Këshilla & Arsye

April 23, 2018 | 12:26

Nga Donila Pipa / Si mbrohen punëmarrësit në rastet e paaftësisë paguese nga ana e punëdhënësit?

 

 

Dinjiteti i punëtorëve dhe respektimi i të drejtave të tyre është një detyrim, që është e vlefshme kjo për çdo shtet, punëdhënës, sidomos në Shqipëri, ku shumë herë punëmarrësi e pranojmë apo jo është një viktimë e kohëve moderne, që shumë herë preferon të heshtë, duke mos besuar as tek shteti, sindikatat apo edhe punëdhënësi, pavarësisht se ka nënshkruar një kontratë pune apo ndodhet në marrëdhënie pune me punëdhënësin, ku ka jo vetëm detyrime, por edhe shumë të drejta.

PhD.Donila PIPA

PhD.Donila PIPA

E drejta evropiane dhe legjislacioni evropian i japin rëndësi qytetarit, që në këtë rast është punëmarrësi si subjekt, me qëllim që ai të mos diskriminohet apo që të vendosen në këtë mënyra disa rregulla që të zbatohen nga shtetet anëtare të familjes evropiane, për të gjithë qytetarët e saj. Kjo gjë ndodh edhe në rastin e mbrojtjes së punëmarrësve, në rastet e paaftësisë paguese të punëdhënësit.

Vëmë re që duke u bazuar tek legjislacioni evropian, në fillim është trajtuar nëpërmjet direktivës 81/987 dhe pas disa ndryshimeve, u kodifikua me direktivën 2008/94 të KE, ku i jepet rëndësi të drejtave të punëmarrësve edhe në rastin kur punëdhënësi është në paaftësi paguese në lidhje me punëmarrësin.

Kjo direktivë bën të mundur që punëmarrësi të jetë i mbrojtur kundrejt rreziqeve të paaftësisë paguese të punëdhënësit, duke e kompensuar kështu punëmarrësin, për shkak të ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

Mbrojtja e punëmarrësve në këtë situatë lidhet me faktin se krijohen disa institute garancie që sigurojnë dhënien e pagave të papaguara punëmarrësve.

Edhe njëherë vëmë re që e drejta evropiane, mundohet që t’i referohet parimit të mosdiskriminit dhe të barazisë në aspektin e drejtësisë sociale, duke u munduar ta shikoje shumë të rëndësishëm integrimin edhe në aspektin social për shtetasit që janë pjesë e Bashkimit Europian.

Institucionet e garancisë kanë detyrimin që të kryejnë këto  pagesa, duke përcaktuar kështu në nenin 4/2 të kësaj  direktive dhe një afat, i cili nuk mund të jetë më i shkurtër se periudha 3 mujore e marrëdhënies së punës ose të paktën 8 javë.

Shumë herë, në lidhje me regjimin juridik të pagave të papaguara, për shkak të paaftësisë paguese nga ana e punëdhënësit, është parë edhe nga aspekti i legjislacionit kombëtar, duke ju dhënë kështu mundësi shteteve të përcaktojnë, natyrën apo një afat parashkrimi.

Në këtë mënyrë është shumë e rëndësishme funksionimi si duhet në realitet i institucioneve të garancisë, shteti, apo çdo punëdhënës duhet të mbajë përgjegjësi në rastin e paaftësisë paguese dhe në këtë mënyrë të mos dëmtohen punëmarrësit, pasi kjo situatë nuk ndodh për shkak të tij.

Duke qenë se Shqipëria është në një proces për ecjen përpara drejt familjes evropiane, duhet që edhe legjislacioni i punës të përshtatet me legjislacionin evropian.

Kodi i punës i RSH ka pësuar ndryshime, ky kod ka edhe një nen që përcakton dhe mbron punëmarrësin në rastin kur punëdhënësi ndodhet në paaftësi paguese.

Neni 124  përcakton se: në  rastin e  paaftësisë paguese, detyrimet e punëdhënësit ndaj punëmarrësve kanë përparësi ndaj të gjitha detyrimeve të tjera, edhe kur këto detyrime garantohen me pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, dhe mbulojnë:

  1.  Pretendimet e punëtorëve për pagat, për një periudhë jo më pak se tre muaj para përfundimit të punësimit;
  2. Pretendimet e punëmarrësit për pagesë për pushimet që i takojnë, si rezultat i punës së kryer gjatë vitit, në të cilin ka ndodhur ndërprerja e marrëdhënieve të punës, si dhe gjatë vitit të mëparshëm;
  3. Pagesën për shkurtim nga puna, që i takon punëmarrësit pas përfundimit të punësimit.

Kodi i punës, si një ndër burimet më të rëndësishme të marrëdhënieve të punës, e mbron punëmarrësin, pasi e drejta për të paguar punëmarrësin dhe mbrojtja e tij, është si një detyrim për punëdhënësit, edhe në rastin kur ai  shpall procedurën e falimentimit.

Shqipëria është një shtet që në teori është munduar që të përshtatë legjislacionin e vet me atë evropian, por respektimi i saj në praktikë është sfida më e madhe e shtetit shqiptar, punëdhënësve, sindikatave apo edhe e vetë punëmarrësve për të ngritur zërin e tyre që të mos ndihem skllevër, por subjekte me të drejta dhe detyrime në aspektin social të shoqërisë dhe të identitetit të tyre.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top