Pika referimi

December 23, 2017 | 8:00

Nga Dorina Hoxha: A jam një shpirt i mërzitshëm?

Çfarë kam bërë? Për cilën marrëzi do të mbahem mend? Përse kam frikë?

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Frikë! Në qiellin e syve të mi lashë të bien shumë yje, që, me siguri ishin reflektim i vetes sime tek të tjerët. Si mund ta kërkoj jashtë këtij qielli fajësinë?

Vegonin yjet. Fryn pajaga e politikës kudo! Çfarë dreq ndjesie është të shohësh botën që rritet e zhvillohet jashtë qiellit të syve të tu, ndërsa brenda të mundon ndjesia e ‘të bërit’ zemrën e vogël. Gjithçka për të cilën je përgjegjëse, është të jetuarit, të tjerat janë pjesë e rrethanave, ashtu si retë që sjellin stuhitë, gri-në dhe thyejnë monotoninë e kthjelltësisë. Mendimet e tëhuajtën atë dhe ra, po, po, siç bien yjet, dhe nën atë errësirë, mezi e vagëlloi vetveten për t’i rezistuar të vetmit rregull, atij të të bërit zemrën e vogël.

Në rrugët e Tiranës ka njerëz që lypin, ashtu siç i gjen edhe në rrugët e Belgjikës, Gjermanisë apo Francës. Ka kudo njerëz që vuajnë, sepse jemi pjesë e një cikli të larmishëm idesh e fatesh njerëzore. Në duart e të dhembsurit ka një azil yjesh të rëna nga një yjësi shpirtërore fjalësh e veprimesh të çdo dite të jetuar me dhunë.  Një grusht ndjesish të trishta në të cilin ka kontribuar një shoqëri e tërë. Disa e marrin këtë azil yjesh dhe ia ngjeshin ballit shoqërisë me plagë të reja, ndonëse në duart e tyre çdo mendim i trishtë ka krijuar një shpim, hija e së cilës të prangos. Ka një varfëri shpirtërore tek ne shqiptarët, që reflektohet në të mërziturit nga gjithçka që dimë. Duam të dimë për gjithkënd, por pa filozofuar, duam të dimë për ekonominë, politikën, të analizojmë edhe kur biem të flemë. Pale kur shkojnë në tualet, aty shahen pushtetarët dhe analizat më vizionare nga aty kanë dalë. Mbase kanë të drejtë! Një jetë e varfër nuk të lë luksin e kohës për të vetmuar. Në jetën e thjeshtë, njerëzit janë skllavë të punës së tyre dhe kjo i bën të varfërohen shpirtërisht e të lëshojnë shigjeta fjalësh të rëndomta. Një pjesë e shigjetarëve të varfër punojnë çdo ditë për të robëruar veten, sa keqardhje ndjej për këtë kategori njerëzish. Më duhen motive të mëdha për ta bërë zemrën e vogël! Një përqafim i munguar është mëse i mjaftueshëm për t’i bërë vetes pyetjen: A jam një shpirt i mërzitshëm?

Dashuria e zgjeron qiellin e shpirtit që fshihet në retinën e syrit e për këtë ajo është arsye e mjaftueshme për ta bërë zemrën e vogël kur ajo mungon. Çdo ditë zilja që bie është një shenjues i kohës që shkon duke pritur motivet e vogla të përditshmërisë. Ky fundvit  është i mbushur me reklama fasadash, vallë përse duhet të urrej gjithçka që nuk më gëzon, madje më bezdis kur dëgjoj për lotari që të bëjnë milioner pa punuar, e më pak akoma, me një biletë 50 lekëshe. A ka ende idiotë që nuk u ngopën nga e keqja që ka mbjellë kumari në vendin tonë?

E keqja e prioriteteve tona shoqërore është të fituarit prej qylit. Nuk mund të jesh njëherazi edhe i palodhur, edhe i pasur. Të pasurit është diçka që të lodh, ndaj jo të gjithë janë të aftë ta pranojnë këtë kusht dhe mbesin robër të punës që s’duan ta mbajnë. Ky fundvit na largoi edhe një vit, pas kësaj, çdo vit që lëmë, bëhet kujtim.

Kujtimet bien nga mendja jonë ditën kur ne zgjedhim ta ‘bëjmë’ zemrën e vogël. Në hapësirën qiellore të retinës reflektohen floknaja dëbore që ka shtruar dashurinë këtë dhjetor.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top