Në fokus

February 6, 2020 | 9:39

Nga Denisa Daka: Pse gratë e vajzat e dhunuara nuk arrijnë të fuqizohen e të marrin jetën e tyre në dorë!

Në një foto e cila po bën xhiron e rrjetit prej disa ditësh, shihet një çift (në Brazil) teksa përqafohen në dyert e gjykatës. E pas këtij përqafimi fshihet një ngjarje e rëndë, ndërsa historia përsëritet… Bashkëshorti kish tentuar ta vrasë duke e qëlluar pesë herë me pistoletë këtë grua të re, ndërsa para gjykatës bashkëshortja kish vendosur të falë dhunuesin e saj.

Denisa Daka, avokate

Denisa Daka, avokate

Sakaq dhjetëra vajza e gra këtu, ndodhur në të njëjtat kushte, pas dhjetëra episodesh të dhunës ushtruar kundra tyre, duke përjetuar një ndjenjë faji shumë herë, vendosin t’i falin dhunuesit e tyre. Sindroma e Stockholm-it, apo gjendja psikologjike që shoqëron viktimat të shfaqin ndjenja pozitive ndaj dhunuesve të tyre, një formë e depresionit nervor kjo në kushtet e përballimit të dhunës, bën që viktimat të afektohen sërish me dhunuesit e tyre.

Sakaq dhunuesit duke parë që liria e tyre rrezikohet në shumë raste, manipulojnë në të gjitha format e mundshme viktimat e tyre. Jo në pak raste të abuzuarat fajësojnë veten për dhunën e ushtruar karshi tyre, duke gjykuar se janë ato shkaku i sjelljes së dhunshme të partnerit ndaj tyre. Ndërsa shteti i ka lënë në mëshirë të fatit të gjitha bashkë, prej 30 vitesh tashmë.

Politikat e posaçme shtetërore të vendit tonë, për të mbështetur të mbijetuarat e dhunës, nuk janë në axhendën e asnjë prej qeverive.

-Ende nuk ka një plan të posaçëm për integrimin e tyre në shoqëri, duke ndihmuar çdonjërën të fitojë njohuri a të gjejë punë, të fitojë pavarësinë.

-Ende nuk ka një zë të posaçëm në buxhet për të mbështetur këtë kategori, siç ekziston në të gjithë botën.

-Mungojnë programet e suportit psikologjik në situatat para e post-traumatike për çdonjërën.

-Mungon informimi ligjor në mënyrë që çdonjëra të njohë të drejtat që i garanton ligji në çdo rast.

-Ende aktet nënligjore bëjnë të pazbatueshëm ligjin “Për shërbimin ligjor falas” nxjerrë për këtë kategori e jo vetëm kaq.

E dështimi për të ndryshuar këtë realitet që mbizotëron në shoqërinë tonë, nuk është vetëm diskriminim ndaj kësaj kategorie, por regres për gjithë shoqërinë tonë. Secila prej tyre pa dëshirë për të vijuar, asfiksuar nga dëshpërimi e dhimbja, e sheh gati të pamundur të vijojë e vetme udhën e saj, duke parë si mundësi e alternativë të vetme bashkëjetesën me dhunën e dhunuesin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top