Ishte mëngjesi i 14 Shkurtit kur takova Marijen.
Isha ulur në një nga karriget e sallës së pritjes për një takim, kurse Marija po qëndronte tek dera. “Pse nuk ulesh?! Ndoshta do të presim edhe pak më gjatë…”, i drejtohem Marijes, e cila edhe pse të gjitha karriget e tjera ishin të lira, priste në këmbë. Punën me shtiza nuk e ndali për asnjë sekondë, edhe ashtu në këmbë. Teksa më dhuroi një buzëqeshje, që e ndjeva si çliruese për të, Marija ma ktheu: “Ah moj bijë, a e ke parë kalin? Fiks si kali, ja në këmbë… Kështu jemi mësuar të stërmundojmë veten ne femrat…”. U ul… “Është zakon tek ne që të rrimë në këmbë…”, justifikohet Marija me kokën ulur, ndërkohë dikush thërret emrin e saj.
Nuk po e përmbaja dot revoltën brenda meje: “Lëri këto zakone Marije, fito zakonin e ri: Të ulesh dhe të rehatohesh dhe të kujdesësh për veten…!”.
“Nëse nuk ndryshojmë kulturën, do të kemi sërish viktima në mesin e grave”, thotë psikiatrja Bandy X. Lee.
Teksa u përshëndeta me Marijen, në mendje më erdhën tre gratë që një ditë më parë më kishin rrëfyer historitë e tyre në hollin e gjykatës.
Zonja me flokë të thinjur (dukshëm parakohe), teksa pret të tërheqë urdhrin e mbrojtjes tregon se burrin e dhunshëm pijanec po e ndante. Por luste Zotin që drejtësia t’i jepte gjysmën e shtëpisë. “Ta kem gjysmën e shtëpisë e ta shohë ai më pas, s’më sheh më! Do shpëtoj…!”. Në duar mban portofolin ku duken fotot e një nuseje të hijshme dhe të një fëmije. “Nuk duhet gjë burri që del e pi raki tërë ditën dhe më pas vjen në shtëpi dhe i hyn në hu gruas”, shfryn barrën e rëndë që ka në zemër.
“I ndajmë, i ndajmë, se s’kanë ç’na duhen. Por më vrasin njerëzit në rrugë. Kjo të vret shumë. Fjalët janë ufff… Të ndalin sikur duan të falen me ty dhe ta fusin kunjin: He moj ti, po të duket kështu më mirë pa burrin eeee? Uhhh sa të dhemb kjo gjë”, ia pret një zonjë me banim në Kamzë.
“Kur nuk ka kombinim e tradhti, më mirë të ndahet çifti. Fiks, kështu i thashë edhe djalit tim, sepse ai po e ndan gruan për nder… Më tha: Dy zgjidhje kam mam, ose ta ndaj, ose t’ia këpus kokën në gjumë. Qyqja biro, i thashë, pse të bësh burg për atë ti…”, rrëfen një zonjë nga Tirana.
Sociologët thonë se nëse bëni komente të papërshtatshme për pozitën shoqërore të një gruaje, kjo mund të përforcojë dinamikën e fuqisë që kontribuon në dhunë, dhe të çojë në fajësimin e viktimës.
Aktualisht dhuna ndaj gruas është shndërruar në debat kombëtar. Në 8 vitet e fundit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 105 gra dhe vajza. 8 gra në ditë dhunohen.
Frenimi i kësaj çmendurie kundër një jete njerëzore duhet të nisë që në familje: Tranformo fëmijën tënd dhe çdo gjë do të ndryshojë! Dhuna ndaj gruas ka të bëjë me fuqinë për të poseduar. Diku në mendjen e meshkujve të rinj në botë, ne kemi rrënjosur idenë, se një femër është një objekt, një gjë që mund të zotërosh. Vlerësohet se janë mbi 500 video-lojëra me subjekte abuzimin ndaj grave. Pak a shumë, një nga lojërat shumë popullore ka si subjekt:
Një nënë me dy vajza është në një stacion treni dhe loja konsiston se si të përdhunojmë nënën…! Nëse e kalon këtë “nivel”, merr njërën nga vajzat. Kjo është një lojë që luhet nga mijëra njerëz në zyra, shtëpi e kudo që ndodhen dhe është shitur në miliona dollarë. Ngjarjet që zhvillohen në video-lojë ndodhin në mendjen tuaj, por kur të shfaqet mundësia, ngjarjet mund të ndodhin në realitet.
