Një kërmill ishte zhveshur pasi kishte gjetur atë pellgun e tij dashuror, të lagësht në oborrin e një shtëpie, që ende kridhte jetë nëpërmjet rrëkesë së shkarë nga një vazo me lule.
Muzgu ishte në të rënë aq sa e kuqja qiellore që dukej nën kthjelltësinë e qiellit kishte mbetur një vijëz dhe fare pak minuta do e ndanin ditën nga nata.
Në muzg zgjohen të përgjumurit nganjëherë edhe dashuritë.
Një avull i ngrohtë shoqëronte mbrëmjen që shtrihej përtej horizontit, ndërsa kërmilli ish lakuriqsuar e përshtjelluar në atë pellg që për të ishte dashuri, jetë, një shpresë e lagësht, një valle e hedhur mbi yje.
Nata ishte shtrirë ngadalë, shikimi nuk turbullohej aq lehtë, përjashtojmë përdoruesit e telefonave që pasi kanë komentuar në rrjetin e tyre social, ngrenë kokën menjëhrë për të vështruar përreth, tymnajë.
Një muzg të qetë si ky, njeriu e përjeton vetëm disa ditë në vit. Konteksti është në ngadalsim të ritmit të tmerrshëm të përditshmërisë, vrasësen e ndjesive tona e që na bën të ftohtë përkundër asaj që ne e quajm jetë e që në të shumtën e rasteve nuk e njohim.
Një mbrëmje korriku dëshirohet gjithë vitin edhe kur papritur kupton se ngrohtësia ka përtharë ajrin, aksigjenin, një kërmill vallëzon me lagshirën që ka rrjedh, vargje makinash që kthehen nga një e djelë plazhi, të rraskapitur për pak qejf ndërsa sheh natën që zbret përpara teje, veshja e shkurtër nuk të freskon aspak, madje e kureshtuar nga vargje njerzish të lodhur kupton papritur që qënke zgjuar. Plotësisht zgjuar !
Kujtimet e tua zbresin inatçore, si për të të kritikuar e për të të bërë fajtore të këtij dimri që nuk të shkulet, se di sa thellë një stinë mund të të mbërthejë mendimet.
Di që nëse një njeri ka përballë veten, mesiguri do të ndjej një kontrast në zemër të kësaj nate vere. Stinët ndërrohen paralelisht me jetën njerëzore, disa prej të cilëve kanë fatin të mbeten peng i solstikut dimëror. Malle të athta që nuk i shkrin ky muzg nuk i zbeh kjo natë, e nëse do të ndodhte do të mbeteshim pa veten tonë, pa shpresat e thyera. Njeriu e ka të domosdoshme të ketë parealizime, të humbi nga vetja ndjesi, dashuri sepse gjithnjë do ndjente brenda vetes boshllëqe të mbushura me kujtime.
A do të ishte më mirë që ne të ishim qënie që kemi vetëm ndjesi të realizimit, pa ndjerë fjalën zhgënjim, pa ditur çështë ndjenja e mallit?!
Dita fshihet për të zgjuar natën, ndonjëherë edhe pasionet zbehen për t’ja lënë vendin një tjetër ndjesie, paqes, mbase edhe kujtimit si për na mbajtur peng të frymës.
Frymën e kemi borxh në këtë jetë, duhet me patjetër një ditë ta shlyejmë, ashtu siç denjësisht japim hua dashurinë. A nuk është e njëjta gjë?!…
Kujtimet na duhen, edhe pse të zbrazura mbushin boshllëkun e mendimeve. Vitet të shtypin dhe të transformojnë në një tjetër njeri, mbase në atë që ti sdo kishe dashur kurrë të ishe. Në epiqendrën e shpirtit tënd, që e quajm zemër ka një qëndrueshmëri që pavarsisht socializmit e pavarsisht çdo lloj zhvillimi postmodern mbetesh krejt i zhveshur nga vetja jote.
Nuk mund të mashtrosh e as nuk lejon të mashtrohesh. Ka njerëz që largohen papritur nga kjo jetë dhe bindjet e tyre zgjasin gjithë jetën për të tjerët. Nata përveç frikës, sjell edhe një lloj force për ti dashur gabimet e ditës. Nata të zhvesh paturpësisht nga kryeneçësia, dashnorët e zjarrtë vijnë nga shekujt e letërsisë klasike dhe të pështyjnë mendimet. Lagështirë, kërmilli ka lënë një hartë të paqartë… epiqendra e shpirtit e ka humbur busullën për të gjetur drejtimin e tij…
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.