Këshilla praktike për prindërit:
Nëse bëhet fjalë për mësuesit ose detyrat, ndodh ndonjëherë që gjërat nuk ecin ashtu si duhet. Dhe prindërit nuk dinë se si të sillen. Ja disa këshilla për disa grupmosha:
Parashkollori (3-6 vjeç)
Fëmijë që gjuajnë dhe kafshojnë shokët:
Në këtë moshë, të vegjlit shprehen veçanërisht nëpërmjet gjesteve. Nëse gjuan dhe kafshon shokët, është sigurisht i inatosur, në vështirësi dhe ka nevojë të pranohet. Ka vështirësi të ndërveprojë më të tjerët nëpërmjet gjuhës dhe përdor trupin si instrument komunikimi. Ndaj është thelbësore t’i flisni për t’i shpjeguar se çfarë do të shprehë me sjelljen e tij: “Sillesh kështu sepse i kërkon shokut një lodër dhe ai nuk të jep?, “Çfarë ndjeje në atë moment?” “Çfarë doje të shprehje me atë gjest?” Fëmijët në fakt nuk lindin të dhunshëm. Agresiviteti është gjithmonë sinonim i një komunikimi që nuk arrin të shprehet në një mënyrë tjetër.
Fëmijë që refuzojnë të hanë
Është një nga reagimet më të shpeshta që mund të verifikohet te fëmijët, sidomos në javët e para të kopshtit. Ushqimi ka një kuptim simbolik, është në fakt ushqyes për trupin, por edhe në sferën emotive. Duke refuzuar të ngrënit fëmija manifeston mospranimin e të ushqyerit nga një person i ndryshëm nga pika e zakonshme e referimit (nëna, babai, gjyshja). Ndaj është e rëndësishme t’i shpjegohet fëmijës që nuk e keni regjistruar në kopsht për ta ndëshkuar dhe se nuk është i vetëm në një situatë të tillë, duke theksuar praninë e shokëve dhe edukatores së tij. Shpjegojani që e ngrëna është një moment shoqërizimi, sugjerojini të provojë ushqimet që i pëlqejnë më shumë dhe të mos ketë turp nëse mbetet ushqimi në pjatë. Të gjitha këto janë këshilla që do të na ndihmojnë të mësohet si me ambientin ashtu edhe me shoqërinë. Pak e nga pak do të ndjehet i rrethuar nga dashuria dhe do të rifillojë të hajë.
Fëmijë që nuk dëshirojnë të ndahen nga nëna
Hyrja në kopsht përfaqëson një fazë rritjeje, e cila mund të krijojë vështirësi për fëmijën. Në fakt, kjo mund të përjetohet me ankth. Në këtë rast fëmija nuk dëshiron të ndahet nga nëna, vuan për largësinë nga ajo dhe bën naze. Shpesh origjina e sjelljes së tij duhet kërkuar në dinamikat e marrëdhënies familjare, veçanërisht në raportin nënë-fëmijë. Ekspertët pohojnë se është pothuajse gjithmonë nëna, e cila në mënyrë të pavetëdijshme dëshiron akoma ta mbaj nën kujdesin e saj. Fëmija e ndjen këtë lidhje të fortë dhe për ta kënaqur nënën, qan, gjuan si për të komunikuar: “E di që ti pret që unë të qaj sepse po më lë vetëm prandaj dhe unë po ta bëj qejfin”. Sjellja më e duhur është që ta shoqërojmë ndarjen në mënyrë graduale: duke ndenjur në kopsht një orë ditën e parë, gjysmë ore ditën e dytë dhe kështu me radhë deri sa ta ndihmojmë në arritjen e pavarësisë. Fëmija (por edhe nëna) do të ndihet i shoqëruar, do ta pranojë në mënyrë më të qetë ndarjen momentale.
Fillorja nga 7-11 vjeç
Fëmijë që nuk dëshirojnë të bëjnë detyrat
Kjo është një sjellje që fsheh ankthin e që të qenit i vlerësuar, ose është sinonim i kundërshtimit ndaj prindërve. Në rastin e parë, duhet të siguroni, të uleni së bashku me të, të tregoheni të gatshëm dhe ta mbështesni edhe duke pranuar (si fillim) një punë të bërë në mënyrë mediokër ose ndërprerjen e aktivitetit përballë një lodhjeje të dukshme. Ndërsa në rastin e dytë është sigurisht përgjigje provokuese, e cila duhet përballuar në mënyrë të vendosur: është e domosdoshme të vendosni rregulla të forta për t’u ndjekur nga fëmija (p.sh detyrat duhen bërë në një orar të caktuar, mundësisht në të njëjtën dhomë në mënyrë që të favorizoni përqendrimin). Kur kthehet nga shkolla, pasi t’i keni dhënë kohën e përshtatshme për të luajtur, do të ishte e nevojshme që mundësisht të shikoni së bashku detyrat e shtëpisë dhe të organizoni punën. Ndëshkimet dhe kërcënimet nuk japin rezultate të mira, përkundrazi i bëjnë të duan akoma edhe më pak studimin. Ndërkohë përpiquni të zbatoni gjërat e mësuara në shkollë në jetën e përditshme, p.sh duke i kërkuar të blejë bukën e të justifikojë paratë e mbetura në kthim do të bëjë të shohë studimin në mënyrë më pak abstrakte dhe ta integrojë atë sa më mirë në jetën e përditshme.
Fëmijë që janë shumë të lëvizshëm dhe kanë mungesë përqendrimi
Të kuptuarit kërkon një sforcim nga ana e fëmijës. Nëse nuk arrin të qëndrojë gjatë mbi libra dhe hutohen vazhdimisht, do të thotë që nuk arrin të kontrollojë stimujt e tjerë dhe ka nevojë për pauza të vazhdueshme. Ndaj, është e nevojshme të shfrytëzoni ndërprerjet e tij në mënyrë konstruktive duke organizuar aktivitete, edhe të shkurtra, të cilat e bëjnë protagonist: kjo do ta zhvendosë përqendrimin e tij në diçka tjetër. Më pas, pak e nga pak duhet menduar për mënyra që mund ta mbajnë të përqendruar për një kohë sa më të gjatë (një puzzle, ndërtimi i një modelimi) në mënyrë që t’i duket më natyrale ideja e të bërit diçka për të arritur një objektiv.
Fëmijë që urrejnë mësuesen
Mësuesit janë individë, të cilët nxisin ndjenja të ndryshme por gjithmonë të forta : urrejtje, dashuri, indiferencë. Është e rëndësishme të krijoni një ide mbi kompetencat dhe mënyrën e sjelljes së tyre. Shpjegojini fëmijës që roli i mësuesit nuk është të dojë nxënësit, por të transmetojë njohuritë dhe kur i kritikon ose i jep një notë të keqe. Ky është thjesht një vlerësim për punën apo për sjelljen e tij, por jo për personin në vetvete. Në çdo rast është e nevojshme ta ndihmoni të ndërveprojë me një mësues që nuk i pëlqen, sepse në jetë do t’i duhet të përballojë situata jo të këndshme e do t’i duhet të mbështetet në aftësitë e veta.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.