Pika referimi

April 11, 2019 | 8:20

Nga Donila Pipa: Njohja reciproke e diplomave në vendet e Ballkanit Perëndimor, vizioni drejt integrimit dhe mirëqenies

Demokracia është kulturë dhe kjo nis nga njohja dhe zbatimi i ligjit në aspektin kombëtar, rajonal apo evropian.

Bashkimi Evropian mundohet t’i heqë barrierat, duke krijuar kështu një lëvizje të lirë të qytetarëve, mundësi punësimi, duke ju njohur në mënyrë reciproke edhe diplomat. Të kesh një diplomë do të thotë të kesh një mundësi për të punuar në një treg të hapur dhe konkurrent. Në këtë mënyrë lëvizja profesionale është një faktor i rëndësishëm, i cili ndihmon në zhvillimin dhe konkurrencën për punonjësit apo të vetëpunësuarit në një treg të lirë evropian.

PhD Donila PIPA

PhD Donila PIPA

Njerëzit guxojnë, lëvizin, por duan që nëpërmjet studimeve të kryera, diplomave të marra, apo certifikatave etj, të munden të punojnë, jetojnë në një shtet apo qytet tjetër përveç vendit të origjinës.

Në kuadër të legjislacionit Evropian kjo gjë është parashikuar tek NENI 53 I TFBE.

Ky nen thekson që Parlamenti Evropian dhe Këshilli miratojnë direktiva që kanë për qëllim njohjen reciproke të diplomave, certifikatave, e titujve të tjerë, por edhe bashkërendimin e dispozitave administrative të shteteve anëtare mbi aksesin në veprimtaritë e papaguara dhe ushtrimin  e tyre.

european-jobs-figures

Me këtë qëllim u miratua direktiva 2005/36 e datës 7 shtator 2015, duke harmonizuar kështu njohjen reciproke të diplomave sipas profesioneve.

Kjo direktivë përbën edhe në njëfarë mënyre përmbledhjen e 15 direktivave të mëparshme që rregullonin këtë fushë. Njohja e kualifikimeve profesionale është një mundësi që një shtetas të ketë mundësi të ushtrojë profesionin e tij, pavarësisht shtetit ku ka kryer studimet, kur ai vendos të lëvizë në një shtet tjetër për jetuar apo punuar. Por kjo njohje e diplomave varet nga profesioni, pasi  njohja e një diploma ka pasur  karakter profesional dhe territorial, duke njohur në mënyrë automate në  fillim diplomat në fushën e mjekësisë, arkitekturës, inxhinierisë etj.

Për këtë arsye Komisioni Evropian ka publikuar disa norma orientuese me qëllim që personat të marrin informacionet e duhur, në lidhje me diplomat, njohjen e tyre apo edhe rastet kur shtetet vendosin norma kompensuese si p.sh. stazh pune prej 3 vitesh  apo edhe provim aftësie.

Mund të themi që më 22 qershor2011, komisioni nxori një Kartë jeshile, me emërtimin “Modernizimi i Direktivës 2005/36/KE”

Modernizimi  i direktivës lidhet me krijimin e kartës profesionale evropiane. Kjo kartë bëhet me kërkesën e një personi i cili kërkon t’i njihet profesioni nëpërmjet një vendimi dhe të ketë mundësi aksesi në punësim në vendin ku do të punojë. Krijimi I kartës profesionale evropiane ndikon në modernizimin dhe përmirësimin me mjete më efektive, për profesionistet për të pasur akses në një treg të hapur. Procedura online, dokumenti I njohur nga të gjitha autoritetet, e bën Evropën sa më afër qytetarëve te saj. Karta profesionale evropiane  është si një certifikatë elektronike, e cila vërteton që personi në fjalë  është i aftë nga ana profesionale dhe plotëson kriteret që të përdorë dijet, diplomat që ka marrë në një shtet tjetër përveç atij të origjinës.

