Ka pak kohë që në tregun e lojërave për argetim, qarkullojne këto objekte interesante, që quhen Fidget Spinner! I kam parë në duart e shumë prej fëmijëve, edhe të rriturve madje, dhe qëndrova deri më tani indiferente, pasi edhe në kohën tonë qarkullonin lojëra të ngjashme si p.sh goditja e goglave të lidhura me një spango (për ata të kohes sime, e dinë se për çfarë flas.) Deri këtu nuk u shqetësova shumë, edhe pse në parim nuk jam dakord për këtë lloj argëtimi.
Por, kur një prej kolegeve më thotë se një prindër ka marrë vesh se ndihmon fëmijët me autizem, atëherë e revoltuar më takon të them dy fjalë: loja Fidget Spinner dhe të ngjashme si keto, NUK kanë thuajse asnjë funksion në zhvillimin e fëmijëve, përkundrazi! Ato stimulojnë automatikisht kënaqësi fizike, e cila përkthehet në një sjellje sterotipie, përsëritëse! Pra, sjellja shpërblehet automatikisht nga kjo ritualistike dhe pa kurrëfarë mundimi fëmija e përsërit dhe e përsërit, duke mos marrë asnjë funksion prej saj, përveç kënaqësisë automatike, e cila është shfrytëzuar për qëllime komerciale të pastra!
Unë e shikoj kështu si psikologe e sjelljes. Nëse ju shikoni ndonjë funksion tjetër, ju lutem ma bëni me dije se e kam me shumë merak! Sa për fëmijët me autizëm, ju lutem lërini të qete. Qëllimi i trajtimit të tyre është mbi të gjitha reduktimi i këtyre sjelljeve stereotipe të cilat ç’fokusojnë fëmijën prej të mësuarit aktivitete funksionale që ofrohen rreth tij.
Bota ka kaq shumë mësime për të ofruar, sa ata e humbasin këtë kontakt me tjetrin nëse angazhohen në sjellje si këto. Nga ana tjetër, përkthejeni edhe tek fëmijët neurotipik. A mos ndoshta duhet apo duam t’i mbajmë të zëna shqisat e tyre me këto objekte, plus celulari, plus ipad, plus tv për të na lënë ca rehat nga jeta jonë prindërore, pa dyshim, stresuese? Mësohuni t’i thoni “JO!” dëshires së fëmijes mbi këto lojëra, dhe tregojini se ju nuk mendoni se kjo është një lojë që mund të luani së bashku apo ta ndani edhe me fëmijët e tjerë! Tregojini se e kuptoni që ata e pëlqejnë, por përgjigjia juaj është “JO!”
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.