Në fokus

October 17, 2018 | 14:50

Nga Dorina Bilbili / “Lajmi i keq”, virusi kolektiv dhe nevoja urgjente për ngjarje pozitive për të marrë “skenën”

“Argëtimi ka zëvendësuar sigurimin e informacionit; interesi njerëzor ka zëvendësuar interesin publik; gjykimi i matur i është nënshtruar sensazionalizmit”, pati shkruar vite më parë profesori i studimeve të gazetarisë, Bob Franklin.

Të gjithë jemi të ndërlidhur, për mirë ose për keq. Me fjalë të tjera, mirëqenia individuale arrihet në mënyrë të pashmangshme brenda hapësirës sociale, e zgjeruar në masë të madhe me shpërndarjen e mediave online dhe rrjeteve sociale. Ne jemi të ekspozuar vazhdimisht ndaj “lajmit të keq ose negativ”: Fatkeqësitë natyrore, luftëra, aksidente, krimi në familje e deri tek lajmet ekonomike të një të ardhmeje të pasigurt. Lajmi i mirë, pozitiv, ngushëllues, sot fatkeqësisht njeh përhapje sporadike dhe të dobët krahasuar me atë “negativin, që zhvillon ankth, pasiguri deri në depresion dhe sulme paniku”, thotë Giorgio Maria Bressa, një psikiatër në Romë.

Mënyra se si prezantohet lajmi dhe mënyra se si ne i qasemi lajmit ka ndryshuar ndjeshëm gjatë 15 deri në 20 vitet e fundit. Përmbajtja emocionale e edicioneve informative mund të ndikojë në shëndetin psikologjik. Sipas Graham Davey, profesor i psikologjisë në Universitetin Sussex në Mbretërinë e Bashkuar, nëse programi televiziv gjeneron përvoja negative të humorit (p.sh. ankth, trishtim, zemërim, neveri), atëherë këto përvoja do të ndikojnë në mënyrën se si interpretoni ngjarjet në jetën tuaj, cilat lloje kujtimesh do të mbani mend dhe sa do  shqetësoheni për ngjarjet e jetës tuaj.

Në Shqipëri, 1 në 4 persona vlerësohet se ka probleme të shëndetit mendor. Madje ekspertët thonë se statistikat e spitaleve tregojnë vetëm majën e ajsbergut në këtë drejtim. 4 në 10 letra që ndjekësit e blogut tim me dërgojnë për “historinë e mbrëmjes” flasin për probleme me pagjumësinë, stresin, depresionin e deri ataket e panikut. Javët që lamë pas ishin të ngarkuara për ndjekësit e lajmeve. Një vajzë e re akuzonte djalin e një deputeti për dhunë ndaj saj. Vrasje dhe plagosje në mes të ish-Bllokut ku pa të përfshirë “si shkaktare” të konfliktit një yll të muzikës shqiptare; aksidente; plagosje, akuza të rënda politike e së fundmi një masakër për një copë rrugë në Mat… Bombardimi i njerëzve me negativitet të “senzacionalizuar” ka efekte të vërteta dhe reale psikologjike.

Pse transmetimi i lajmit negativ është bërë aq mbizotërues në media? Ka shumë gjëra të këqija që ndodhin në botë dhe ndoshta është e drejtë që njerëzit të dinë për to përmes raportimit të tyre në edicionet informative. Por ka gjithashtu një tendencë në rritje për transmetuesit e lajmeve që ’emocionalizojnë’ lajmet e tyre dhe e bëjnë këtë duke theksuar çdo rezultat potencial negativ të një historie pa marrë parasysh ndikimin e mundshëm tek njerëzit. Sot edicioneve të lajmeve u duhet të konkurrojnë për audiencë me programet argëtuese që transmetohen në TV, dhe duket se e bëjnë këtë duke theksuar materialin emocionalisht të rëndësishëm si krimi, lufta, uria etj. Në kurriz të materialit më pozitiv.

