Në Shqipëri ankthi është sëmundja më e përhapur, me 3.56% të popullsisë së prekur, sipas të dhënave të publikuara sëfundmi. Ankthi është një ndjenjë frike ose shqetësimi për atë që do të vijë. Dita e parë e shkollës, shkuarja në një intervistë pune ose mbajtja e një fjalimi mund të shkaktojë që shumica e njerëzve të ndihen të frikësuar dhe nervozë. Në situata shoqërore, mund të shfaqet si vështirësi për të folur me të tjerët; ju mund të ndjeheni sikur po gjykoheni vazhdimisht ose keni simptoma të tilla si belbëzimi, djersitja, skuqja ose stomaku i trazuar. Shumica e njerëzve përjetojnë ankth në një moment të caktuar në jetë. Hulumtimet tregojnë se nëse nuk trajtohet, ankthi mund të çojë në depresion, vdekje të hershme dhe vetëvrasje.
Le të mësojmë t’i shpëtojmë ankthit, kësaj përgjigjeje të natyrshme të trupit ndaj stresit: Kujdes me lajmet që zgjidhni të merrni, dietën ushqimore dhe mënyrën e të menduarit!
Psikologët thonë që përmbajtja emocionale e filmave dhe programeve televizive mund të ndikojë në shëndetin tuaj psikologjik. Nëse programi televiziv gjeneron përvoja negative të humorit (p.sh. ankth, trishtim, zemërim), atëherë këto përvoja do të ndikojnë në mënyrën se si interpretoni ngjarjet në jetën tuaj. Prandaj këshillohet që të shmangni informacione që ju nxisin ankthin.
Doktor Ellen Vora, psikiatre në New York City rrëfen se gjatë punës së saj sheh shumë ankth. “Ka njerëz që mjekohen vazhdimisht, por që ende vuajnë nga ankthi! Kjo ndodh për shkak se të gjithë ne po ecim në rrugë të gabuar. Ankthi është para së gjithash një çrregullim fiziologjik; që është një çrregullim i trupit, jo vetëm i mendjes”. Sipas mjekes ka shumë gjëra që mund “të bëjmë me dietën dhe mënyrën e jetesës për të menaxhuar ankthin dhe shumë prej tyre janë më të sigurta dhe më efektive sesa ilaçet”.
Ankthi ka një ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës, prandaj mbajtja stabil e niveleve të sheqerit në gjak, reduktimi i kafeinës, marrja e gjumit të mjaftueshëm, shërimi i zorrëve, aktiviteti fizik dhe mbushja e trupit me magnez janë taktika të sigurta dhe efektive drejt uljes së ankthit. Po ashtu mund të menaxhoni stresin me joga, meditim, ushtrime të frymëmarrjes ose duke ecur në natyrë. Aktiviteti fizik është ilaçi më i mirë kundër ankthit.
Nëse jeni të aftë t’i shkaktoni vetes ankth dhe depresion, atëherë pse të mos i dhuroni vetes lumturi dhe qetësi?! Jogi Sadhguru është pyetur se pse kaq shumë njerëz sot janë bllokuar në një cikël vicioz të frustrimit dhe zemërimit. Ai na kujton se baza e përvojës sonë është brenda nesh, kështu që varet nga ne që të përcaktojmë nëse do të zgjedhim mjerimin ose lumturinë. Ndonëse secili ka një përvojë individuale, thotë ai, duhet të kujtojmë se jeta po ndodh si një tërësi e madhe. Kjo është diçka që ne duhet t’i mësojmë fëmijëve tanë, thotë ai.
“Gjithçka ndodh me një qenie njerëzore, është gjithçka e krijuar nga vetë ajo. Lumturia dhe trishtimi ndodhin brenda teje. Dhimbja dhe kënaqësia ndodhin brenda teje. Çfarë është dritë dhe errësirë, ndodh brenda teje. Sepse çfarë për ty është dritë, ndodh të jetë errësirë për dikë tjetër. Me fjalë të tjera, çdo eksperiencë ndodh brenda nesh. Nëse ti përkufizon se cila është baza e eksperiencës tënde, a do ta bëje atë një eksperiencë të kënaqeshme apo të trishtueshme? Padyshim që të kënaqshme! Nëse do të duhej të bëje një zgjedhje tani për të qenë i stresuar, i lumtur, i kënaqur apo i mërzitur, cila do të ishte zgjedhja juaj? Padyshim që të jeni të lumtur! Por këtë aftësi që të gjithë e kemi për të krijuar realitetin tonë, nuk e kemi shpërdarë në shoqëri dhe as nuk e kemi vendosur në sistemin e edukimit, fatkeqësisht!
Nëse ndjehesh shumë mirë me veten, padyshim që do të bësh gjëra të mahnitshme për shoqërinë. Kur ndjehesh tmerrësisht keq brenda teje, do t’i bësh gjëra të tmerrshme njerëzve të tjerë. Çdo qenie njerëzore mund ta vërejë: Kur janë të lumtur, ata janë njerëz të mrekullueshëm. Kur i takon dhe ata ndihen keq me veten, janë të zemëruar dhe të nervozuar, mund të tregohen të vrazhdët me ty. Ky dimension i jetës është neglizhuar në vrapin tonë për të zhvilluar ekonomitë, për të eksploruar botën, e të tjera si këto. Ne jemi shumë të zënë për të rregulluar botën, sepse mendojmë se duke rregulluar botën gjithçka do të jetë mirë. JO! Ne gjithashtu duhet të rregullojmë veten, qenien njerëzore që jemi. Duke rregulluar këtë qenie njerëzore do të thotë që t’i mësojmë fëmijëve tanë dhe gjeneratës së re që jeta ndodh si një e tërë edhe pse të gjithë kemi eksperiencat tona individuale.”
Sipas tij nëse nuk keni emocione shumë të forta, mendime shumë intensive për diçka, ju nuk mund të depresoheni. “Po krijoni mendime dhe emocione që punojnë kundër jush, jo për ju”.
Autori më i shitur i “New York Times” sjell një shembull: Çdo ditë, 10 minuta në ditë provoni zemërim të fortë për dikë. Do të shihni se për 3 muaj, ju do të jeni klinikisht atje. Po! Në qoftë se vazhdoni ta shtyni vijën- çmendeni dhe ktheheni, çmendeni dhe ktheheni- një ditë nuk do të mund të ktheheni, kjo është e gjitha. Një ditë nuk do të mund të ktheheni më dhe atëherë jeni klinikisht të sëmurë…
Psikologët këshillojnë që së pari duhet të falni veten dhe të gjeni qëllim në jetë duke ndihmuar të tjerët. Duke ditur se dikush tjetër ka nevojë për ju, e bën më të lehtë të durosh kohët më të vështira. Pra, si mund ta bëni veten të rëndësishëm në jetën e dikujt tjetër? “Mund të jetë po aq e thjeshtë sa të kujdesesh për një fëmijë ose një prind të moshuar, vullnetarizëm ose punë nga e cila mund të përfitojnë brezat e ardhshëm”, thotë Olivia Remes nga “University of Cambridge”.
Herën tjetër kur përjetoni ankth ose frikë, jini vigjilent! Pyesni veten nëse ankthi rrjedh nga një kërcënim i vërtetë apo i imagjinuar? Ama mund të lexoni të gjitha këshillat kundër ankthit në botë, por asnjë nga këto nuk ka rëndësi nëse nuk merrni masa. Relaksohu, fli natën gjumë dhe shpenzoji energjitë në atë që ka rëndësi, duhet të ndalosh së humburi kohë në gjëra që nuk kanë rëndësi!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.