëdhënie të ngurtë midis palëve, për shembull, mësuesi të shpjegojë mësimin dhe fëmija t’i përgjigjet asaj që i është dhënë. Stili i mësimdhënies e vendos theksin te mësuesi si menaxhues i klasës në mënyrë që të ketë një kontroll të vazhdueshëm mbi të.

fotonoticia_20161108130727_800

Shkolla rezulton se është një diversitet multikulturor edhe mësuesit do t’i duhet të bashkëveprojë me këto grupe njerëzish dhe, si pasojë e kësaj, mësuesit do t’i nevojitet që të krijojë stilin e tij të bashkëveprimit, komunikimit dhe mësimdhënies, pasi menaxhimi i sjelljes është i përqendruar në besimet rreth natyrës së njerëzve. Duke integruar dijen rreth diversitetit njerëzor (dhe individualitetit, në të njëjtën kohë), brenda një filozofie mësimore të veçantë, mësuesit mund të menaxhojnë klasat e tyre në një mënyrë më të mirë e më efektive. Sidoqoftë, duke parë problematikën që e shoqëron këtë lloj procesi, mësuesit do t’i duhet të pozicionohet midis të qenit i rreptë me nxënësit apo i hapur ndaj tyre pa pasur frikë se do të humbasë kontrollin ndaj tyre.

Ndikimi i teorisë bihejvioriste mbi të mësuarit. (Instituti Kombëtar i Arsimit për vlerësimit e mësuesve fillestarë në Kaliforni), ka ndërmarrë një studim mbi metodën bihejvioriste edhe autori i këtij studimi, është “Miles Myers” i cili e ka thelluar kërkimin mbi të mësuarit bihejviorist dhe ka nxjerrë në pah se modelet bihejvioriste kanë qenë dominante në ndikimet për mësimin, leximin dhe shkrimin gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Dhe kjo lloj metode kërkon një lloj metodike të veçantë që është ajo e të mësuarit përmendësh, gjë që është efikase në bazë të të dhënave që disponon studiuesi, por nga ana tjetër nuk lejon që individi të shprehë potencialin e plotë të tij, por thjesht do të jetë një mekanizëm perfekt në dorën e mësuesit.

Studiuesi arriti në përfundimin se mënyra e të mësuarit bihejvioriste po e vriste mendimin kritik të të rinjve dhe nevojitej një rikonceptim i mësimdhënies, duhej parë një qasje tjetër për të vendosur raportet midis palëve.

Eleanor Duckworth përshkruan se si një grup i rregullave nga një studim kërkimor mund të ketë efekte negative mbi mësuesit që nuk kanë ndjenjën e autoritetit profesional. Dhe është po aq e nevojshme si për mësuesit ashtu edhe për nxënësit të ndjehen më mirë me besimin dhe idetë. Është e rëndësishme sepse në qoftë se mësuesit do të ndjehen të lirë të pranojnë idetë e fëmijëve, atëherë ata lejojnë që individi të shprehë potencialin e tij të plotë.

Por nëse mësuesit mendojnë se klasat e tyre duhet t’i bëjnë gjërat ashtu siç ata mendojnë se është gjëja më e mirë për t’u bërë dhe se përsosmëria e tyre si mësues varet nga kjo gjë, atëherë procesi do të jetë i cunguar, në këtë mënyrë ata nuk mund të pranojnë divergjencat me fëmijët dhe gjithashtu krijimet e fëmijëve. Ata do të rrisin pakënaqësitë midis nxënësve, nuk i lejojnë ata që të jenë palë në proces dhe do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në gjendjen e tyre emocionale.

I gjithë studimi u fokusua në raportet që vendoseshin midis palëve, mundësitë që të krijonte ky lloj sistemi i vendosur prej bihejvioristëve, efikasitetin e tij në raport me evoluimin e kohëve dhe të drejtave të nxënësve (Bales, 1970; Fiandre, 1970; Bellack, 1968; Mitzel, 1982; Uljens, 1997). Eleanor Duckworth në raportin e saj të detajuar përshkruan se nxënësit kishin nevojë për një tjetër filozofi të mësimnxënies dhe sipas hulumtimeve të saj sistemi amerikan duhej të përfshihej më shumë drejt qasjes humaniste dhe lejimit të shprehurit të individit në mënyrë që të rritej krijimtaria e nxënësit të ndiheshin të lirë të shfaqnin potencialin e plotë të tyre.

