Në fokus

May 11, 2017 | 10:13

Nga Blerina Memaj: Reflektim mbi privatësinë!

Nga Blerina Memaj, psikologe

Privatësia ka një konotacion të shumëfishtë për njerëz të ndryshëm, konteste, kultura dhe kombe të ndryshëm. Pikësëpari në zanafillën e vet është cilësuar si një ndërhyrje në hapësirën fizike të dikujt. E para që hedh në këtë lloj konceptimi është shkrimtarja amerikane Virginia Woolf, ku fshehtësia e fakteve personale të ekzistencës së çdo qenieje njerëzore, përbën çelësin e gjithë romaneve të saj. sipas feministes amerikane, jeta duhet marrë si një dhuratë shumë e çmuar që na është dhënë, të cilën duhet ta ruajmë si thesar dhe nuk duhet kurrsesi ta hapim. Hapja e kësaj dhurate do të turbullonte atmosferën. Rrënojat dhe shkëlqimet jetësore kanë vlerë vetëm brenda ambalazhit. Pak a shumë, ky konceptim mbart tek termi privatësi edhe sot e kësaj dite, pavarësish konteksteve të përdorimit.

1

Privatësia është një e drejtë themelore e njeriut, vlera sociale e së cilës është një përbërës thelbësor në funksionimin e shoqërive demokratike. E drejta e njeriut për jetën private ka precedent në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje dhe për të kërkuar, marrë dhe dhënë informacion edhe ide përmes çfarëdo mjeti dhe pa marrë parasysh kufijtë? Liria e mendimit dhe e shprehjes jo rrallë është cenuar rëndë në Shqipëri.

Kohët e fundit po hedh rrënjë gjithnjë e më tepër një shoqëri e mbikëqyrjes, ndërkohë që flitet përherë e më shumë për të drejtat dhe lirinë e individit. Dy kolegë pune mund të shkojnë dhe të hanë drekë të qetë në ambientin e jashtëm të një restoranti pa dëshirën për të pasur njeri-tjetër në një hapësirë të vogël rreth tyre, ndërkohë që kamerat e sigurisë kanë të regjistruar pamjet e tyre filmike gjatë dy orëve që ka zgjatur dreka. Teknologjia ka cenuar në këtë rast hapësirën vetjake, ndërkohë që pronari i restorantit justifikohet me mendimin se është i detyruar të vendosë kamera sigurie në ambientin përreth restorantit, pasi ekziston rreziku se duke qenë restorant në qendër të kryeqytetit, të ndodhin veprime nga më të ndryshmet nga qytetarë të palogjikshëm. Në këtë rast, filmimet do të ndihmonin shumë në gjetjen e autorit në një kohë tepër të shkurtër. Ekzistojnë në këtë shembull dy këndvështrime. I pari merret si cenim i të drejtës së privatësisë së individit. E dyta është e logjikshme e arsyeshme e një qytetari që dëshiron të jetë i mbrojtur nga qytetaret e tjerë. Pra themi se, privatësia merr kahe të ndryshme qëndrimesh në pozicione të ndryshme zbërthimesh dhe interpretimesh.

2

Kjo tregon se jemi një shoqëri, ku zhvillimi i mjeteve të teknologjisë ashtu si në gjithë botën na ka ndihmuar në zbardhjen e të vërtetave në një kohë të shkurtër, por në anën tjetër ne nuk dimë kurrsesi të respektojmë liritë dhe të drejtat e tjetrit. Liria e një individi mbaron aty ku fillon liria e tjetrit! Zbatimi i ligjit për privatësinë këtu te ne zbatohet shumë pak, kështu duket të paktën.

Kohët e fundit po flitet shumë për privatësinë e fëmijëve në lidhje me postimet e fotove të tyre në një rrjet social si Facebook-u. Konventa për të drejtat e fëmijëve i përcakton qartë lirinë dhe të drejtat e fëmijëve në Nenin 2 të saj. “Shtetet palë marrin të gjitha masat e përshtatshme për të siguruar që fëmija të jetë i mbrojtur  nga të gjitha format e diskriminimit apo ndëshkimit, për shkak të pozitës, veprimtarive, opinioneve të shprehura apo bindjeve të prindërve të tij, të përfaqësuesve të tij ligjore ose të anëtarëve të familjes së tij”. Postimi i fotove në rrjetin social Facebook është pranuar sot njëzëri si cenim i të drejtave dhe lirive të fëmijës si dhe ndonjë forme që mund të çojë në bërjen prè e ndonjë agresioni të papritur apo vjedhje të dhënash, që mund të përdoren për veprime nga më të paimagjinueshmet.

3

Si përfundim, mund të themi se në disa raste tek termi privatësi ka kontekste të ndryshme përkundër interpretimit, ku njëra anë e medaljes është në mbrojtje të termit, ndërsa ana tjetër në kundërshtim absolut të tij, ndërsa respektimi i privatësisë në vendin tonë është në nivele shumë të padëshiruara.

 

Biblografia

1.Joshua Rothman, Virginia Woolf’s Idea of Privacy, The New Yorker, July 9, 2014

2.Deklarata e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut

3.Konventa për të Drejtat e Fëmijës, Neni 2, 2 shtator 1990

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top