Në fokus

August 5, 2019 | 8:27

Nga Denisa Daka: Fëmijë të pamotivuar, pakkush nga mësuesit a drejtuesit përpiqen të nxisin dëshirat e tyre

Pedagogjia e mirëfilltë nxit vetëbesimin te fëmija!

Të nxënit në shkolla po neglizhohet dita-ditës. Edukimi i mirëfilltë gjithashtu, mësimi shabllon dhe jashtë formatit i një pedagogjie të mirëfilltë, nuk po prodhon më njerëz paskësaj.

Denisa Daka, avokate

Denisa Daka, avokate

Kreativiteti dhe dëshira e secilit prej nxënësve për të shfaqur veten, talentet, prirjet a dëshirat e tyre, nuk përbën prioritet nga mësuesit pothuaj në asnjë rast, ndërsa përpos orëve shabllon të mësimit, pakkush nga mësuesit a drejtuesit përpiqet të nxisë dëshirën apo bindjen që, dija është rruga e vetme për të bërë përpara.

Prej kaq vitesh, një tryezë prindër-nxënës e mësues, me specialistë të fushës, shtetarë a pushtetarë në të, nuk u bë kurrë e mundur. Së bashku me mërzinë a apatinë për ç’ka mungon në ato ambiente shkollore, fëmijët sjellin ditë pas dite në shtëpi, njoftime për pagesa që duhen kryer nga ana jonë, (furgoni, ushqimi, libra), por asnjë të vetëm për tryeza të përbashkëta, evidentimin e prirjeve a talenteve të secilit prej tyre nga ana e mësuesve a drejtuesve apo dhe thirrje për diskutimin e përbashkët të aksh problemi aty.

E keqardhja më e madhe imja është që fëmijët nuk njohin veten, shokët, por dhe mësuesit e tyre, mësuesit në invers gjithashtu.

Në revistën “Reader’s Digest” disa vite më parë, një mësuese matematike, Helen Mrosla, nga Minnesota përcolli një model suksesi.

1Helen ia arriti t’i bënte nxënësit e saj të besonin te vetja vetëm me një veprim. Ajo i kërkoi secilit prej tyre të rendisnin në një copë letër emrat e të gjithë shokëve të klasës e më pas të shkruanin gjënë më të bukur për secilin.

Në fund të mësimit, çdo nxënës mbante në dorë letrën e vet. Në fund mësuesja lexoi të gjitha fletët. Emrin e secilit nxënës e shkroi në një fletë të veçantë dhe bashkoi të gjitha mendimet e bukura që kishin shkruar fëmijët për sho-shoqin, ndërsa të nesërmen i dha çdo nxënësi letrën e vet.

Fëmijët ishin kaq shumë të kënaqur sa klasa gumëzhinte nga komentet: “Me të vërtetë mendojnë shokët kështu për mua?!” “Nuk e dija se ndokush do më pëlqente kaq shumë!”. Ndërsa mësuesja ia kishte arritur qëllimit të saj, nxënësit besonin në vetvete, tek shokët e tyre gjithashtu.

3 vite më pas, një nga këta nxënës, Mark Eklund, u vra në Vietnam.

Funerali u mbajt në Minnesota, ndërsa shumica e shokëve të klasës së Markut bashkë me mësuesen ishin të pranishëm në ceremoninë mortore.

Pas funeralit, të gjithë së bashku u mblodhën në shtëpinë e Markut.

Prindërit e Markut ishin aty duke pritur ngushëllimet, ndërsa babai i tij i tha mësueses: “Duam të të tregojmë diçka” – dhe nxori nga portofoli një copë letër të palosur. “Ia gjetën këtë letër Markut ditën kur u vra. Faleminderit shumë për këtë që keni bërë. Siç mund ta shihni, Marku e ka ruajtur si një thesar të çmuar.”

Mësuesja e përlotur tha: “E njoha letrën menjëherë, është ajo e disa viteve më parë, në të cilën secili nga shokët e Markut, kish renditur gjërat e bukura për të”.

Paskësaj, të gjithë shokët e Markut, të cilët ishin të pranishëm aty, filluan të nxirrnin nga portofolët letrat e tyre. Njëri prej tyre tha se e mbante letrën e tij në tavolinën e punës, ndërsa një tjetër tha se kjo letër ishte në faqen e parë të albumit të fotografive të dasmës së tyre. Pothuajse të gjithë nxënësit kishin ruajtur letrën e tyre.

Të gjithë të përmalluar, kujtuan atë ditë kur nxitimthi kishin shkruar për sho-shoqin gjithshka të bukur mendonin…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top