58a6710154905720098b5298-750-563Studimi tregoi se të rinjtë ishin të privuar nga kjo lloj metode dhe shkollës bihejvioriste i kishte ikur koha tashmë dhe tjetër frymë nevojitej që të implementohej në shkollat amerikane. Ky studim tregon që shkolla ruse e mësimnxënies mund të rezultojë efikase për të marrë rezultatet që janë në libër por nuk bëjnë të mundur që individi të jetë vetëzotërues i dijeve të veta. Eleanor Duckworth theksoi se nxënësit pasqyrojnë atë që mësuesit u transmetojnë atyre. Mësuesit janë ata të cilët e kanë në dorë që të organizojnë klasën dhe se në çfarë aspekti do ta fokusojnë mësimdhënien. Mësuesit që aplikojnë modelin bihejviorist janë në mënyrë tipike të përjashtuar nga çdo lloj diskutimi me atë që mund ta quajmë “deficit” të tyre për atë që ata duan që të marrin nga procesi mësimor. Në këtë mënyrë ata dhe mund të justifikojnë punën e tyre dhe të fokusohen rreth asaj që përbën mësim të mirë gjithmonë sipas tyre. Por edhe pse hulumtimet edukative kanë zhvilluar njëzet e pesë vjet studime, gjatë kësaj kohe nuk kanë zgjidhur dilemën e asaj që përbën mësim të mirë.

Teoria bihejvioriste mbi mësimnxënien dhe mësimdhënien. Bruhus Skinner ka theksuar që përforcimi i duhur dhe i menjëhershëm forcon mundësinë që sjellja e duhur do të përsëritet, që do të thotë se të mësuarit nënkupton vendosjen e shoqërimeve midis ngjarjeve në mjedis që është ngacmuesi dhe sjelljes që është reagimi. Pra nëse një ngacmues është i fortë ashtu do të jetë edhe reagimi, për shembull nëse një adoleshent percepton se sjellja e mësuesit të tij është e ashpër dhe nuk lejon shteg që nxënësi të largohet nga kjo situatë, atëherë nxënësi do të jetë i detyruar të mësojë në këto kushte Skiner (1958).

Hulumtimi i tij në modifikimin e sjelljes, kishte një ndikim të thellë në fushën e menaxhimit të klasës pasi e dha idenë se fëmija mund të mësojë edhe nën presion psikologjik pasi mendja njerëzore funksionon si ta mësosh. Sipas Skinner, nga shpërblimet pozitive merr formë edhe sjellja e njeriut, por problem i madh në këtë teori të të mësuarit është se si ta bëjë një stimul diskret të mjaftueshëm në mënyrë që subjekti të marrë dhe të shpërblehet pikërisht për një përgjigje të duhur. Duket sikur individi është vetëm një riprodhues perfekt nën ndikimin e autoritetit të mësuesit e nuk jep një panoramë të qartë se çfarë aftësish mund të ketë individi nga motivimi pa pasur nevojën e një stimuli të jashtëm. Me fjalë të tjera, do të thotë se adoleshentët do të vazhdojnë të demonstrojnë sjellje pozitive drejt mësuesve, prindërve ose shokëve.

Kjo filozofi është aplikuar gjerësisht në kontekstin shqiptar, ku shkolla është konsideruar rëndom një vend ku dija do të merret me të gjitha format dhe ndëshkimi ishte primar për ta përforcuar sjelljen. Ata pretendojnë (Skiner dhe Pavlov, 1958) se mësimdhënia nuk është aspak më shumë se një zbatim i thjeshtë i përfundimeve të duhura, në mënyrë të tillë që një nxënës ”normal” nëpërmjet sjelljeve të tij të tregojë se sa i ka përvetësuar njohuritë e dhëna. Kjo shkollë e mësimnxënies është interpretuar në mënyrën më të keqe në vendin tone para viteve 90, pasi edhe ndëshkimi edhe shpërblimi janë keqpërdorur për të arritur qëllimet e shkollës, duke lënë pas dore nxënësin. Kështu nxënësi konceptohej si një pjesëmarrës inaktiv i procesit dhe që duhej vetëm të realizonte objektivat maksimale edhe duke u dashur të sakrifikojë shumë nga vetja për ta lënë pas dore atë. në interpretimin e sjelljes nxënësi duhej të ishte i fundit.

Ndërsa Tolman theksoi se, të kuptuarit është çelësi i të mësuarit dhe përforcimi duhet vetëm për të motivuar individin që të manifestojë sjelljen e mësuar. Nëse do të përmendim disa metoda që kanë të bëjnë me atë çka mësuesi, prindi apo një person do t’i transmetojë diçka një personi tjetër janë një sërë faktorësh që përdoren, por fokusi do të jetë tek roli i edukatorit, aftësitë që përdor ai, që kanë të bëjnë veçanërisht me metodat shoqëruese të cilat i referohen metodës së bindjes:

  • barriera psikologjike dhe rezistenca të personalitetit që pengojnë komunikimin reciprok,
  • qëndrimi komformist ose maskimi i pozitës së kundërt me edukatorin,
  • moralizimi, psikologjitë e edukatorit që pengojnë komunikimin me të edukuarin,
  • informimi dhe jo argumentimi, duke përdorur këtë edukatorët pandehin se po e përdorin siç duhet këtë metodë.