Davey shpjegon në artikullin e tij për “Psuchology Today” se duke ditur që proporcioni i materialeve emocionale të ndjeshme negative në edicionet e lajmeve po rritet, në vitin 1997 kanë kryer një studim që shqyrton efektet psikologjike të shikimit të artikujve negativë. 

“Ne kemi ndërtuar 3 buletine të ndryshëm 14-minutash. Njëri përbëhej tërësisht nga lajmet negative, tjetri kishte lajme krejtësisht pozitive (p.sh. njerëzit që fituan lotarinë, që u shëruan nga sëmundjet etj.) Dhe tjetri përbëhej nga ngjarje që ishin neutrale. Pastaj ua treguam këto buletine 3 grupeve të ndryshme të njerëzve. Siç kemi parashikuar, ata që panë buletinin e lajmeve negative raportuan se ishin dukshëm më të shqetësuar dhe të trishtuar pas shikimit të këtij buletini se sa ata njerëz që panë ose buletinin pozitiv apo neutral të lajmeve”. 

Dhe ajo që ishte më interesante ishte efekti që shikimi i lajmit negativ kishte mbi shqetësimet e njerëzve. “Ne i kërkuam secilit pjesëmarrës të na tregonte se cili ishte meraku i tyre kryesor në atë kohë dhe u kërkuam që të mendonin për këtë shqetësim gjatë një interviste të strukturuar. Kemi gjetur se ata njerëz që kishin parë buletinin e lajmeve negative shpenzuan më shumë kohë duke menduar dhe duke folur për shqetësimin e tyre dhe kishin më shumë gjasa të katastrofikonin shqetësimin e tyre sesa njerëzit në dy grupet e tjera. Katastrofizmi është kur mendoni për një shqetësim në mënyrë të vazhdueshme, aq sa nisni ta bëni atë të duket shumë më keq se sa ishte në fillim dhe shumë më keq se është në të vërtetë, një tendencë për ta bërë ‘qimen, tra’”!

Pra, transmetimet e lajmeve negative mund të përkeqësojnë shqetësimet dhe ankthet tona. Duke pasur parasysh efektin e “negativitetit” në jetën personale të njerëzve, a duhet të kërkohet që planifikuesit e programacionit televiziv të marrin në konsideratë efekte të tilla gjatë përgatitjes dhe caktimit të programeve që kanë përmbajtje emocionalisht negative?

E nëse dëshmitë sugjerojnë se lajmet negative mund të ndikojnë në dëm të shëndetit psikologjik të njerëzve, pse këta të fundit i kthehen vazhdimisht shikimit të tyre? Davey shpjegon se truri i njeriut është gjithashtu i lidhur për t’i kushtuar vëmendje informacionit që na frikëson ose na shqetëson. Ekspertja e fushës Loretta Breuning shpjegon se truri i njeriut tërhiqet nga informacioni shqetësues sepse është i programuar për të zbuluar kërcënimet.

Ekspertë të tjerë thonë se efekti që lajmet kanë në shëndetin e një personi, ndryshon nga një individ në tjetrin. Chris Peters, një profesor i medias thotë se nuk duhet të përqendrohemi në sasinë e lajmeve që konsumojmë çdo ditë, por në mënyrat me të cilat ne angazhohemi me lajmet. “Mundohuni të jeni të vetëdijshëm se si lajmet ndryshojnë gjendjen tuaj ose i bëjnë mendimet tuaja më negative”, këshillon Davey. 

Sigurisht, ju gjithmonë mund të ndryshoni kanal ose të fikni televizorin, por në ditët e sotme ku qytetërimet janë të ndërlidhura dhe shumë të informuar nuk mundet lehtë të shpëtojnë këto të dhëna negative. Kjo krijon një “gjendje kolektive”, bazuar në modelin e pavetëdijes kolektive që përhapet ashtu si një virus”. Ndaj nëse vini re një lajm të nxitur nga pesimizmi, merruni me aktivitete që ndihmojnë në ngritjen e humorit, si duke dëgjuar muzikë, duke u stërvitur ose duke parë diçka që ju bën të qeshni…

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top