Në datën 28 janar është zhvilluar procesi i votimit për Urdhrin e Psikologut, proces i shumëpërfolur dhe i mediatizuar. Pa dyshim për çdo specialist të fushës, sikurse për të gjithë shtresat e popullsisë, përbën rëndësi që ky profesion të bëjë pjesë më në fund te profesionet e rregulluara me ligj; çfarë do të thotë kryesisht që minimizohet (akoma më mirë zhduket) fenomeni i sharlatanëve të punësuar apo të vetëpunësuar që ushtrojnë me të drejtën e gjetur, ngado nëpër institucione e më gjerë, një profesion për të cilin nuk gëzojnë kompetenca të plota, me raste edhe fare.
Rëndësia e këtij profesionisti, në çdo shoqëri është vendimtare, sidomos në tonën. Secili nga ne do të përballet me kontakt me psikologun diku, dhe ndryshe nga ç’mund të mendohet, aspak në raste nevoje ekstreme, patologjie mendore apo rastësie fatale. Mjafton të mendojmë vetëm për psikologun e shkollave (vendimtar në zhvillimin e fëmijëve dhe adoleshentëve), psikologun e gjykatave, që deri diku përcakton të ardhmen e një fëmije të mirëkujdesur dhe të rritur shëndetshëm ose jo në mjedisin familjar të përzgjedhur, psikologët socialë dhe të punës jashtëzakonisht të nevojshëm për të pastruar zyrat e burimeve njerëzore anembanë vendit nga jo të kualifikuarit e posaçëm, të cilët sjellin dëme fatale, për analiza, vlerësime dhe studime të mirëfillta që duhet të shpien drejt reflektimit dhe përmirësimit; pa anashkaluar klinicistin, për të cilin ende mendohet që “tek ai mos të çoftë Zoti”.
E pra, të gjithë duhet të mendojmë që ky profesionist, jo vetëm herët a vonë do na duhet të gjithëve, por ndonëse jo gjithnjë i dukshëm i shoqëron jetët tona në mënyrë konstante, prandaj është tepër e rëndësishme të jetë profesionist.
Por sa janë në fakt shanset që të jetë në të vërtetë kështu? A ka profesionistë të mirëfilltë psikologë sot Shqipëria? Pikërisht këtu desha të ndalem, se të gjitha dinamikat e këtij procesi më kanë nxitur të mendoj dhe të shqetësohem vetëm ose kryesisht për këtë gjë. Sigurisht që ka me dhjetëra të tillë të mirëkualifikuar brenda dhe jashtë vendit dhe me eksperienca të gjata punësimi, por a mjafton kjo për ta pajisur psikologun me kartën e identitetit të profesionistit?
Gjithë zhurma, buja, jehona e procesit të ngritjes e zhvillimit të Urdhrit, për mua është një tregues i mjaftueshëm që ne të reflektojmë thellë mbi këtë. Nuk dua të merrem me fakte (të cilat jo vetëm nuk i di, po as kam mundur t’i mësoj me gjithë përpjekjen, interesimin dhe hulumtimin: politizimi i procesit, parregullsitë, klanet e krijuara, interesat me ose pa ideal brenda etj.) Kam arritur në konkluzionin që këto të vërteta nuk i di njeri, as vetë drejtpërdrejt të interesuarit, as kandidatët e fituar apo të munguar.
Më intereson më tepër psikologjia e vetë psikologut të marrë qoftë individualisht, qoftë në grup. Qenka shumë e vështirë të tentosh të vlerësosh/zhvlerësosh një kontingjent ku vetëpërfshihesh. Psikologët aktualë janë të dominuar nga nevoja për mbrojtje të pashëndetshme narcistike! Jam e bindur që e gjithë zallamahia e kë- tyre muajve të fundit nuk ka të bëjë as vetëm me idealet a tyre që kanë luftuar me një minimum dinjiteti profesional, as vetëm me ambiciet arriviste të atyre që kanë synuar një çmim pragmatist (ekzistenca e të cilit mbetet gjithsesi e dyshimtë), as të atyre që kanë zgjedhur të qëndrojnë larg “përlyerjes” në plan të parë, por që nuk janë vetëshpëtuar dot nga të llafosurit natë-ditë për çfarë po ndodh sikurse dhe fryrjeve patetike të disinformimit. Individë me karakteristika e prirje të tilla ka plot dhe mes mjekëve, juristëve, punonjësve socialë e megjithatë nuk jemi shurdhuar nga grirje e përfolje të tilla në rastin e urdhrave të tyre. Jam e bindur që kjo nuk varet as nga fakti që ky Urdhër u krijua për herë të parë pas vitesh përpjekje. Jo. Nuk është vetëm kaq. Të gjitha këto kategori psikologësh duket të kenë sot një element të përbashkët, pavarësisht diferencave në përgatitje e më gjerë. Ajo duket të jetë prirja për të ngritur zërin, dhe jo gjithmonë me funksion produktiv. Javë më parë dëgjova një funksionar të lartë shteti të thotë publikisht në TV: “Pupu çfarë komuniteti janë psikologët te ne, ta dini…”. Shumë përpëlitje më shkaktoi kjo frazë. Ndoshta sepse e ndjeva deri në kockë vërtetësinë e saj.
