Në fokus

June 5, 2019 | 9:53

Nga Dea Ndreu: Stresi post-traumatik tek ushtarët, risku, përfshirja në aktivitete kriminale

 

Ky fenomen shtrihet në kohë dhe në vende të ndryshme, ndonëse efektet e traumës së luftës dhe vështirësitë për ri-integrim u studiuan për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore.

Dea Ndreu, psikologe këshillimi

Dea Ndreu, psikologe këshillimi

Sëmundja psikologjike më e përhapur për ushtarakët është PTSD (post traumatic stress disorder), por kjo nuk do të thotë që përjashtohen të tjera si: bipolariteti, episode madhore depresioni dhe deri tek më të rëndat si: halucionacione dhe depresion.

Një nga pasojat më të njohura të misioneve luftarake, madje dhe të stërvitjeve ushtarake, mbi ushtarakët, është stresi post-traumatik. Kërkimet mbështesin teorinë se, stresi post-traumatik kontribuon në rritjen e dhunës, rrjedhimisht, duke i bërë ushtarakët më të prirur për t’u angazhuar në aktivitete të dhunshme, qofshin ato në shtëpi, në komunitete apo dhe jashtë shtetit. Për më tepër, disa nga studimet më të fundit evidentojnë një lidhje të qartë mes simptomave të stresit post-traumatik dhe vetëvrasjeve.

Vietnam US Troops 1965Nga një studim i kryer në vitin 2007 nga mjekë klinikë, u zbulua se veteranët e prekur nga stresi post-traumatik kanë probabilitet 7-8 herë më të lartë për të kryer vetëvrasje. Po ashtu, studimet kanë dëshmuar se niveli i stresit post-traumatik ka qenë më i lartë tek veteranët e luftës së Irakut dhe Afganistanit sesa tek ata të konflikteve të mëparshme që nga Lufta e Dytë Botërore, me 25% të veteranëve të prekur.

Prandaj, veteranët e luftërave moderne kanë probabilitet më të lartë për t’u prekur nga stresi post-traumatik.

Kërkimet të tjera kanë zbuluar se “agresiviteti që rrjedh prej stresit post-traumatik është më i lartë tek personat me përvojë luftarake” dhe se “veteranët me stres post-traumatik përdorin agresivitetin si përgjigje ndaj stimulimeve sociale më shumë se personat të cilët nuk kanë stres post-traumatik.”

Në këtë drejtim, në Shqipëri nuk është zhvilluar asnjë kërkim klinik. Fakti se ushtarakët shqiptarë kanë përjetuar të njëjtat trauma lufte nënkupton se (1) janë më të rrezikuar nga stresi post-traumatik sesa qytetarë të thjeshtë dhe se (2) janë më të rrezikuar të angazhohen në sjellje të dhunshme në të ardhmen. Edhe pse këto janë përfundime të përgjithshme, që mund të aplikohen për të gjithë veteranët e luftës, analizimi i kontekstit të veçantë shqiptar do të jetë me rëndësi për të kuptuar spektrin e plotë të shkaqeve që mund t’i shtyjnë ushtarakët shqiptarë të përfshihen në veprimtari kriminale dhe ekstremiste.

2Në 1 tetor 2012, Ministria e Mbrojtjes Shqiptare nxori udhëzimin Nr. 10, “Për Hartimin e Politikave të Personelit të Sektorit Psiko-Social dhe Shanseve të Barabarta në FA”, në të cilin përcaktohen qëllimi, përgjegjësitë dhe rëndësia e Sektorit Psiko-Social. Tetë muaj pas krijimit të këtij sektori, në maj 2013, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Shqipërisë, nxori Urdhrin Nr. 3970, datë 05.04.2013, “Për Procedurat e Vlerësimit Psikologjik të Personelit të FA”, duke listuar një sërë detyrash për t’u zbatuar nga njësi të ndryshme brenda FA, dhe me qëllim mbështetjen e nismës për të mundësuar shërbime psikologjike për ushtarakët.

Rëndësia e këtij dokumenti qëndron në faktin se për herë të parë rregullohej aktiviteti i Sektorit Psiko-Social duke e formalizuar atë përmes krijimit të procedurave standarde të veprimit për punën në vijim.

Në tetor 2014 ky sektor u mbyll.

Rrjedhimisht, mangësia e parë institucionale vjen nga mosvlerësimi dhe mosanalizimi i plotë i problemit. Ashtu siç mund të pritet, kjo qasje nuk është mënyra më efektive për të siguruar zgjidhje të aplikueshme. Për shembull, në një intervistë në korrik 2017 për një agjenci lokale lajmesh, Ministrja e Mbrojtjes u shpreh se “ky është një problem i ngjashëm për të gjitha ushtritë” dhe se “e gjithë shoqëria duhet të çohet dhe t’i mbështesë këta njerëz”.

Ndonëse kjo është e vërtetë, është po aq e rëndësishme që institucioni të përballet me problemin për të arritur rezultate sa më efektive. Këto gjetje mbështeten dhe nga ekspertë të fushës, ku sipas psikologut ushtarak Daniel David, “mbi 40% e ushtarakëve të diagnostikuar me stres post-traumatik përfshihen në aktivitete kriminale”.

Është e vetëkuptueshme që ky nivel risku mund të ketë ndikim të madh social. Në televizione janë dhënë disa herë lajme të tipit si ish-ushtarakë kanë shfaqur shenja dhune ndaj familjarëve ose shoqërisë, e cilat disa herë ka përfunduar në vrasje dhe si pasojë, burgimin e tyre.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top