Nga Blerina Memaj, psikologe
Është folur përherë për dëmet e përdorimit të teknologjisë mbi fëmijët e adoleshentët. Ditëve të fundit po dëgjojmë dhe për një lojë të quajtur Balena Blu. Një rrezik potencial që shkaktohet pikërisht nga përdorimi pa kriter i teknologjisë apo telefonit në veçanti. Rreziku i saj arrin deri në vetëvrasje të fëmijës apo adoleshentit. Është pikërisht mosha 9 deri 16 vjeç ajo që duket se po bie pre e kësaj loje të rrezikshme.
Me bindje do ta cilësoja këtë lojë si Cyberbullying apo ndryshe bulizmi nëpërmjet internetit. Bulizmi është një nëntip i dhunës apo sjelljeve agresive të qëllimshme, e dëmshme, dhunuese e të drejtave të të tjerëve. Një moment i rëndësishëm te bulizmi është fakti që viktima nuk e mbron dot veten apo nuk e mbron mjaftueshëm. Një nga format e bulizmit është dhe CYBERBULLYING.
Cyberbullying nënkupton përdorimin e teknologjisë për të dëmtuar apo ngacmuar njerëzit në mënyrë të qëllimshme, të përsëritur dhe armiqësore.
Kjo është ajo që po dëgjojmë të ndodhë për shkak të Balenës Blu. Një manifestim i frikshëm i CYBERBULLYING. Një dhunë psikologjike e fuqishme nëpërmjet internetit. Për 50 ditë, viktimat e kësaj loje përfshihen në një tension që shtohet për shkak të sfidave që fëmijës i kërkohen në mënyrë të vazhdueshme dhe që mund të përfundojë me vetëvrasje në ditën e 50-të.
Kuratori mund të përdorë foto apo mesazhe intime që ka shkëmbyer me lojtarin e Balenës Blu, duke e kërcënuar se do t’i përhapë që ta nxisë fëmijën drejt sfidave sesi të shohë një film horror, të qëndrojë zgjuar natën ose të zgjohet në 4.30 të mëngjesit, të presë pjesë të ndryshme të trupit në formën e balenës e deri në një përshkallëzim deri te vetëvrasja, në mënyra të caktuara që i kërkohet. Një kërcënim të hapur e të dhunshëm do ta cilësoja këtë lojë.
Fëmijët dhe adoleshentët janë një kategori që kërkon e ka nevojë për guidë zhvillimi, e për këtë, përgjegjësia bie mbi të rriturit. Bërja bashkë në problemet që teknologjia po shkakton te këto kategori e prindërve, mësuesve, psikologëve, përfaqësuesve të komuniteteve përgjegjës etj, do të minimizonte dëmet, duke orientuar drejt shfrytëzimit të teknologjisë në dobinë tonë e të fëmijëve tanë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.