Fëmijët kanë një aftësi për të mësuar dhe për t’u modifikuar. Roli jonë është vetëm që t’i mbështesim të jenë vetvetja, vetëm kështu do të mund të rriten në mirëqenien për të pranuar tjetrin në lirinë e tij të të qenit ai që është.
Shpesh më pyesin prindërit se çfarë duhet të bëj me fëmijën tim që është shumë i ndrojtur, si t’ia bëj të jetë më aktiv, më i gjallë. Ndonjëherë guxojnë në pafajësinë e tyre që ta krahasojnë edhe me shokun e ngushtë ose me të vëllain apo motrën. Ata mendojnë se motra apo vëllai i tyre nuk kanë turp fare dhe duket sikur ambientohen më mirë në shoqëri. Periudha e parashkollorit dhe shollës bëhet shkak për të ardhur te një profesionist dhe t’i komunikojnë këto shqetësime.
Për prindërit, marrëdhënia krahasuese me shoqërinë është e rëndësishme. Ndoshta sepse njeriu është një qenie sociale, dhe duke bashkëjetuar me këtë realitet, presioni social bëhet ndonjëherë shumë i madh për të injoruar sinjalet: një mësuese që thotë se fëmija nuk flet shumë, e ka të vështirë të hapet me shokët, nuk merr shumë iniciativa si shokët e tjerë pasi i duhet pak kohë. Prindërit e tjerë të shokëve të përbashkët, insistojnë që fëmija të përshëndesë tetën që ka pak sekonda që i ka folur, mami ndërkohë përsërit atë që i thotë “teta” ose atë që mendon se duhet të thotë në ato momente.
Shoku i babit e këshillon fëmijën që t’ia kthej ose t’i gjuaj fëmijës që po e ngacmon në park se ai nuk është një qullac, është çun. Babi e mbështet për sy e faqe edhe pse po i vjen keq ose inat qe djali nuk është aq i “hedhur” sa të përballet me shokët. Të gjithë duket se ndjehen në vështirësi se si ndjehet djali, apo vajza e tyre përballë kësaj ndrojtje, por askush nuk bën pyetjen brenda tyre nëse ky është një vendim apo një gjendje e qenies. Kjo gjendje është temperamenti i vet fëmijës i cili në pjesën më të madhe të tij është i lidhur.
Gjatë rrugëtimit të jetës me tërë figura socializuese, ai modifikohet, merr përmasa dhe ngjyrime të ndryshme, por në thelb mbetet i njëjti. Pra, një fëmijë ekspresiv, karizmatik, i hedhur siç themi ne, mbetet një fëmijë i këtillë. Dhe një fëmijë i ndrojtur, mbetet i këtillë, vetëm në rastet kur ne ngatërrojmë ndrojtjen me indiferencën, apo izolimin ose simptoma të ngjashme, që janë pjesë e ndonjë çrregullimi zhvillimi apo mendor. Nuk besoj se ky është rasti për të cilin po flasim. Rasti që po flasim, janë fëmijët që penalizohen më shumë se janë ata që janë.
Prindërit vijnë të shqetësuar se duan “suksesin” e fëmijës së tyre ndaj këtij presioni social, pa i dhënë një shans fëmijës për të qenë “i suksesshëm” në natyrën që tashmë ka. Motivimi, pranimi, inkurajimi, të ndjerit komod mbi “veshjen” e natyrës së tij, e bën fëmijën të ndjehet më i vetëkënaqur. I keni vënë re fëmijët që nuk arrijnë të flasin shumë përballë të panjohurve, por kur ata e bëjnë, mos harroni t’i përgëzoni.
Mos e bëni në publik se ndrojtja mund të jetë kaq e madhe sa vet shpërblimi në publik kthehet në ndëshkim. I keni vënë re disa fëmijë madje fillojnë edhe qajnë, pasi rritja emocionale është e madhe. Thjesht lavdërojeni në vesh, me zë të ulët ose më vonë kur të tjerët janë larguar: “hej, u ndjeva mirë që m’i përshëndete shokët sot!” A nuk është një mundësi e mirë për të modifikuar temperamentin e fëmijës pa sforco dhe pa e cënuar në faj për atë që fëmija është? Nëse ne i themi se pse ai nuk i përshëndeti njerëzit apo përse nuk tha asnjë fjalë në ditëlindjen e shokut apo shoqes, etj., atëherë e bëjmë të ndjehet edhe më në vështirësi, dhe përballë tij të vendos një mal të pakapërcyeshëm.
Kthejeni malin në kodër ose në një luginë të këndshme, ku çdo pengesë është e shkrirë me natyrën, dhe ju jeni aty për t’i kujtuar se e doni ashtu siç ai është. Fëmijët kanë një aftësi për të mësuar dhe për t’u modifikuar shumë herë më të shëndetshme se ato që i ofrojmë ne. Roli jonë është vetëm që t’i mbështesim të jenë vetvetja, vetëm kështu do të mund të rriten në mirëqenien për të pranuar tjetrin në lirinë e tij të të qenit ai që është.
Burimi / http://www.portalishkollor.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.