Pika referimi

April 30, 2019 | 8:10

Nga Dorina HOXHA / Këpucët me progje

“Kjo e jona është një epokë në të cilën fëmijët janë mbi çdo gjë tjetër dhe më shumë se çdo gjë tjetër, objekte të konsumit emocional”. (Zygmunt Bauman- Amore Liquido; Editori Laterza 2010 pg .58 )

Dorina Hoxha, publiciste

Dorina Hoxha, publiciste

Në vite pas, pritari i dimrit na zgjon brenda nesh dëshirën për të qenë udhëtari i një kohe tjetër. Të udhëtosh brenda vetes do të thotë të thyesh kufij ku përditshmëria të vendos prita të reja për të harruar se jetove në një epokë tjetër emocionale. Nga ana fizike, vjeshta e natyrës dhe e shpirtit vjen për të paralajmëruar përfundimin e një cikli, si një fazë e humbjeve të vragshme.

Përse purpuri i vjeshtës bëhet prasku i zemrës?! Pyetje që nuk i përgjigjesh rrufeshëm. Çdo fjalë është përgjegjëse për çdo ‘gjethe’ që i bie shpirtit, çdo fjalë është shkaku dhe pasoja e një stine të stuhishme që mbetet gjatë në kujtesën e një fëmijërie. Duart i vendos mbi prekla dhe më krijohet përshtypja e shoqërisë të mbushur me abuzues, kjo kohë mban peng një tjetër kohë që nuk zhbëhet.

Në vitet 1980 fëmijët në Shqipëri kishin pothuaj të njëjtin nivel jetese, veshja pothuaj ishte e së njëjtës cilësi, nuk kishin internet, as televizor, i vetmi argëtim ishte gruri i përtypur si çamçakëz dhe një balon do të ishte luksi i një fëmijërie të censuruar. Veshjet ishin të arnuara, këpucët ishin me progje dhe një shuplakë e atyre viteve të mbetej gjatë në kujtesën. Më dukej se jo vetëm shoqëria jonë është përballur me këto problem, por çdo shoqëri e dhunshme që si moto ka keqtrajtimin dhe dhunën në familje. Nëse kontribuojmë për një familje të shëndetshme atëherë duhet të shlyejmë të pavërtetat me të vërtetën dhe të drejtën.

Vlerat e familjes dhe dashuria që ky koncept mbart në vete janë zëvendësuar me antivlerat që prodhon dhuna, neglizhimi apo situatat e ndryshme shoqërore, duke lënë gjurmë të pariparueshme në kujtesën tonë afatgjatë. Nuk dhembin progjet në këpucë, as arnat mbi lëkurë, dhemb ajo pjesë e vetes që nuk e dije që ende dhembte. Fëmijëria është faza ku ekzistojnë premisat e mëdha për të rritur njerëz të shëndetshëm ose jo psikologjikisht.

Mënyra se si krijohet një familje është thelbësore për të kuptuar mënyrën e edukimit që do t’i ofrojnë fëmijëve më pas. Sociologu Zygmunt Bauman cilëson në librin e tij “Dashuri e lëngshme” se kjo e jona është një epokë në të cilën fëmijët janë mbi çdo gjë tjetër dhe më shumë se çdo gjë tjetër, objekte të konsumit emocional. Të konsumohesh emocionalisht nënkupton të japësh dhe marrësh emocione duke vënë në plan të parë anën shpirtërore dhe duke rrezikuar zhgënjimin. Për zemrën nuk ka progje, ndaj kur ne konsumohemi shpirtërisht, do të thotë të mbetesh i pariparuar.

Martesat dhe dashuritë zbehen nëse nuk të konsumojnë shpirtërisht, e konsumimi i tyre vjen nëpërmjet një forme të re e cila përgjatë gjithë jetës do të riprodhojë një konsumim brenda jush pa u ndalur, është brenda nesh arsyeja nëse do ta quash një objekt konsumi fëmijën ose një flijim i qëllimshëm dhe i dëshirueshëm për t’u konsumuar në formën më sublime të dashurisë.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top