
Nga Dorina HOXHA Publiciste
Miqtë e mi, ne nuk e dimë se kur do të jetë hera e fundit që flasim, shohim, përqafojmë familjarët, të afërmit apo njerëzit që i duam. Ne nuk e dimë se kur do jetë festa e fundit që gëzojmë me ata, apo në cilin muaj të Ramazanit do t’ja uronim Bajramin e fundit.
Në muajin Janar të këtij viti, gjyshja ime ndërroj jetë dhe unë nuk e dija që Ramazani i vitit të kaluar do të ishte i fundit për të, gjithashtu kjo ishte edhe një mundësi e fundit për mua t’ja uroja muajin e sakrificës asaj nga ku niste dashuria. Miqtë e mi, sot për besimtarët myslimanë nis një rrugëtim shpirtëror që kërkon sakrificë, vullnet të mirë, por mbi të gjitha kërkon dashuri, na kërkon të qëndrojmë larg veseve të dëmshme, larg gjërave dhe mjeteve që na pengojnë të shohim me sytë e dashurisë njëri-tjetrin.
Madhështia e këtij muaji qëndron në metaforën që përciell sakrifica fizike (agjërimi) për të shkuar në sakrificën shpirtërore, e për të kuptuar se vlera më e madhe e njeriut nuk qëndron në materialen, por në atë që përmban shpirti.
Vlera më e madhe e njeriut shihet tek raporti i tij/saj me familjen. Nëse ke dikë që të pret brenda pragut të shtëpisë ndihu më i lumturi në botë. Dikush mezi ka pritur trokitjen tënde në derë dhe të të thotë: – Erdhe! Gëzoju këtij rrugëtimi, lutu dhe falu dashuri atyre që ke frikë t’i humbësh, mbase nuk do të kesh një mundësi të dytë nesër.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.