Në fokus

January 23, 2020 | 8:14

Nga Brunilda Laboviti / Sytë, rëndësia e gjuhës së trupit

Pavarësisht se e ardhmja është gjithnjë e panjohur, ka shumë mënyra sesi një çift mund të sigurojë lumturinë e tij në çdo ditë të së nesërmes.

Dr. Brunilda LABOVITI,  Psikologe

Dr. Brunilda LABOVITI,
Psikologe

Jo çdo fjalë apo çdo ndjenjë mund të përcillet nëpërmjet fjalëve apo gjesteve. Çdokush e ka provuar njëherë të vetme ndjesinë e marrjes së frymës, rrahjeve të shpeshta të zemrës, bllokimit të fjalëve, ama kurrë nuk mund të fshehim atë çka flasin sytë tanë. Kontakti me sy është një stimulues i fuqishëm i dashurisë dhe i dashamirësisë. Ai është një nga mënyrat më të lehta dhe më të fuqishme për ta bërë një person të ndjehet i njohur, i kuptuar dhe i vlefshëm. Akti i thjeshtë për të mbajtur shikimin e dikujt, ka fuqinë për të ndezur ose për të thelluar një marrëdhënie.

Shikimi drejt në sy është një gur themeli i komunikimit joverbal ndërmjet individëve, gjithashtu cilësohet si një nga pikat më të forta të marrëdhënies në çift. Nëse do të flasim për rëndësinë që luan ky kontakt me partnerin, vlen të theksohet se është shumë i rëndësishëm gjatë bisedës. Përveçse tregon interesin që ke ndaj bisedës, fal besim dhe mbështetje, çelësi për të treguar një buzëqeshje të rreme nga një e vërtetë është në sy. Gjithashtu, kontakti i syve është një nga mënyrat më të lehta për t’i treguar personit përballë, që e vëreni ekzistencën e tij dhe e konsideroni si një njeri të vlefshëm. Kur ju shikoni partnerin direkt në sy, trupi i tij prodhon kimikë, të quajtur feniletilamine, e cila mund ta bëjë personin të ndihet në dashuri.

Pra, çdo partner do e kuptonte fare lehtë se çka ju doni të thoni apo ndjeni, vetëm duke ju parë. Në psikologji cilësohet se, shikimi i drejtpërdrejtë ka fuqinë të theksojë përvojën kur informacioni i pranishëm në situatë është ngushtësisht i lidhur me personin. Besohet se informacioni vetëreferues del në sipërfaqe i nxitur nga shikimi. Përgjithësisht, kontakti me sy mund të nxisë kujtesën dhe të ketë efekte prosociale e stimuluese. Për aq kohë sa është i dëshirueshëm edhe nga personi i parë. Gjithashtu ndihmon në zbulimin e gjendjes tonë emotive. Është e pamundur ta fshehim lumturinë apo trishtimin në sytë tanë, është e pamundur që “Po-në” ta kthejmë në “Jo” dhe anasjelltas, pasi ajo deshifrohet në shikimin tonë, dhe ndonjëherë s’ka nevojë për fjalë.

Leonardo Da Vinçi i përkufizonte sytë si “Pasqyra e Shpirtit”. Nëse kritikët e artit ende përpiqen të deshifrojnë kuptimin e vërtetë që fshihet pas shikimit enigmatik të Xhakondës, ne, në jetën e përditshme kemi fatin të mund të deshifrojmë me lehtësinë më të madhe shikimin e bashkëbiseduesit apo partnerit tonë. Kontakti i syrit është një aftësi jashtëzakonisht e fuqishme që krijon lidhje më të mira, i mban njerëzit të ndershëm dhe në përgjithësi pasuron marrëdhëniet si në çift ashtu dhe sociale. Mungesa e tij mund të pengojë komunikimin, përveçse na privon nga një mjet që na lejon të konstatojmë sinqeritetin e folësit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 145

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top