Pika referimi

January 8, 2019 | 10:27

Nga Dorina Hoxha / Forca e mëvetësisë!

Nga furia e madhe për të thënë njëherësh të gjitha mendimet që ziejnë brenda kokës, u krijua një qorrsokak në pragun e racionalitetit. Nëse do më kishin pyetur më parë se çfarë është rregulli, do të isha e qartë në shpjegimin tim jetësor amatoresk duke u përgjigjur se: rregulli është një sistemim që i bëjmë kaosit dhe pas kësaj do filloja të analizoja kaosin në një mënyrë tepër të vështirë për ta menaxhuar në të tashmen time e kam humbur përgjigjen për rregullin dhe se kaosi është lehtësisht i menaxhueshëm ashtu siç është pa u përpjekur për ta shpërbërë.

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Shoqëritë urbane jetojnë brenda një kaosi të organizuar ku secili i ka të ndara detyrat sociale dhe arsyen përse duhet të përpiqet për të ndjekur ritualin e rendit kaotik të një shoqërie konsumi. Bota konsumohet çdo ditë nga idetë tona ndërsa ne na konsumon koha. Edhe mendimi më pa vlerë apo i marrë, merr nga natyra e gjësendeve përreth ashtu siç ne vetë shfrytëzojmë njëri-tjetrin.

Nisur nga ky universalizëm i marrëdhënieve të konsumit, na bën të ndihemi qenie sociale-kaotike. Një pjesë e vetes sonë tjetërsohet e një pjesë e jona humbet, një pjesë e jona i nënshtrohet gënjeshtrës së madhe të rendit dhe pjesa tjetër kaosit. Një antagonizëm shpirtëror që metaforikisht mban brenda vetes edhe engjëllin, edhe djallin, ekuilibrin e të cilit e kërkojmë në lutjen jo për të ndryshuar Zotin, por sipas filozofit Soeren Kierkegaard, për të ndryshuar atë që lutet.

Mbyll sytë dhe nuk më vjen asnjë përgjigje. Rendi të cilit i besoja u shndërrua në kaosin e pakufishëm të ndjesive që përhapën grimcat e parfumit disavjeçar që ruaja me fanatizëm. Jeta shkon ashtu siç koha vulos te pemët rënien e gjetheve. Shpirtërisht jeta na zhvesh nga çdo turp, dhe na bën të brishtë përballë të keqes. Përballë një veprimi të keq ne ndihemi të brishtë, pasi na mungon forca e kurajës dhe e durimit, dhe jemi shumë të fortë për t’i bërë rezistencë të mirës.

Cicërimat e zogjve jashtë sjellin një rend të ri veprimi, atë të dashurisë shtegtare. Nëse një ditë dështojmë nga dashuria, ajo që na mban brenda vetes është ekuilibri për të kuptuar se brenda kaosit për të venë rregull ka vetëm kaos. Nuk humbet përpjekja për rregull, thjesht bindesh që brenda iluzionit dashuror ka vetëm kaos. Ka momente ku në dashuri gjendet edhe filli për t’u fikur, ashtu siç dëgjojmë nëpër kronika lajmesh, ku krimi brenda familjes na zgjon nga përpjekja iluzioniste e rregullit psikologjik.

Një shkrimtare e madhe shkroi një libër në 1946, Elsa Triolet, të cilin e titulloi “Askush nuk më do”. E kush nuk ia ka bërë vetes këtë pohim?! Shpirtërorja është një përgjegjësi e madhe pa xhepa. Ndodh të mos i detyrohesh kurrkujt asgjë, por vetja jote të thërret brenda saj, që shpirtërisht ke një përgjegjësi të një tjetër natyre. Disa do ta quanin humanizëm e disa të tjerë ndjeshmëri.

Gjërat shkojnë atëherë kur iluzioni i xhepit në përgjegjësitë tona shpirtërore na gllabëron shpresën për dashuri, duke besuar në ditët kur kaosi do të quhet kaos dhe do ta duam për atë trajtë që është.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 133

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top