Metodologjia e studimit

Ky studim u krye me pjesëmarrjen e 30 mësuesve dhe 150 nxënësve adoleshentë, vajza dhe djem të grupmoshës 15-18 vjeç të cilët frekuentonin gjimnazet e shkollave në qytetet e Tiranës, Lushnjës dhe Rubikut. Të dhënat u morën përmes aplikimit të dy instrumenteve: ” The classroom management”, i cili shërbeu për të matur stilin e mësuesve mbi menaxhimin e klasës dhe pyetësorit Burns Anxiety Inventory i cili mundësoi në identifikimin dhe matjen faktoriale të ndikimit të stilit autoritar i cili ndikonte në nxitjen e ankthit.

Pyetësorët me dy shkallë për mësuesit dhe pyetësori me nxënësit për evidentimin e sjelljes autoritare. Pyetësorët u plotësuan me lejen e drejtorisë së institucionit dhe me mbikëqyrjen e nëndrejtuesit. Mbledhja e të dhënave konsistoi në administrimin e 2 instrumenteve “ Burns Anxiety Inventory” i cili na ndihmoi në identifikimin dhe matjen faktoriale të ndikimit të stilit autoritar se si ndikonte në nxitjen e ankthit. Një tjetër metodë ishte ajo e testit “ The classroom management” (Menaxhimi i Klasës) ku me anë të tij u mblodh informacion, duke krijuar një pasqyrë të qartë se si e perceptonin mësuesit vetë veten e tyre, se çfarë konsiderohej e drejtë për ta për të mbajtur një ambient akademik sa më të qetë dhe disiplinues gjatë mësimit.

Procedura e studimit

Pjesëmarrësit e këtij studimi ishin pjesëmarrës aktivë të shkollës së mesme në Rubik, Lushnje dhe Tiranë. Përzgjedhja e kampionit u bë në mënyrë rastësore, që të kishte të dhëna sa më objektive dhe gjithëpërfshirje.

Pasi u bë një prezantim i shkurtër i qëllimit të studimit dhe mënyrës së administrimit të instrumenteve, pjesëmarrësve iu bë e qartë se të dhënat do të ishin konfidenciale dhe anonimati ishte i garantuar.

Studimi u realizua në dy faza: në fazën e parë u aplikua pyetësori për mësuesit, për të bërë një analizë të të dhënave dhe për të identifikuar pikëpamjet që kishte stafi i shkollës mbi stilin e mësimdhënies. Në fazën e dytë u aplikua pyetësori me nxënësit për të analizuar lidhjen midis stilit autoritar dhe ndikimit që kishte në aspektin psikologjik te nxënësit. Për saktësinë dhe mënyrën e analizimit të të dhënave, duhej që për 5 nxënës të korrespondonte një mësues i cili do të plotësohej me mesataret e përgjigjeve të ankthit që ata kishin dhënë për çdo pyetje.

exam

Gjetjet e studimit

Rezultatet treguan se të dhënat për gjininë e mësuesve ishin 63.3% femra ndërsa 36.7% ishin meshkuj. Dhe nga kjo gjë rezultoi se 10.5% e mësueseve femra janë të lidhura me ankthin borderline tek nxënësit, ndërsa 31.6% rezultojnë se lidhen me ankthin e lehtë, 26.3% me ankth të moderuar dhe 3 1.6% me ankth të ashpër tek nxënësit.

Të dhënat për mësuesit meshkuj tregojnë se 36.4% e mësuesve meshkuj lidhen me ankthin e lehtë, 27.3% me ankthin e moderuar, 36.4% me ankth të ashpër tek nxënësit. Rezultatet treguan se nxënësit përjetojnë më shumë ankth në praninë e mësueseve femra. Përsa i përket stileve të mësuesve del në pah se meshkujt rezultojnë se janë më autoritarë se femrat. Përsa i përket stilit autoritativ rezulton se nuk ka diferenca përsa i përket stilit mes mësuesve femra dhe meshkuj. Ndërsa për stilin demokratik rezulton se femrat janë më demokratike gjatë orës së mësimit. Marrëdhënia mes stilit lejues dhe gjinisë së mësuesve, rezulton se femrat kanë një stil më lejues gjatë orës së mësimit në krahasim me meshkujt.

