Posta

October 28, 2019 | 8:10

Nga Denata Toçe / Si ta ndihmoj burrin?

Jam nënë e dy fëmijëve. Bashkëshorti dhe unë prej dy vitesh jemi në krizë. Kjo për shkak të punës dhe ngarkesave të tij të vazhdueshme. Qëndrimet tona kanë ndryshuar që kur për drejtuese në punë i erdhi një femër. Gjithçka ndryshoi sa i takon sjelljes së tij në familje. Është bërë më i prerë, i qortueshëm, u bërtet fëmijëve dhe ka distancë mesh nesh si çift. Jam përpjekur që kësaj krize t’i jap zgjidhje, por arsyetimi i tij është se puna mbi të gjitha në këto kohë krizash. Qëndrimi i tij emocional më dhemb në shpirt pasi ai m’i shkarkon mua të gjitha frustrimet e tij, duke më parë mua si një rrufepritëse ndaj ato që një grua si shefja e vet e kontrollon dhe e përdor atë. Fëmijët e mi e vuajnë këtë situatë. Më thoni si mund ta shpëtoj nga kjo grackë? F.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Shumë e dashur lexuese. Askush përveç burrit tuaj nuk mund të ndihmonte më mirë atë. Kjo që po ju them mund t’ju duket naive dhe e papjekur, por në fakt është e vërteta e situatës në të cilën gjenden individë si bashkëshorti juaj hera-herës. Kjo situatë mund të jetë një grackë e shumë prej mënyrave se si qenia njerëzore gjen sukseset dhe arritjet e saj.

Përgjithësisht burrat janë të predispozuar të preokupohen akoma më shumë se gratë, pasi në të pandërgjegjshmen e tyre kolektive, mbizotëron nevoja për të siguruar, aq më tepër kur kanë përgjegjësinë për të mbajtur familjen. Të kapesh mbas punës kaq fort, mund të jetë një mënyrë edhe për të shmangur përballjen me shumë situata të tjera që njeriu ka në larminë e jetës familjare, por kjo do të duhet të shqyrtohet me kujdes.

Në radhë të parë, ju do të kujdeseni që bashkëshorti juaj të mos ndjehet në faj për këtë që është duke bërë, pasi mirë apo keq në sytë tuaj, është një vendim, një zgjedhje e cila në një moment të jetës do të duhet të bëhet. Ardhja e një personi të këtillë mbi krye nuk do të ketë qenë aspak e lehtë për të, por nuk jeni ju që do të merrni vendim nëse do të duhet të vazhdoj apo jo.

Kjo është një çështje që do të duhet të zgjidhet nga vetë personi. Ju mund të tregoheni të kujdesshëm dhe të ofroni mënyra apo momente komunikimi asertivë, bashkëpunues, bashkëveprues dhe aspak gjykues. Ju tregoni se jeni në merak për burrin tuaj, fillojeni komunikimin me atë në këtë mënyrë.

Tregojini se e kuptoni situatën që ai po kalon dhe se ndjeheni keq ndërsa e shikoni që mundohet kaq shumë. Jepini besim se do t’ia dalë mbanë dhe se jeni me atë në çfarëdolloj vendimi të ndërmarrë. Nëse kjo është e rëndësishme për të, është e rëndësishme edhe për ju. Më pas ju mund t’i riflisni sërish për atë që vëreni, lodhjen, kohën që i merr puna e tij, mbi të gjitha duke humbur kujdesin për veten dhe pastaj për familjen që është ne merak për të.

Por sërish rikujtoheni se ju do t’i qëndroni në krah dhe se keni besim në vendimet që ai merr. Tregojini hera-herës në këtë retorikë se si ju ndjeheni, duke mos kaluar shumë kohë me atë dhe se si gjendja e tij e humorit po ndikon thellësisht te ju edhe pse ju e mbështesni në pasionet dhe punën që ai bën.

Format e komunikimit janë të rëndësishme në familje, jo vetëm nga mundësia për ta bërë, por mbi të gjitha dhe si e bën, përmbajtja e saj. Është e thjeshtë të thuash “të fundit në fillim” me partnerit tuaj, por mbi të gjitha nuk mendoj se ai i nënshtrohet këtij mundimi nga qejfi, por me siguri që është i përfshirë dhe më shumë se kurrë do të dëshironte që njerëzit e dashur fillimisht ta kuptonin dhe më pas të shqyrtonin mundësi të tjera.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top