Në fokus

June 26, 2019 | 9:03

Nga Dorina Bilbili / Në botën e #hashtag dhe #like, kujtohu të mos “mbyllësh” zemrën!

Ne, si njerëz, kemi shpikur dhe zhvilluar teknologji për të përmirësuar mënyrën tonë të jetesës. Tani, teknologjia po ndryshon jetën tonë çdo sekondë. Teknologjia është në ajër, ujë, ushqim, arsim, biznes, zyrë, energji elektrike, marketing, parking, udhëtime, dyqane dhe banka e kështu me radhë. Është e kudogjendur. Në botën e sotme të hashtag-ve dhe like-ve, media sociale mund të jetë një nga platformat më efektive për të përhapur fjalën rreth ngjarjeve që ndodhin rreth nesh. 

Çfarë tjetër duhet të bëjmë në këtë tokë nëse nuk përmirësohemi çdo ditë? Por inovacioni dhe zhvillimi teknologjik kanë ndryshuar jetën tonë, në mënyrë pozitive dhe negative. Është e rëndësishme që zhvillimi teknologjik të jetë miqësor me mjedisin dhe të jetë miqësor me njerëzit.

Shumë persona pranojnë që e kontrollojnë obsesivisht telefonin e tyre të mençur (smartphone). Mënyra në të cilën jemi në gjendje të lidhemi përmes FaceTime, Facebook, Twitter, E-mail, dhe të gjitha platformat e tjera nuk është asgjë më pak se një mrekulli teknologjike. Vetëm pak kohë më parë, asnjë nga këto nuk do të ishte e imagjinueshme. Por ka mënyra në të cilat teknologjia, kur nuk përdoret me përgjegjësi apo me vetëdije, mund të jetë regresive dhe destruktive. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti shqiptar i Statistikave, në vitin 2016 vetëm 40% e familjeve shqiptare deklaronin se kishin një smartphone, ndërsa 2 vjet më vonë janë 64% e të anketuarve që zotërojnë një të tillë.

Sipas studimeve, njeriu i këtij mijëvjeçari e përdor telefonin smartphone 150 herë në ditë. Kjo mbi-varësi nga teknologjia njihet si varësia e teknologjisë. Sipas psikologëve, ne joshemi duke besuar se mund të bëjmë shumë gjëra në të njëjtën kohë mes botëve virtuale dhe reale, por në të vërtetë: Po dëgjojmë më pak, po humbasim kontaktin me sy dhe lidhjen me zemrën.

Me këto teknologji, ne jemi të përfshirë në atë që budistët e quajnë “mendja e majmunit”, që i referohet gjendjes së trazuar kur kemi humbur kontaktin me qenien tonë të vërtetë. Hulumtimet e fundit, siç raporton “Psychology Today”, tregojnë se jemi shumë joefikas kur bëjmë shumë gjëra në të njëjtën kohë dhe se ne nuk jemi të dizajnuar neurologjikisht për të vepruar si të tillë.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se si telefonat tanë ndonjëherë na largojnë nga angazhimi në jetën reale. Përdorimi i vazhdueshëm i teknologjisë ka shkurtuar vëmendjen tonë nga 12 minuta në 5 minuta. Sipas studimeve, njerëzit që janë në internet mesatarisht 5 orë në ditë kanë vështirësi në kujtimin e emrave të njerëzve.

Dy nga dhuntitë më të mëdha që kemi si qenie njerëzore janë aftësia për vetë-reflektim dhe aftësia për ndjeshmëri. E para na lejon të shqyrtojmë atë që po ndodh në të tashmen, të kaluarën dhe të ardhmen tonë në të njëjtën kohë. Empatia na siguron aftësinë unike për të imagjinuar veten në zemrat, mendjet dhe këpucët e atyre që i duam, madje edhe atyre që përbuzim. Këto dhunti kërkojnë durim, praktikë, disiplinë dhe, mbi të gjitha, dashuri. Ato nuk shfaqen vetvetiu, por më tepër duhet të marrin kohën e tyre për tu zhvilluar, kultivuar dhe përsosur në një ndjekje të përjetshme të lidhjes së thellë me veten, të tjerët dhe botën.

Është e dobishme të siguroheni që të gjeni ekuilibrin e duhur në “dietën teknologjike”. Sa i përket teknologjive të reja, nëse po përdorim Facebook ose po navigojmë në telefonat tanë, a po e balancojmë këtë me lexim të thellë të materialit në internet ose me përfshirjen në shkrim apo lidhje me grupet e tjera të individëve që na afrojmë më afër?

A po bëjmë mjaftueshëm për të balancuar teknologjitë e reja me ecjen në natyrë, bisedat ballë për ballë me një mik, leximin, shkrimin, aktivitetet krijuese ose meditimin? Ky proces, siç thotë Jack Kornfield, kërkon “një fuçi të madhe përpjekjesh dhe një oqean durimi”, por ia vlen i gjithë investimi, sepse na kthen te kush jemi dhe kush mund të jemi dhe na afron më shumë me njerëzit që duam. Të kesh një lidhje të ndërgjegjshme, të vetëdijshme dhe të balancuar me këto teknologji, na lejon të sigurohemi që instrumenti ynë më i madh, psikika jonë, të jetë e mirërregulluar. Pasi “shpirti njerëzor duhet të mbizotërojë mbi teknologjinë”, ka apeluar Albert Einstein.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top