“Iiiii, babi i saj mbledh kanaçe tek kazani i plehrave afër shkollës dhe e thërret nga dritarja. Ajo del dhe e përqafon fort babin e saj. Iiii sa turp”.
Kështu ma prezantoi historinë e një vajze të komunitetit rom në Tiranë, shoku i saj i klasës, teksa përpiqej të më shpjegonte se përse A. mungonte me ditë të tëra në shkollë dhe përse ai e quante, “ajo si kështu…”, në vend të emrit të saj.
Teksa 2019-ta e gjeti komunitetin rom “në varfëri të thellë, por gjithmonë me muzikë”, është e qartë se jemi larg nga arritja e qëllimit për arsimimin e tyre.
Bazuar në “Censusin 2011”: Nëse 96% e shqiptarëve ka përfunduar minimalisht një cikël të plotë të arsimit fillor dhe 80% kanë arritur të paktën nivelin 9-vjeçar, kjo ndodh vetëm për 43% të romëve (40% gra dhe 46% burra), të cilët kanë përfunduar një cikël të plotë të arsimit. Sipas të dhënave nga Censusi, shumica e fëmijëve shqiptarë (97%) të moshës 6 deri në 9 vjeç ndjekin arsimin fillor, por për fëmijët romë kjo ndjekje e shkollës është vetëm në nivelin 55%. Braktisja te nxënësit e regjistruar romë të moshës 10 deri në 16 vjeç arrin 30% për djemtë dhe 44,6% për vajzat. Në moshën 16 vjeç, 96% e vajzave dhe vetëm 68% e djemve e kanë braktisur shkollën.
“Unë jam pa punë. Rri me muaj pa punë. Nuk kam takat t’i blej vajzës që kam në shkollë gjërat që i duhen për mësimet”, thotë një prind nga komuniteti rom.
Vajzat kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Është fakt! Paçka progresit në dy dekadat e fundit: Ekzistojnë më shumë se 98 milionë vajza adoleshente në nivel global, të cilat aktualisht nuk janë në shkollë.
“Sado t’i marrësh 1 herë në javë në kurse, biseda…, ato në darkë do të kthehen në të njëjtin mjedis. Në mënyrë që të ndryshojmë mënyrën se si një vajzë e shikon veten e saj, do të na duhej të krijonim mjedisin e duhur që ajo të arsimohet”, bën thirrje Oprah Winfrey, një zë i fuqishëm televiziv që punon drejtpërdrejtë për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në shoqëri.
Aktorja indiane Priyanka Chopra, një ambasadore e projekteve për shkollimin e vajzave, ka rrëfyer: “Mua dhe tim vëllai na u dhanë mundësi të njëjta arsimimi nga prindërit. E më besoni se në Indi dhe në vende të tjera në zhvillim, ky është një privilegj”.
“Ajo ishte 10 vjeçe dhe prindërit kishin zgjedhur të çonin në shkollë vetëm vëllezërit e saj. Sepse sipas tyre ajo është femër dhe nesër apo pasnesër do të martohej, andaj shkollimi i saj do të kishte qenë thjesht një humbje parash për familjen”, ky është fati i një prej shumë vajzave që u është privuar e drejta bazike njerëzore: Arsimimi.
Shkolla fillore është fillimi i të ardhmes tonë. Edukimi i një vajze, jo vetëm fuqizon familjen, por komunitetet, ekonomitë. Është përgjegjësia jonë të jemi zëri për ata që nuk dëgjohen. Përdorni platformat dhe zërin tuaj për të kontribuar në ndryshim!
Rihanna mund të jetë një yll ndërkombëtar pop-i, por artistja nga Barbados ka zbuluar se dikur ka qenë viktimë e ngacmimit/bullizmit. “Jam ngacmuar gjatë gjithë periudhës së shkollës. Fillimisht për shkak të ngjyrës sime të lëkurës, pastaj kur u rrita, më ngacmonin në lidhje me gjoksin tim“. Megjithatë, këngëtarja shtoi: “Por unë nuk jam viktimë, unë jam mirënjohëse. Mendoj se këto përvoja u krijuan në mënyrë strategjike nga Perëndia për përgatitjen time për të qenë në industrinë e muzikës. Është kaq e lehtë për mua tani që të përballem me ngacmimet.“
Rihanna sot është një nga vajzat më të pasura në industrinë e muzikës dhe miliona adoleshentë në mbarë botën duan t’i ngjajnë, edhe në pamjen e jashtme. Nuk e zgjedhim ne a do të lindim djalë apo vajzë, as nuk zgjedhim kush do të jenë prindërit tanë, por ne mund të zgjedhim se si do ta jetojmë jetën tonë!
Eduko vajzat, për të ndryshuar shoqërinë! Edukimi shëron. Mjedisi shkollor të jep mundësinë e një fokusi përpara. Kur je i zënë duke zgjidhur problemat e matematikës apo duke memorizuar vargjet e poezive, ti harron dhunën në familje. Dhe kjo është fuqia e arsimimit.
Si ajo pema, ujitja e së cilës sjell degë, gjethe e fryte të reja. Le të jemi ne gjenerata që e mbjellim, që gjenerata tjetër ta ujisë e ajo pasardhëse të shijojë hijen dhe frytet e saj.
Vitin e shkuar Michelle Obama njoftoi një iniciativë të re për të fuqizuar vajzat nëpër botë përmes shkollimit. Në një intervistë për CNN, ish-Zonja e Parë amerikane tha se arsimi është provuar të ndihmojë vajzat të jetojnë jetë të shëndetshme. “Arsimimi më dha mundësi që kurrë nuk do t’i kisha ëndërruar, si një vajzë e re me ngjyrë, nga një familje modeste në një qytet të madh amerikan. Diploma universitare më çoi në vende që nuk i imagjinoja kurrë, nga apartamenti i vogël ku jam rritur deri në Shtëpinë e Bardhë. E kjo është një rrugë e gjatë. Por gjithçka lidhet me arsimimin tim. Arsimimi mund t’i bëjë fëmijët tanë të realizojnë ëndrrat e tyre”, Michelle Obama.
Shumë mendojnë se një grua nuk mund të jetë edhe profesioniste në karrierë edhe një nënë e devotshme, prandaj ajo duhet të zgjedhë mes të dyjave. Por fatmirësisht në vitet e fundit, më shumë djem dhe burra po e kuptojnë këtë absurditet në të menduar. Ata duan që gratë e tyre të jenë të përmbushura në punën e tyre, duan që vajzat e tyre të kenë të njëjtat mundësi studimi si djemtë e tyre. Por ka ende shumë punë për të bërë. Ndaj duhet të përqafojmë të vërtetën se shkollimi i vajzave dhe barazia gjinore në vendin e punës nuk kanë qenë kurrë dhe nuk do të jenë kurrë “çështje vetëm e grave”.
Le të jemi të qartë, një vend nuk mund të ketë sukses nëse nuk bën këtë tranzicion, nëse neglizhon potencialin e të gjithë qytetarëve të saj. Gra dhe burra, familjarë dhe pushtetarë mendoni për vajzat!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.