Në fokus

December 17, 2018 | 11:17

Nga Dorina Bilbili / Gjithçka dua për Krishtlindje je ti! Sot kemi më shumë televizorë se sa njerëz…

Trendi në shoqërinë tonë është që njerëzit të ndahen nga njëri-tjetri. Makina na ka larguar nga rrugët, ku përshëndesnim njëri-tjetrin dhe ndalonim të bisedonim. Teknologjia po zëvendëson çdo ditë dhe më shumë njerëz në punë. Televizori na ka “ngulur” në dhomat tona të ndjenjës, në vend që të dalim me njerëz të tjerë. Shumica nuk është kundër këtyre shpikjeve, por ne duhet të mos përjashtojmë qeniet njerëzore.

“Nëse doni lumturi për një orë, bëni një sy gjumë. Nëse doni lumturi për një ditë, shkoni për peshkim. Nëse doni lumturi për një vit, trashëgoni një pasuri. Nëse doni lumturi për një jetë, ndihmoni dikë”, thotë një thënie e njohur kineze.

E për shekuj me radhë, mendimtarët më të mëdhenj kanë sugjeruar të njëjtën gjë: Lumturia gjendet në ndihmën e të tjerëve. Po ashtu kërkimi shkencor siguron të dhëna bindëse për të mbështetur qëndrimin se dhënia është një rrugë e fuqishme për rritjen personale dhe lumturinë e qëndrueshme.

Ndihma për të tjerët mund të jetë sekreti për të jetuar një jetë jo vetëm të lumtur, por edhe më produktive dhe më të shëndetshme. Statistikat janë me të vërtetë të pabesueshme. Sot shtëpitë tona përmbajnë më shumë televizorë sesa njerëz. Ne shpenzojmë më shumë në këpucë, bizhuteri sesa në arsim. Në sezon festiv bëjmë dhurata që të tjerët nuk i kanë aspak të nevojshme…E teksa shfletoja një revistë të huaj, lexova se mesatarisht një grua amerikane posedon 30 veshje, një për çdo ditë të muajit, në vitin 1930, kjo shifër ishte 9.

Sezoni i festave mund të përdoret për të zgjidhur probleme shumë reale. Para se të blini një dhuratë për të dashurit tuaj këtë sezon festiv, mendoni për këtë: Pothuajse gjysma e popullsisë së botës, 2.8 miliardë njerëz, mbijetojnë me më pak se 2 dollarë në ditë. Mbi 26 milionë fëmijë në mbarë botën jetojnë pa prindër, përfshirë vendin tonë ku shtresat në nevojë po “ulërasin” për ndihmë.

“Ofrimi i mbështetjes emocionale ndaj të tjerëve mund të çojë në rezultate më të mira psikologjike për ata që japin mbështetje”, shkruan “Psychology Today”.

Le ta nisim nga këtu: Në vend që të bëni dhurata këtë sezon festiv, bëni donacione!

Në vend që të shtoni “rrëmujën” në shtëpinë tuaj këtë sezon pushimi, kërkoni që miqtë dhe familja t’ju ndihmojnë në sigurimin e ndihmave për njerëzit në nevojë. Gjithmonë mund të bësh një dhuratë bamirëse. Ama në qoftë se dëshironi që ta bëni këtë Krishtlindje të veçantë për dikë që ka nevojë atëherë ka disa mënyra festive për të dhuruar.

Ndihma për një qenie njerëzore ka disa avantazhe: Ju bën të ndiheni më mirë për veten tuaj; ju lidh me një person tjetër, qoftë edhe për një moment; përmirëson sado pak jetën e një tjetri; e bën botën një vend më të mirë, etj.

 “Një nga arsyet e ndjenjave pozitive që lidhen me ndihmën ndaj të tjerëve është se të qenit pro-social përforcon ndjenjën tonë të lidhjes me të tjerët, duke na ndihmuar kështu që t’i plotësojmë nevojat tona më themelore psikologjike”, shkruan psikologia Marianna Pogosyan.

Hulumtimet kanë gjetur shumë shembuj se si të ndihmosh tjetrin në nevojë, në forma të mëdha apo të vogla, jo vetëm që është diçka pozitive, por na bën mirë. Për shembull, përfitimet që nxisin mirëqenien dhe uljen e depresionit nga vullnetarizmi janë dokumentuar në mënyrë të përsëritur.

Prandaj mos ngurroni të vendoseni një buzëqeshje në fytyrën e dikujt: Buzëqesh dhe ji miqësor; Bashkohu me një organizatë bamirëse si vullnetar; Dhuroni diçka që nuk e përdorni; Bëni një donacion; Mësoni. Merrni kohë për t’i mësuar dikujt një aftësi që ju e dini; Blej ushqim për një person të pastrehë; Ndihmoni dikë në nevojë; Ndihmo dikë që të shkojë në shtëpi për Krishtlindje, etj.

 “Gjëja më e tmerrshme në lidhje me qeniet njerëzore është se ata janë aq të zënë me sendet e tyre, sa që nuk ndiejnë dhimbjen dhe vuajtjen dhe çfarë dikush tjetër po kalon. Të mos qenit i ndjeshëm është krimi më i tmerrshëm”, thekson mistiku i jogës Sadhguru.

Duke ndihmuar të tjerët, ndihmoni veten! Pra, ngrihuni mbi egoizmin dhe lakminë e botës sonë moderne dhe ndihmoni një tjetër njeri sot. Jo javën e ardhshme, por sot!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top