Rezultatet tregojnë se niveli më i lartë dhe i ashpër i ankthit rezulton tek mësuesit e lëndëve të sociologjisë dhe kimisë. Ndërsa për sa i përket marrëdhënies së ankthit të nxënësve me qytetet ku është bërë kampionimi, rezultatet tregojnë se 22% e nxënësve nga të gjithë nxënësit e Rubikut raportojnë për ankth borderline, 11.1% për ankth të lehtë, 33.3% ankth të moderuar dhe 33.3% për një ankth të ashpër. Nxënësit në qytetin e Tiranës sipas të dhënave, 11.1% e tyre kanë ankth të lehtë, 44.4% ankth të moderuar dhe 44.4% ankth të ashpër. Në qytetin e Lushnjës 66.7% përjetojnë ankth të lehtë dhe 33.3% ankth të ashpër.

Rezultatet e tabelës tregojnë se ekziston një marrëdhënie korrelacionale midis qytetit dhe ankthit të nxënësve X2(6, N = 27) = .028, p<0.05. Interesant është fakti se ndryshe nga studimi i Gina Gresham, në vendin tonë rezultoi se mësuesit rezultuan më shumë autoritar në lëndët e sociologjisë dhe kimisë, gjë që përbën një risi, sepse përforcon idenë se është stili i mësuesit ai që ka ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen emocionale tek nxënësit.

Përsa i përket lidhjes së eksperiencës së mësuesve rezultatet tregojnë se ka një marrëdhënie mes ankthit të nxënësve dhe viteve të eksperiencës së mësuesve. Vihet re se me rritjen e eksperiencës rritet dhe ankthi, që do të thotë se vlerat e ankthit të ashpër janë më të larta me rritjen e viteve të eksperiencës.

Parantezë

Ajo që bije në sy tek analiza e të dhënave, është se ka një pranim të figurës së mësuesve meshkuj si më shumë autoritarë në raport me femrat, por gjë e cila nuk korrespondon me nivele ankthi të rritur. Kjo pasi rezultatet tregojnë që: mësuesit e gjinisë mashkullore, rezultojnë më autoritarë se mësueset femra, por ankthi është me prezent tek nxënësit në prani të mësueseve femra. Kjo e dhënë e rëndësishme, më hap një shteg të ri, për të hulumtuar më tej se: çfarë shoqëria shqiptare kulturalisht percepton autoritare tek meshkujt???

Rekomandime

  1. Rekomandoj që psikologu shkollor të ketë një rol më aktiv në shkollë duke ndihmuar nxënësit në aspektin emocional dhe sjellor.
  2. Duhet që të implementohet dhe të kuptohet strategjia kombëtare e teknikave të  reja të mësimdhënësve, e cila e vendos theksin te ndërtimi i marrëdhënieve bashkëpunuese mes mësuesit dhe nxënësit.
  3. Rekomandoj që problemet e tilla që shfaqen, duhet identifikuar dhe analizuar burimi përpara se të jepet një zgjidhje për to.
  4. Ky studim duhet të shtrihet në nivel kombëtare për të kuptuar se sa shqetësuese është kjo lloj problematike për nxënësit në shkollat tona.
  5. Rekomandoj se mësimdhënia e bazuar vetëm te literatura nuk është totalisht produktive gjatë veprimtarisë mësimore, pra duhet parë për alternativa të tjera të marrjes së informacionit.
  6. Rekomandoj se fëmijët duhen nxitur në mënyrë që ata të mendojnë vetë mbi gjërat.
  7. Ngritjen e një strategjie për të mirëpërcaktuar se cilat nga të  drejtat e nxënësve shkelen dhe ku fillon tejkalimi i kompetencave të mësuesve.
  8. Rekomandoj Të bëhen takime pune, trajnime  mes stafit të shkollës dhe shërbimit psikosocial, me qellim shkëmbimin e përvojave pozitive në menaxhimin e klasës

Bibliografia

Applebaum, B. (1999). On good authority or is feminist authority an oxymoron?,

Beck-Gernsheim, E., & Beck, U. (1995). The normal chaos of love. Cambridge: Polity Press

Gordon T. (1977). T.E.T. Teacher Efectiveness Training. New York, NY: David McKay

Burns, D.S., & Rathbone, N. (2010). The relationship of narrative, virtue education, and an ethic of care in teaching practice. in education,

D’Amore B. (1 999a). Scolarizzazione del sapere e delle relazioni: effetti sull’apprendimento della matematica. L’insegnamento della matematica e delle scienze integrate. 22A, 3, 247-276

Andersson, Curt. Kunskapssyn och lärande – i samhälle och arbetsliv. Lund: Studentlitteratur, 2000

Bohlin, Roland. Pedagogiskt ledarskap. Stockholm: Liber Utbildning (1995).

Arschkroft, J. (2002). Lemmings to the sea. Journal of Political Biology, 14(3), 7, 13-19, 94.

Selye,H.(1956). The Stress of Life.Mc Grae-Hill.

Selye,H((1982). History and present status of the stress Concept.In Stress and Coping, An Anthology, 3-d Edition.Columbia University, Press, New York.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top