Njeriu nuk është vetëm një qenie komplekse që udhëhiqet nga instinktet, që rrëmbehet nga entuziazmi i momentit, që vetë burgoset në mendimet e veta, por është herë-herë edhe i arsyeshëm. Shoqëria e sotme tërhiqet si me magnet nga materializmi, nga mendimet sipërfaqësore, respekti sipërfaqësor, ndjenjat sipërfaqësore, ku nuk ka shumë rëndësi çfarë vlerash ke si individ, sa di dhe çfarë mund t’i ofrosh nga vetja shoqërisë, por se sa pamje të bukur ke!
Nga Blerina Serjani, Juriste
Mua më pëlqen e bukura, të gjithëve na pëlqen dhe kemi qasje të ndryshme rreth së bukurës dhe estetikes, mirëpo kjo nuk duhet të shndërrohet në qëllim në vetvete. Me kujtohet kur i shikoja me dyshim mollët me krimba në vogëli, por nëna përherë përpiqej të më bindte se ato ishin më të shëndetshme, pavarësisht pamjes së tyre. Sot përpiqem t’i shoh gjërat me sytë e arsyes pa harruar dhe sytë e shpirtit.
Pyetja që më së shumti e shqetëson vetëdijen time është se,nëse njerëzit nuk do të ishin të aftë të shihnin botën me “sytë e ballit”,vallë si do të reagonin ata? Nëse verbëria do të përhapej si virus i pashpjegueshëm shkencërisht, çfarë do të ndodhte me të prekurit prej saj? Po me botën përreth? Supozojmë se përveç hallit të përbashkët midis këtyre njerëzve lindnin miqësi të reja, tek të cilave interesi nuk pi më ujë dhe se çdo fjalë e shkëmbyer, çdo përjetim i ndjerë së bashku saldon marrëdhënie të forta. Ku njerëzit dëgjojnë atë që nuk thuhet, ku heshtja për disa çaste bëhet emërues i përbashkët dhe ajo që mbetet është solidariteti.
Dikur kur punoja si juriste pranë një shoqate e cila promovonte të Drejtat e Njeriut, e ftuar si pjesëmarrëse në një takim me personat me aftësi të kufizuar, më bëri përshtypje që të gjithë pothuajse kishin një shqetësim, përjashtimin. Shoqëria jonë e verbuar nga botoksi dhe mania pas gjërave të luksit dhe paraqitjes së jashtme, ka humbur sensin e vërtetë të arsyes, sensin e dashurisë e të pranimit. Ata njerëz ishin aq të vërtetë, kaq të dashur dhe të emocionin me njohuritë e tyre, por këto nuk mjaftonin. Përtej atyre syzeve të errëta që ata mbanin, shihja një mal me dhimbje, e megjithatë pas buzëqeshjeve të tyre unë lexoja dashurinë e paepur për jetën.
Ndonëse nuk arrinin të shihnin fytyrën e bashkëbiseduesit, e ndjenin atë nëpërmjet energjisë që përçonte dhe duke buzëqeshur njëri prej tyre më tha: “Ti duhet të jesh një vajzë e bukur”. Unë në atë moment buzëqesha dhe sigurisht që ia mohova, por ai ma ktheu: “Unë shoh me sytë e shpirtit, mos të të duket çudi”. Duke dalë nga salla me sy të përlotur kuptova që të arrish të shikosh vërtetë jetën me të gjitha ngjyrat e saj, kërkon një aftësi të veçantë dhe se ne njerëzit e tjerë që jemi bekuar me “sytë e ballit”, në të vërtetë jemi të verbër ndaj shumë fenomeneve dhe shumë herë nuk arrijmë të shikojmë qartë. Kemi gjithçka e përsëri na duket sikur nuk kemi asgjë.
Ecim, jetojmë në mënyrë të shkujdesur ditët e jetës sonë, a thua se kemi njëqind jetë pas kësaj. I ngrysim ditët tona me turinjtë varur pa qenë mirënjohës për atë që përjetuam gjatë ditës, pa falënderuar që pamë një vend të bukur, që shijuam një ushqim të servirur bukur, që kemi mundësi t’i shohim familjarët tanë dhe të shohim ata që dashurojmë. Duhet të zgjohemi sa më parë nga kjo agoni dhe të përpiqemi të shohim me sytë e shpirtit, me sytë e arsyes dhe me “sytë e ballit”!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.