Në fokus

September 18, 2017 | 10:21

Nga Denisa Dallnesi: Të edukojmë fëmijët mbi vdekjen

Ne jetojmë në një kulturë e cila mohon vdekjen, ajo nuk ka vend në shoqërinë tonë. Rritemi me mendimin që ajo është diçka larg nesh, dhe mundohemi ta harrojmë atë. Bisedat rreth saj janë tabu, pavarësisht se ajo është pjesë integrale e jetës sonë, pavarësisht se ne dëgjojmë dhe lexojmë në media çdo ditë për të apo e shohim rregullisht në filma. Si për ironi, ne përplasemi çdo ditë me të dhe përsëri themi “Larg nesh”, nuk duam ta besojmë që jeta është një cikël dhe fundi i saj është pikërisht vdekja, ikja nga kjo botë.

 

Nga Denisa Ndrejaj (Dallnesi), Psikologe Klinike

Nga Denisa Ndrejaj (Dallnesi), Psikologe Klinike

Kur ne fillojmë dhe mendojmë mbi vdekshmërinë tonë apo të njerëzve të afërt, fillojmë dhe bëhemi ankthioz dhe depresivë. Kjo shpreh qartazi frikën tonë nga vdekja, e cila është origjina e të gjithave frikërave të tjera. Ajo qëndron në të pandërgjegjshmen tonë, duke u trashëguar brez pas brezi së bashku me tabunë e të mos folurit rreth saj. Mundohemi të mbrohemi, duke adoptuar strategji të ndryshme edhe pse ankthi na ndjek nga pas. Si pasojë e saj, shumë nga ne hezitojnë të flasin mbi vdekjen pasi njohin dhe mbështesin vetëm anën e dhimbjes që ajo shkakton. Për këtë arsye ne prindërit kemi tendencë që të mbrojmë fëmijët së tepërmi, duke vonuar në mënyrë të pashmangshme kohën e takimit me humbjen e një personi të afërt, pasi mendojmë që fëmijët nuk janë akoma gati të kuptojnë konceptin e vdekjes.

1

Pothuajse të gjithë nga ne jemi të bindur për dobinë e të folurit hapur për proceset biologjike që lidhen me jetën, duke i edukuar fëmijët për dashurinë dhe seksualitetin që nga mosha e hershme, por kur është fjala për t’u marrë me momentin përfundimtar e gjejmë veten në vështirësi, duke i lënë ato vetëm në momente kyçe siç është shpjegimi i vdekjes së gjyshes apo i një tjetër pjesëtari të familjes.

Sot fëmijët janë të mbytur me informacione të rëndësishme. Ata takohen vazhdimisht me temën e vdekjes në biseda, këngë, në botën e natyrës, sa herë që një pemë ose kafshë vdes, dhe në jetën reale, në familje dhe miq. Prandaj nuk është pyetja nëse fëmijët duhen të edukohen për vdekjen, por nëse edukimi që ata marrin është i dobishëm dhe i besueshëm. Vërtetë, fëmijët janë të vegjël, por të jesh i vegël nuk do të thotë të jesh budalla apo i paaftë. Ata janë shumë në gjendje ta kuptojnë konceptin e vdekjes nëse i shpjegohet në përshtatshmëri me moshën e tyre. Fëmijët kanë nevojë për respekt, t’u thuhet e vërteta dhe të kemi besim tek ata në mënyrë që të jenë në gjendje të kuptojnë atë që po ndodh rreth tyre dhe të gjejnë siguri për të vazhduar rritjen e tyre.

Vdekja është një fakt i pashmangshëm i jetës. Ne duhet ta pranojmë atë, e njëjta gjë vlen edhe për fëmijët tanë. Duke folur me fëmijët mbi vdekjen, ne do të kuptojmë çfarë dinë dhe nuk dinë ata mbi të. Kështu ne do të kuptojmë konceptet dhe frikërat e tyre dhe do i ndihmojmë me informacionin e nevojshëm, duke i përgatitur për t’u përballur me vdekjen, e cila do i ndihmojë kur të jenë të mërzitur.

Ne mund t’i inkurajojmë fëmijët të flasin, duke treguar interes dhe respekt mbi atë që ata thonë. Ne gjithashtu mund ta lehtësojmë bisedën duke u treguar të hapur, të sinqertë dhe adekuat me ndjenjat tona. Është e rëndësishme të mbahet parasysh që secili fëmijë është unik, ka eksperiencën e jetës unike dhe gjithashtu mënyrën e të shprehurit të ndjenjave. Nuk ka rëndësi se si fëmijët i shprehin ndjenjat, ata kanë nevojë për empati dhe mos gjykim të pyetjeve apo koncepteve të tyre.

Dëgjimi dhe shikimi i kujdesshëm i fëmijëve na ndihmon së tepërmi për t’iu përgjigjur në mënyrë adekuate nevojave të tyre.

Të kuptuarit e vdekjes është një proces që zgjat gjithë jetën, nga fëmijëria në pleqëri. Ka shumë mënyra se si vdekja trajtohet, përpjekja për ta injoruar atë është ajo që ka më shumë gjasa të dështojë.

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top