Mirëqenie

December 17, 2018 | 8:10

Nga Dalina Shehu, dedikuar vetes: Bëje qenien tënde me vlera, kurrë mos u dorëzo!

Nga Dalina Shehu, Bachelor Psikologji

Nga Dalina Shehu, Bachelor Psikologji

Kush jam Unë?! Akoma në dilemë, akoma dhe tani në krizën time të identitetit. E ngecur në këtë fazë nga e cila ndjej që s’po e kapërcej dot me sukses. A është vallë kjo gjë e shëndetshme? Apo mos vallë tek unë ka filluar të hedhë rrënjë ndonjë çrregullim që s’po e diagnostikoj dot?!

Konflikt, konfuzion, dilemë dhe çdo herë e më shumë e zhytur në introspeksion, vallë mendja ime çfarë aludon? Pikëpyetje pa fund, udhëkryq, një lëmsh, një miks, një vorbull pa kuptim, thjesht diçka që s’po i gjej dot identifikim.

Unë dhe vetja, unë dhe mendja, unë dhe psikika ime, vetëm këto dy dualitete përballë njëra- tjetrës.

Id-Ego-SuperEgo, akoma të paqarta, akoma të painstaluara aty ku duhet, aty ku të qenit normal fillon. Pakuptimësi, gjithçka e errët, asnjë dritë, asnjë shpresë, vetëm errësirë dhe heshtje, vetëm vetmi.

1Nevoja për katarsis është imediate, por jo, nuk është nevojë e imja, por e vetes dhe mendjes time. Kam nevojë të shpreh, të shpreh atë që ndjej, atë që mendoj, atë që supozoj, atë që më shqetëson, atë që asnjë, asnjëherë s’e kupton. Vallë a mundet heshtja ime të zëvendësojë fjalën? Vallë a mundet një qenie humane me mish e shpirt, me ndjenja dhe mendime të kuptojë atë ç’ka dua të them? Di vetëm diçka: kam ngecur, s’e di ku, s’e di kur, por di që kam ngecur dhe asnjë forcë, asnjë motiv për të dalë nga kjo gjetje kaotike.

Refuzoj të flas, ndoshta tanimë nuk është as dikush të më kuptojë, thjesht dua një harmoni midis meje-vetes-mendjes.

Refuzoj të shpreh mendimin dhe ndjenjën, emocionin dhe përjetimin për mua. Fjala zerohet përballë heshtjes. Dua vetëm një vështrim në pasqyrën e shpirtit që ka çdo individ: fokus tek sytë, vetëm aty dhe vetëm në këtë mënyrë  ndoshta… dikush do të kuptojë diçka, ose ndoshta asgjë, ose ndoshta gjithçka. Tani kam vetëm një nevojë të shkruaj, ndoshta gjer në pafundësi, ndoshta gjersa çdo mendim i mendjes time të shprehet në letër, e ndoshta vetëm kështu në ndonjë fjalë apo ndoshta dhe në një germë dikush do të kuptojë diçka. Përpara të tjerëve, përballë atyre që nuk marrin as mundimin të më kuptojnë, nuk dua të shpalos asgjë nga kjo botë e brendshme, nga kjo turbulencë ndjenjash dhe mendimesh, ju jap vetëm diçka: heshtjen time.

Dhe sërish heshtje së jashtmi, një stuhi e paqartë së brendshmi. E kotë, gjithçka duket e kotë, kur as ti veten s’e kupton.

O mendje!!! Pusho të paktën një herë të vetme, kaq të kërkoj, mundohu të mos lejosh asgjë prej gjëje të të sjellë kaq shumë dilema e konfuzion. Bëje veten tënde, bëje qenien tënde me vlera ashtu siç t’i je, mos u mërzit më, mos u trishto më, mos u acaro më, mos u frusto më! Thuaj VETES një MOS për çdo ndjesi negative. Fundja çfarë po fiton?!

Përkundrazi, po përballesh me humbje e ndoshta me humbjen më të madhe: humbjen e VETVETES. Të lutem më dëgjo të paktën vetëm këtë herë, dhe ti e di që kam të drejtë. Vendosi një buzëqeshje fytyrës tënde, bëhu optimiste, merr më të mirën dhe esencën e jetës, përballu me gjithçka ballë përballë, me guxim dhe me besim. Mos u dorëzo, fillo të duash veten, ngulite o mendje se askush nuk është më e mirë se ti, prano gjithçka tënden, fundja dihet, askush nuk është perfekt, dhe kurrën e kurrës mos thuaj: Jo nuk mundem, jo nuk do ia dal dot, gjithçka është në dorën tënde. Ti do t’ia dalësh.

Mos lejo asgjë dhe asnjë të të prish harmoninë që ti duhet të kesh me veten.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top