Një vajzë pa të atin që po merrej me telefonin dhe e pyeti: Babi sa para fiton në 1 orë? I ati me habi ju përgjigj: 50 dollarë! Vajza: Babi a mund të më japësh 30 dollarë? I ati pa u menduar më gjatë i jep të bijës paratë. Vajza nxjerr nga xhepi i saj edhe 20 dollarë dhe i drejtohet sërish të atit: Babi këtu janë 50 dollarë. A mund të kem 1 orë nga koha jote?
Kjo nuk është vetëm një legjendë urbane që qarkullon në rrjet, por realiteti i ditëve tona të gllabëruara nga teknologjia. Realiteti është që ne sot shpenzojmë më shumë kohë në telefon se sa me njerëzit tonë të dashur. I kemi kthyer telefonat e mençur në pjesë tonën të pandarë, ne hamë me to, flasim me to, flemë me to, por harrojmë të shpenzojmë kohë sy më sy me njëri-tjetrin. Emocionet i fshehim pas emoji-ve. Presim më shumë nga teknologjia dhe më pak nga njëri-tjetri. Problemi nuk është teknologjia, por mënyra se si ne e përdorim atë.
“Dikur përdornim gjërat dhe i donim njerëzit, sot përdorim njerëzit dhe i duam gjërat” –Jay Shetty
Kur ka qenë hera e fundit që e ke fikur telefonin celular? Telefonin sot e përdorim për të folur me ata që kemi krejt pranë, e në fakt duhet përdorur për ata që kemi shumë larg. E bindim veten tonë se teknologjia po na ndihmon. “Realiteti është se në ditët e sotme njerëzit nuk duken të mjaftueshëm për ne”, thotë Jay Shetty, një nga personat më me influencë në internet, pasi gjithçka që ai prodhon bëhet virale në rrjet. Ai na fton të mendojmë pak për këtë:
Ne i zëvendësojmë librat me artikuj të shkurtër në internet, sepse kush ka kohë të lexojë qoftë edhe një fjali të vetme libri në ditët e sotme… Ne jemi më në ankth se çdo gjeneratë përpara nesh, por për t’u përballur me këtë shkarkojmë një tjetër app (aplikacion) me mendimin se mund ta zgjidhë problemin.
Ne vrasim lidhjet e vërteta dhe zgjedhim të komunikojmë përmes mesazheve biseda të rëndësishme. Duam lidhje të thella, por kënaqemi duke e ndjekur njëri-tjetrin vetëm në rrjete sociale. Ne fiksohemi pas një fotoje në Instagram, në vend që të përqendrohemi tek portreti i personit që kemi përballë.
Na pëlqen të jemi të zënë, e mbajmë si një medalje krenarie. Si pasojë nuk mund të fokusohemi sepse mendja na shkon në 50 drejtime të ndryshme. Nuk mund të krijojmë lidhje të qëndrueshme sepse gjithmonë duket se del një opsion tjetër, një alternativë më e mirë. Kemi vështirësi për t’i besuar dikujt që kemi vite që e njohim, por besojmë “review”-n (përshtypjen) e dikujt që sapo e kemi parë në Booking/Amazon, etj.
Ne duam të kapemi për dore, por nuk ndalojmë së kontrolluari celularët. Futemi në Facebook kur jemi duke ngrënë drekë me miqtë tanë. E pastaj pyesim veten pse marrëdhëniet nuk po zgjasin më. Ankohemi se asgjë nuk duket autentike ditët e sotme, por zgjedhim filtër për selfie-t tona. Karikojmë pajisjet elektronike, por jo veten tonë. Nuk dimë më se çfarë duam të bëhemi, sepse jemi shumë të zënë me çfarë po bëhet dikush tjetër.
Sa herë dikush të ka thënë: Dua kohën tënde? Çfarë njerëzit realisht duan është energjia jote. “Më mirë dhuroi dikujt 10 minuta kohë me energjinë tënde. Se 1 orë dhe me mendjen tek celulari”, nënvizojnë ekspertët e marrëdhënieve njerëzore.