“Ne po edukojmë një botë të sëmurë dhe presim që ajo të mos ndodhë në rrugë. Do të ndodhë! Prandaj gjëja e rëndësishme është të kuptojmë se çfarë race njerëzish jemi duke rritur. Komercialiteti ka fituar përparësi mbi njerëzimin. Nuk ka rëndësi se çfarë po shet, për aq kohë sa mund të shesësh, ti po ia del mbanë shkëlqyer dhe kështu duhet të vazhdosh të shesësh edhe më shumë. Ka ardhur koha që të shikojmë në kahun e esencës së jetës. Kjo duhet të fillojë të ndryshojë që nga situata në shtëpi”, thotë eksperti i marrëdhënieve Sadhguru.
Statistikat thonë se pjesa më e madhe e përdhunimeve ndodhin brenda në shtëpi. Forca e ligjit pothuajse kurrë nuk përfshihet dot tërësisht në këtë. Prandaj tranformojeni fëmijën tuaj në një qenie njerëzore më gjithëpërfshirëse. Fatkeqësisht askush nuk investohet tërësisht në këtë, sepse të gjithë duan zgjidhje momentale të problemit: Dalin në rrugë, protestojnë për dy ditë dhe presin që bota të ndryshojë. Bota nuk do të ndryshojë! Nëse do që bota të ndryshojë, gjëja e parë që duhet bërë është të investosh kohë për ndryshimin personal. E më pas të të tjerëve.
Dikush do ta bëjë në video-lojëra, dikush tjetër do të marrë kurajën ta bëjë atë në rrugë. Këto janë bijtë tuaj, burrat tuaj dhe vëllezërit tuaj. Duken të mirë…por kur nuk janë me ju, janë diçka tjetër. Psikologët thonë se tranformimi është ajo që ti je, pa marrë parasysh kush po të shikon. Sa herë ndodh një abuzim, ne të gjithë ulërasim dhe pastaj pushojmë pas tre ditësh dhe shohim punën tonë. Është koha ta adresojmë atë.
Dhuna nuk është kurrë OK!
Nxitni dhe kthejeni në normë barazinë gjinore në jetën publike dhe private. Nëse jeni prind, edukojini fëmijët tuaj me idenë se ato janë të pakufishëm në potencialin e tyre. Gjinia e tyre nuk duhet të përcaktojë të ardhmen e tyre. Blijini libra që sfidojnë ndarjet, rolet dhe stereotipet e vendosura gjinore. Mos i ndani më lodrat e fëmijëve në “lodra për djem” dhe “lodra për vajza”. Idetë më fleksibile të gjinisë, në vend të stereotipeve të ngurta, do të ndihmojnë në krijimin e bazave më të mira për sigurinë dhe respektin.
“Megjithëse është një problem në rritje, shoqëria vazhdon ta normalizojë dhunën ndaj gruas”, thotë psikiatrja Mariana Plata.
Dhuna ndaj grave ndodh brenda një shoqërie patriarkale ku dominimi dhe privilegji mashkullor normalizohen. Ekspertët thonë se burrat përhapin dhunën ndaj grave, kryesisht për shkak se ata kanë përjetuar dhunë në familjet e tyre të origjinës dhe për shkak se sistemet dhe strukturat shoqërore e miratojnë këtë dhunë.
6 gra humbën jetën këtë fillimvit në vendin tonë si pasojë e dhunës nga ana e partnerëve, ish-partnerëve apo njerëzve të tyre të afërt. Disa nga titujt që gazetarët kanë zgjedhur për të shpallur këto vdekje përfshijnë: “E vrau sepse ajo i ktheu fjalën”, “Vrasje për xhelozi…”, “E vrau sepse dyshonte që e tradhtonte”. Rastet e dhunës gjinore, sipas “UN Women”, përfaqësojnë rreth 35 përqind të grave në mbarë botën që kanë vuajtur nga dhuna fizike dhe / ose seksuale nga partneri i tyre romantik. Ndërsa leximi për këto raste mund të jetë i ashpër, ajo që e bën edhe më të trishtë janë reagimet dhe komentet e njerëzve të tjerë – burra dhe gra – të cilët normalizojnë këtë lloj dhune: “I ndodhi, sepse e tradhtoi”. “Kështu e pëson kur vishesh si kjo”, etj.
Nuk ka asgjë që dikush mund ose duhet të bëjë për t’i dhënë leje një personi tjetër që të dëmtojë fizikisht ose emocionalisht dikë tjetër. Prandaj t’i sfidojmë këto padrejtësi duke folur, duke folur dhe duke folur edhe më shumë…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.