Mendoj se psikologu shqiptar kërkon sot në të tilla procese, kryesisht në mënyrë të pavetëdijshme, një rëndësi të munguar të vetvetes. Pse ndodh kështu? Një arsye që arrij të evidentoj është anashkalimi dhe shpeshherë poshtërimi nëpër qendrat e punës, sidomos ato shtetërore. Dëgjohet shpesh të flitet për mungesë të sensibilizimit të shoqërisë ndaj figurës së këtij profesionisti, por ndryshe nga çfarë mendohet shoqëria jashtë mureve të vendimmarrjeve ka kohë që ka filluar ta ndiejë nevojën dhe ta dojë pranë kontributin e tij.
Çfarë aktualisht ndodh nëpër institucione është o anashkalimi total me indiferentizëm, ose ngarkesa me detyra të tjera krejtësisht jashtë funksionit profesional. Si rrjedhim në këto vende vegjetojnë psikologë apatikë dhe të pamotivuar, kontributi dhe motivimi i të cilëve nuk i intereson askujt, ose në raste të rralla për fasadë e standarde të detyrueshme. Përveçse detyrohen të përballen me rëndësinë e profesionistit që ia kalon, p.sh. Psikologu i shkollës nuk merr kurrë të njëjtën rëndësi të prestigjit intelektual që i takon në raport me mësuesin, psikologu i gjykatës nuk merr kurrë të njëjtën rëndësi me juristin, psikologu në spital nuk merr kurrë të njëjtën rëndësi me mjekun. Gjë që po ta vësh re në realitet përkthehet në shumë qesharake; pasi supozohet që psikologu nga vetë fusha të gëzojë një horizont intelektual më multidimensional në raport me profesionistët që sipërpërmendëm, që në rastin më të mirë zotërojnë më së miri vetëm specifikat e fush- ës së tyre. Të mos harrojmë që ndër të tjera, këtij psikologu i takon të analizojë dhe psikologjinë e mësuesit, juristit apo mjekut.
Shpëtimi i menduar mbetet të ndryshojmë shtet ose të ndryshojmë profesion. E pra, e tillë situatë prodhon mungesë të ndjesisë së vetefikasitetit, dobishmërisë, vlefshmërisë që të gjitha lëndojnë egon, ngjallin instinkte vetëmbrojtjeje në mënyra të shëmtuara. Epidemia më e pashëndetshme e Narcizmit të këtij lloji është anembanë e përhapur në fakt në shoqëri, por imagjino sa tragjike tingëllon kur kjo prek dhe lë të pandërgjegjësuar vetë psikologun!
Ke ndonjë shans tek-tuk të shpëtosh ose duke u marrë pak me akademi, o me ndonjë shfaqje në TV, e në rastin konkret duke “u kapur për flokësh” për çfarë do ndodhë me Urdhrin. Shumë e thjeshtë. Me Urdhrin do ndodhë që do “të urdhërohesh”. Kushdo ti qofsh e sado aftësi të jesh munduar të kultivosh. Ty nuk të lë vetja, fillimisht. Më saktë pjesa e dëmtuar e vetes nga ajo e jashtme që të ka përçmuar, vazhdon të të përçmojë dhe sot të nxjerr para mediave që të krenohet me një profesionist si ty e me faktin që po të rregullon të drejtat profesionale. Pa dashur këtu të errësoj rëndësinë e padiskutueshme të Urdhrit që mirë a keq, shyqyr që u ngrit; frika ime më e madhe është që do të vazhdojmë të jemi profesionistë fatkeq, por tashmë fatkeq ende “të urdhëruar”. Jo për gjë, po të paktën rronim me justifikimin që disa faje për padrejtësi profesionale na i kishte mungesa e Urdhrit.
Tani nëse e kemi marrë vërtet vetë në dorë siç propagandohet, të kujdesemi mos të vetëturpërohemi, kësaj radhe me “legjimitet” të plotë. Kam një pyetje për ty dhe për veten, i dashur psikolog i këtyre viteve në Shqipëri. Si ndihesh?
Botuar në Gazeta PANORAMA, 31 JANAR 2017
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.