Përtej dritares, ditët kalojnë të shtrira në hapësirë dhe ndërrohen shumë shpejt sepse nuk kanë një lak të quajtur zemër. Ditët shtrihen të qeta mbi male, fusha, mbi ndërtesa dhe lartësi shumëkatëshe. Një ashensor lirie na ngjit në majat më të dëlira të mendimit dhe sërish bie i pashpresë brenda nesh në një kohë që nuk shkon askund. Një kohë që na e mban pezull dashuria, dhe mbetet aty e ndalur në përqafimin apo në bisedën e radhës.
Familja është ndër ato ashensorë lirie që të mban pezull kohën tënde kur ajo mungon. Përpjekja e çdo prindi është ta shohë kohën si një unitet për fëmijët e tyre, dhe e mbajnë atë pezull në çastet më të gëzuara të tyre. Familja është gëzim, është ajo trokitje që të hap dyert e mëshirës dhe paqes për reflektim ndaj dhuratës më të çmuar siç është, ardhja në jetë. Nga çdo dashuri lind një familje dhe nga një familje lind një shoqëri. Shoqëria vdes sa herë një grua vritet ndaj çdo përpjekjeje për të shkatërruar simbolin e bashkimit që është familja.
Ta dinin gjendjen e atyre që kjo fjalë e madhe i mungon, me siguri do kishim më pak krime dhe më shumë përpjekje për të falur dashuri të pakushtëzuar familjeve që u mungojnë fëmijët, nipërit dhe mbesat, apo atyre që u mungojnë prindërit, gjyshërit dhe familjarë të tjerë.
Një vetmi e madhe duket në pragun e shoqërisë sonë shqiptare me numrin në rritje të dramave familjare. Pragu i çdo shtëpie është reflektim i asaj që mban brenda. Çelësat bëjnë një zhurmë të çjerrë kur tenton të hapësh pragun e ftohtë të mungesave, të cilat shtohen në jetën tonë. Në shoqërinë tonë emigrimi çel siparin e një drame dypalëshe, të atyre që largohen dhe të atyre që qëndrojnë.
E pavarësisht kësaj drame sociale, me zhvillimin teknologjik familja, edhe nëpërmjet virtualitetit vijon të jetë simboli i përkujdesit dhe bashkimit, sepse çdo familje e krijuar me dashuri fal dashuri përtej çdo pengese dhe përtej çdo largësie. E në qoftë një kohë e ndalur, familja është aty për të bashkuar me anë të ashensorit të saj të mendjes, të ngjisë shpirtra në lirinë universale, atje ku pjesa tjetër e saj pa kohë ngjitet. Nga perspektiva e një varri ka ende shpresë, një trëndafil lë aty si përkujtim të unitetit të familjes dhe me lutjen ndër duar qëndron ende dashuria për babain. Të dy në botë të ndryshme e ruajmë ende simbolin e familjes, nëpërmjet kujtimit, muzikës, përkëdhelive të ndalura përgjithmonë tek një fotografi.
Atje ka shpresë, sepse shpresa qëndron në kujtimet e mira që lëmë pas dhe në atë që ia rrënjosim fëmijëve si simbolin e bashkimit të ndjenjave njerëzore për ta parë ashensorin e kësaj kohe që jashtë gjëmon shi, të kalojë shpejt aq shpejt sa ne mezi presim ditën tjetër.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.