1

Karta profesionale evropiane është një mundësi e shtuar, pasi bashkimi evropian mundohet që shtetasit e saj të kenë sa më shumë akses në këtë treg, duke u bazuar në njohjen e një diplome, procedura më të thjeshta për të gjithë, me qëllim që secili të zhvillojë profesionin e vet, edhe si mundësi aksesi në një shtet tjetër përveç atij të origjinës. Por kjo kartë profesionale evropiane duhet të bazohet edhe në një sistem që quhet Sistemi i Informacionit në tregun e brendshëm, i cili është krijuar me  rregulloren (BE) nr .1024/2012 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian. Më pas, në kuadër të përmirësimit kemi  në vitin 2013  miratimin e një direktive, 2013/55/UE. Kjo direktivë konsolidoi sistemin e njohjes reciproke të diplomave, duke konsoliduar kështu tregun e përbashkët, duke promovuar lirinë e qarkullimit të profesionistëve.

Bashkimi Evropian ka një Strategji “Evropa 2020”, e cila konsiderohet si një fillim i ri për Evropën, evropianët, duke krijuar vende të reja pune, mundësi për shtetasit, duke e modernizuar kështu tregun.

Talenti, kreativiteti, diplomimi apo punësimi janë prioritet i kësaj axhendë, duke u bazuar edhe tek implikimi, i grave, të rinjve, emigrantëve, personave mbi 40 apo 50 vjeç, etj. Në këtë treg të lirë kjo gjë nis nga mundësia dhe aksesi që do të kenë shtetasit, nëpërmjet platformës së bashkëpunimit.

2

Po vendet e Ballkanit Perëndimor?

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur procesin e aderimit për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, që me Samitin e Selanikut këtyre vendeve iu dha mundësia për të filluar procedurat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Duke u bazuar në kriteret e aderimit apo edhe  të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të nënshkruar me Bashkimin Evropian, është e rëndësishme që të njohin dhe të përshtatin legjislacionin kombëtar me atë evropian. Në të njëjtën kohë Evropa ka mangësi me fuqinë punëtore të kualifikuar, duke ju dhënë mundësi  shtetasve të Ballkanit Perëndimor përveç të tjerave, të kenë akses në tregun evropian, duke krijuar edhe kartën blu evropiane.

Aksesi në tregun e punës evropian për shtetasit e vendeve të tjera rregullohet me direktivën  2009/50 KE. Kjo direktivë rregullon dhe jep mundësi punësimi dhe qëndrimi në Bashkimin Evropian, për shtetasit e këtyre vendeve  shume të kualifikuar, të që të kenë mundësi punësimi me të drejta të plota sikundër shtetasit evropianë.

Njohja reciproke e diplomave në vendet e Ballkanit Perëndimor

Të gjithëve që jemi munduar të lëvizim apo jemi munduar të punojnë në profesionin tonë. Në një ndër vendet e Ballkanit Perëndimor, na lind pyetja: Sa ndihemi ne me një mentalitet evropian për të hequr barrierat dhe mentalitetin diskriminues për mobilitetin e punonjësve pa dallim shtetësie, apo duke lehtësuar procedurat administrative për të punuar në një treg të hapur pune?

Pavarësisht se ne shqiptarët kudo që jetojmë në vendet e Ballkanit Perëndimor, flasim një gjuhë, e kemi akoma të vështirë të pranojmë dhe të lehtësojmë aksesin  në punësim apo ushtrimin e profesionit në një shtet tjetër përveç origjinës.

Një pedagog p.sh. nga  Tirana, që të japë mësim në një universitet në  Prishtinë, përballet me një procedurë burokratike për nostrifikimin e diplomave të marra. Duhet të përballet me një konsumim kohe, nerva, lekë, aspak garanci dhe siguri. Ndonjëherë të duket vetja si një i sapodiplomuar që fillon të nostrifikojë diplomat, 100 dokumente, përkthime dhe noterizimesh, lekë, energji, edhe të vjen t’i thuash vetes “ ç’m’u desh mua që guxova, u lodha, çfarë fitova?  Pse ne shqiptarëve na duhet një arbitër, një person tretë që të dalim nga guaska kufizuese?

Është për t’u përgëzuar fakti që më datën 9 tetor 2018, në Bruksel u organizua nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit, hapja e negociatave me  Vendet e Ballkanit Perëndimor për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale.

Me gjithë shpirt e them që integrimi na bën mirë, na bën të ndryshojmë kulturën e të menduarit, të jetuarit dhe të punuarit në një treg të hapur, duhet të kemi një vizion, në mënyrë që integrimi t’i bashkojë  punonjësit, të vetëpunësuarit, duke rritur kështu zhvillimin, mirëqenien, si një mënyrë bashkëpunimi për procesin e zgjerimit në Bashkimin Evropian.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top