Në fokus

January 7, 2019 | 8:05

Nga Dr. Alma Hasalami: Hipnoterapia, një udhëtim në dhomat e errëta të psikës

Si çdo Hero, vetëm ti mund ta vrasësh përbindëshin tënd. …dhe e gjitha fillon me shembjen e mureve, me zhveshjen e vetes përballë një bote të egër, të errët, të paparashikueshme, pa limite, por më e rëndësishmja: pa gënjeshtra.

Dr. Alma Hasalami -PSIKIATRE ( fëmijë dhe adult)

Dr. Alma Hasalami -PSIKIATRE ( fëmijë dhe adult)

Hipnoza – një term që ngjall frikë, mister. Shumë abuzohet me këtë fjalë, por pak hidhet dritë mbi të. Shumë përdoret për të manipuluar, por krejt pak për të shëruar.

Shumë predikojnë që kafshimi i Mollës ishte mëkat. Njohja – ky mëkat kaq i bukur.

Dhe e gjitha fillon me shembjen e mureve. Me zhveshjen e vetes përballë një bote të egër, të errët, të paparashikueshme, pa limite, por më e rëndësishmja: pa gënjeshtra.

A është e domosdoshme? Patjetër që po. Po aq sa është e domosdoshme e vërteta. Po aq sa është e domosdoshme të ngasim vetë timonin e jetës sonë. Në rast se duam të jemi vetë mbreti i mbretërisë sonë. Përndryshe do mbetemi në një makinë me dy timona: njëri i yni, tjetri i përbindëshit brenda nesh. E hajde merru vesh me përbindëshin. Nuk ka negociata me të. Ai dalëngadalë, si pa kuptuar, të çon në një natë të ftohtë me shi, të bën pis xhamat, ndërkohë që të ka thyer fshirëset e tyre, e të drejton drejt një humnere pa kthim.

1Kështu që në rast se do t’i shpëtosh humnerës, duhet të përballesh me përbindëshin. Si çdo Hero, vetëm ti mund ta vrasësh përbindëshin tënd. Historia njeh raste si p.sh. pseudoheroi Jason, i cili nuk pati guximin ta mbaronte vetë atë punë. U ndihmua nga Medea, e cila shumë shpejt kuptoi që ai nuk ishte i denjë për dashurinë e saj. Vetëm Heroi e meriton dashurinë e vërtetë. Ndaj kurrë nuk mund ta fitojmë lumturinë, dashurinë, parajsën, pa vrarë përbindëshin.

Porta hapet. Përbindëshi të pret gjithë gjallëri. Nuk je gati për sulm. E sheh veten shumë të vogël përballë tij. Ndjen dhimbje dhe kupton se ke nevojë për shërim. Menjëherë hap një portë tjetër, për t’i ikur rrezikut. Lehtësohesh kur sheh se ikja është diçka kaq e lehtë. Por a erdhe për të ikur kaq shpejt?! Këtu fillon labirinti i Dedalit, …i të kuptuarit… i shërimit. Labirinti i dhomave të Psikës, ku i vetmi shpëtim është dalja. Dalja ndodh vetëm atëherë kur ke kuptuar pse je aty. Vetëm pasi të kesh vrarë përbindëshin tënd.

Fillimisht tronditesh. E sheh veten të transformuar, të tjetërsuar. Pikërisht ashtu siç nuk do doje asnjëherë të ishe. Por e ndjen që aty ka një të vërtetë shumë të madhe, që rezonon thellë me frikërat e tua, me ndjesitë e tua të fajit. Udhëtimi nëpër dhoma nuk qenka kaq i këndshëm. Vazhdon të hapësh porta të tjera. Sheh veten të ngecur në mjedise që nuk i ke dëshiruar asnjëherë, por që janë metafora më e gjallë e përditshmërisë tënde. Realiteti i krijuar nga vetë ti. Kupton që nuk është kjo natyra jote e vërtetë dhe kërkon të heqësh dorë. Ulëret, çirresh, zemërohesh dhe… mrekullohesh kur kupton sa e lehtë është të dalësh nga kjo. Muret fillojnë e dridhen. Dhomat e labirintit shemben mbrapa teje, një nga një. E gjen veten përsëri përballë përbindëshit tënd. Kupton që i gjithë ky udhëtim ish krijuar nga ai. Kupton që paska qenë ai pronar i realitetit tënd, i jetës tënde. Tashmë e njeh. E di se çfarë natyre ka: epsh i pangopur deri në vetëshkatërrim. Nuk do doje të ishe si ai. As vdekja nuk të zmbraps më. Me vendosmëri nisesh drejt tij… kur…përbindëshi shpërbëhet si muret e labirintit. Nuk ka më asgjë. Vetëm ti fitimtar duke ngulur flamurin tënd, në tokën tënde. Tashmë je ti mbret i psikës tënde. Krijues i realitetit tënd.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top