Në fokus

May 13, 2019 | 11:42

Nga Dorina Bilbili / “Do të të nxjerr videon…”/ Ti i besove, por krimin po e bën ai. Denoncoje!

 “Mirë që të kam filmuar, sepse do thoje edhe që të kam kapur me zor…”. A duket frazë e dëgjuar?! Janë të shumta në numër viktimat e kërcënimeve me materiale intime.

Për ata që nuk e dinë, “hakmarrja pornografike” është një formë e ngacmimeve në internet, ku njerëzit shpërndajnë fotografi ose video lakuriq përgjithësisht të ish-partnerëve pa pëlqimin e këtyre të fundit. Imazhet përhapen shpejt në të gjithë rrjetin përmes rrjeteve anonime, forumeve dhe faqeve të “hakmarrjes pornografike”. Mbi 50% e viktimave kanë raportuar se fotografia e tyre është shoqëruar me identifikimin e tyre, siç është emri i plotë. Kjo do të thotë se kur emri i viktimës kërkohet në Google, ndoshta para një interviste pune, takimi, etj, rezultatet e kërkimit mund të sjellin dëm të pariparueshëm për çdo gjë, nga karriera në jetën e tyre sentimentale.

Paramendoni që teksa po navigoni në internet zbuloni se një ish-partner ka postuar imazhe seksualisht eksplicite për ju në rrjet, pa pëlqimin tuaj, si shenjë hakmarrje që i dhatë fund lidhjes. Ky lloj i shkeljes së privatësisë në internet, e njohur si “hakmarrja pornografike” apo “përdhunim në internet”, është kthyer fatkeqësisht në një alarm të zakonshëm në ditët e sotme. Kërcënimet për shpërndarje të videove dhe fotografive intime kanë sjellë deri në humbje jete njerëzish në Shqipëri.

Nëse dikush ka ndarë imazhe apo video intime tuajat, ose po kërcënon t’i ndajë ato me të tjerët, ky është një krim. Më serioze bëhet situata kur bëhet fjalë për imazhe dhe video të minorenëve. Është krim të publikosh imazhe ose video intime, t’i dërgosh tek një person tjetër, t’i ngarkosh ato në një faqe interneti ose të kërcënosh ta bësh këtë. “Hakmarrja pornografike” është një formë abuzimi. Është një mënyrë për dikë që të kontrollojë partnerin ose ish-partnerin e tij. Sipas psikologëve, personi që ndan imazhin ose videon ka për qëllim të shkaktojë frikë, alarm ose ankth. Pa marrë parasysh se pse u mor ose u dërgua një imazh ose video, shumica e njerëzve nuk presin ose nuk duan që ato të ndahen gjerësisht. Si rregull i përgjithshëm, duhet të trajtoni çdo foto ose video që merrni si private. Mos i ndani ato, mos i ngarkoni ose mos ua tregoni të tjerëve!

Sipas “Psychology Today” një studim i kohëve të fundit zbuloi se afërsisht 10% e ish-partnerëve kanë kërcënuar të postojnë fotot seksualisht eksplicite në internet dhe rreth 60% e këtyre kërcënimeve u bënë realitet (McAfee, 2013).  Po shtohet numri i viktimave që raportojnë se imazhet e tyre private janë postuar në faqet e internetit. Ata thonë se këto materiale ua kanë dërguar miqve dhe të partnerëve në kohën kur nuk besonin se veprime të tilla do të sillnin pasoja.

Me futjen e gjerë të telefonave inteligjentë me kamera dhe lehtësinë moderne me të cilën individët mund të krijojnë, menaxhojnë dhe ndajnë imazhe dhe video në mënyrë anonime, “hakmarrja pornografike” është bërë një epidemi që është e vështirë për t’u trajtuar dhe shpesh e pamundur për t’u kuruar.

Një shembull i bujshëm është rasti i yllit të televizionit Erin Andrews, e cila u filmua e zhveshur në derën e një dhome hoteli. Videoja u postua në internet, ku më shumë se 16 milionë njerëz e panë. Njeriu që filmoi videon, Michael David Barrett, u dënua me 2 vjet e gjysmë burg dhe u urdhërua të paguante më shumë se 28 milionë dollarë gjobë. Hoteli gjithashtu u akuzua për neglizhencë dhe u urdhërua t’i paguante zonjës Andrews më shumë se 26 milionë dollarë.

Eksperti i njohur i çështjeve të sigurisë, Spencer Coursen thotë se “hakmarrja pornografike” përdoret edhe si formë kontrolli nga abuzuesi. “Shumica e skenarëve me klientët e mi përfshijnë ish-partnerë që përpiqen të mbajnë një lidhje personale me të dashurën e tyre të mëparshme. Herë të tjera, është një “stalker” (përndjekës) në përpjekje për të shfrytëzuar dobësitë e viktimave të tij. Të dy rastet zakonisht përfshijnë disa variacione të tipit: “Kam fotot / videot e tua, dhe nëse nuk më dërgon më shumë, unë do t’i postoj / ndaj / dërgoj ato tek partneri aktual / shefi / burri'”. “Kush të kërkon t’i dërgosh këto lloj imazhesh, kërkon të ketë një dinamikë fuqie. Është abuzuesi që thotë: ‘Sa kontroll kam mbi ty? Nëse të them, bëje këtë, a do ta bësh për mua?’”, vijon eksperti.

Ka aplikacione për mesazhe private, si Snapchat dhe Cyberdust, që pretendojnë se fotot tuaja do të zhduken pasi të shikohen. Por marrësi gjithmonë mund të bëjë një “screenshot”. Prandaj nëse nuk dëshironi që nëna juaj ta shohë atë imazh, mos e dërgoni! Për të parandaluar këto situata, përgjigjja e dukshme është që të shmangni dërgimin e fotografive dhe videove seksualisht eksplicite. Në shumë vende të botës ndalohet regjistrimi jokonsensual dhe shpërndarja e imazheve seksuale të një personi tjetër. Megjithatë, këto ligje nuk i mbrojnë 100% viktimat, çka mund të udhëzojë politikëbërësit, për të përcaktuar shtrirjen e ligjeve të reja.

Çfarë duhet të bëni nëse jeni viktimë? Ekspertët thonë se hapi i parë është të ruani provat. Është mirë të mos fshini asgjë derisa ta keni raportuar kërcënimin në polici. Telefononi 129-ën! Sapo të keni ruajtur provat, mund të bllokoni këdo që kërcënon se do të ndajë fotot apo videot e tua me të tjerët. Raporto fotot ose videot në faqen e internetit (nëse mundeni). Fol me miq dhe familjarë! Mos u kap nga paniku!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top