Tjetri po kërkon vëmendjen, prezencën tënde. Pyete veten: Çfarë po më bën media sociale? Pse ndjej kaq shumë ankth kur qëndroj vetëm pak orë pa e përdorur? Pasi ja bëra këtë pyetje vetes, nisa të mendoj dhe të bëja kërkime për këtë çështje.
Një studim i kohëve të fundit i raportuar në “American Journal of Orthopsychiatry “ tregon një prirje të qartë në prevalencën e depresionit. Anketa shqyrtoi të dhënat për të rriturit në Shtetet e Bashkuara gjatë viteve 2005-2014 dhe zbuloi se incidenca e depresionit u rrit gjatë këtyre viteve.
Studimet tregojnë se: Ankthi, depresioni dhe stresi kanë prekur në mënyrë të frikshme grupmoshat më të gjendura në rrjete sociale 18-30 vjeç. Bailey Parnell, eksperte e marketimit dixhital, thotë se dhjetra e qindra studime nga Amerika në Europë flasin për lidhjen e përdorimit të rrjeteve sociale me ankthin, depresionin dhe stresin.
90% e njerëzve 18-30 vjeç janë në rrjete sociale. Rrjeti social është familjari, miku, kolegu, fqinji. Ne shpenzojmë mesatarisht 2 orë në ditë në rrjete sociale. As bukë nuk hamë 2 orë në ditë. 70% e popullsisë së botës është në rrjete sociale. Nuk do të shpenzoj kohë t’ju them mos rrini në rrjete sociale sepse “mungesa në të nuk është më një opsion”, siç me të drejtë ka konkluduar Parnell. Por kjo s’do të thotë që nuk mund të praktikoni një “jetë të shëndetshme në rrjete sociale”.
Si mund të krijoni një përvojë më pozitive në internet? Mendo se kush janë njerëzit që të bëjnë të harrosh telefonin? Kalo kohë me ta! Sepse s’mund të bësh gjërat e mëdha nëse je gjithmonë i shpërqendruar në gjërat e vogla. Prandaj duhet të zhvillojmë praktika meditimi që na sjellin në momentin e tanishëm. Për disa njerëz meditim është të notojë, të vrapojë, të luajë një instrument. Duke qenë të fokusuar njerëzit ndjekin prioritet e tyre dhe çfarë është më e rëndësishme për ta që të marrim vendimet e duhura.
Kupto pse e përdor median sociale? Duhet të krijoni hapësira dhe kohë pa teknologji në shtëpinë tuaj. Mund të jenë dhoma e gjumit dhe kuzhina. Zakonisht, kur sapo zgjoheni, provoni të mos përdorni teknologjinë dhe mos e përdorni as para se të bini në gjumë. “Media sociale nuk është as e mirë dhe as e keqe”, nënvizon ekspertët e komunikimit. Ajo është thjesht një media e gjeneratës së ditëve tona ku themi histori dhe komunikojmë me njëri-tjetrin.
Ekspertët e shëndetit mendor këshillojnë të praktikoni dietën e rrjetëve sociale/ Nise duke pyetur veten nëse qëndrimi në Facebook ta bën ditën më të mirë apo më të keqe?
Për 80% nga ne gjëja e parë që shikojmë në mëngjes është telefoni. Në vend që të shohim newsfeed-et (postimet e përdoruesve në rrjete sociale) çfarë ka të re, le ta ushqejmë mendjen me një libër. Lejo që njerëzit të dëgjojnë zërin tënd e jo zilen tënde të celularit. Telefoni i mençur ka zëvendësuar kalendarin, aparatin fotografik dhe alarmin e zgjimit, mos lejo që të zëvendësojë edhe njerëzit që kanë rëndësi për ty. Është koha për të mësuar të praktikojmë shoqëri të sigurt para se të jetë tepër vonë. Mos lejo të konsumohesh nga media sociale!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.