Të gjithë e dimë se për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme duhet të kemi gjithashtu një komunikim të shëndetshëm
Komunikimi është çelësi i suksesit të një marrëdhënie. Por si mund të arrijmë këtë? Patjetër që ka mënyra të shumta për të pasur një lidhje të fortë, por kryesorja është që partneri të jetë dhe miku yt më i mirë. Kjo arrihet nëpërmjet një elementi të rëndësishëm i cili është mirëkuptimi.
Dr.Bernstein (psikolog) beson se “niveli i mirëkuptimit midis dy njerëzve është më i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e një marrëdhënieje sesa dashurisë”, prandaj themi se dashuria nuk është e mjaftueshme pa mirëkuptim. Një avantazh tjetër është dhe besimi i krijuar mes dy partnerëve. Kjo i bën ata që të jenë më të qetë dhe më pak në siklet për të kërkuar kënaqësi, të cilat pa besim s’kishin mundur t’i kërkonin.
Faza tjetër e rëndësishme është ajo kur të dy partnerët nisin të mendojnë jo vetëm për nevojat e tyre, por dhe për nevojat e personit që kanë përkrah. Pikërisht këtu fillon dhe përkrahja mes njëri-tjetrit. Kur flasim për përkrahje kemi parasysh atë shpirtërore dhe fizike. Përkrahja shpirtërore e bën lidhjen shumë më të ngushtë pasi partnerët mendojnë reciprokisht për njëri-tjetrin dhe në këtë moment kanë hedhur poshtë ‘egon’ e cila nuk ka vend në një marrëdhënie, pasi në fund të fundit marrëdhënia është një partneritet.
Nëse do të flasim për përkrahjen fizike do të kuptonim ndihmën që parterët i japin njëri-tjetrit. Nëse çdo punë dhe çdo nevojë të tyren do e nisnin dhe përfundonin së bashku do ishte ideale. Le të themi se çdo fundvit festat janë po aq të bukura dhe po aq të lodhshme për femrat, pasi çdo organizim bie mbi shpatullat e tyre, por nëse këtë lodhje do e ndanin së bashku, përveçse do e bënin me kënaqësi, por dhe do e shijonin më shumë.
Në fund, ndjeshmëria është me të vërtetë lidhja emocionale që mban të gjitha marrëdhëniet e ngushta së bashku. Empatia na lejon të ngadalësojmë dhe të përpiqemi të ecim në rrugën që duam. Jo të gjitha marrëdhëniet kanë për qëllim të jenë lidhje afatgjatë. Megjithatë, të gjitha marrëdhëniet që kanë për qëllim të lulëzojnë në një mënyrë të shëndoshë, duhet të theksojnë të kuptuarit po aq sa edhe dashuria.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.