Psikokurthi i vërejtur më shpesh në çdo epokë të historisë njerëzore është tendenca që të tjerëve t’u atribuojmë perceptimet dhe besimet tona, duke pritur prej tyre ekzaktësisht veprimet dhe reagimet që ne do të bënim po të ishim në vendin e tyre. Mirëpo, nëse thjesht marrim parasysh faktin se çdo organizëm njerëzor ka evoluar përmes përvojave të ndryshme dhe ka karakteristika biopsikologjike që janë tërësisht origjinale dhe të papërsëritshme, ky interpretim nuk ka kuptim.
Në realitet, nëse mendojmë se çdo qenie njerëzore ndërton një sjellje dhe mendim vetjak, ky psikokurth duket plotësisht i arsyeshëm. Ai që ka një ide për atë që është e drejtë dhe atë që nuk është e drejtë, që ka përpunuar një sërë vlerash etike-morale që duhet të respektohen dhe që, në përvojën e tij, ka treguar se ato janë të dobishme për veten dhe për të tjerët, e ka shumë të vështirë të imagjinojë mënyra alternative të të menduarit dhe menaxhimit të jetës.
Pra, përballë sjelljeve të ndryshme të të tjerëve, këta njerëz janë thellësisht në krizë. Megjithatë, ky zhgënjim dhe kjo vuajtje, është vetëm pasoja më e parëndësishme e këtij psikokurthi. Situata bëhet tragjike kur, përpara vendimeve të rëndësishme ose në situata rreziku apo kur kemi përfshirje të rëndësishme afektive dhe emocionale, ne presim që të tjerët të bëjnë pikërisht atë që ne do të bënim në vendin e tyre. Në këtë rast, edhe para zhgënjimit, do të duhet të përballemi me efektet e padëshirueshme, ndonjëherë të rënda, të veprimeve të bazuara në pritshmëri të gabuara. Për fat të keq, ky psikokurth shtrihet pothuajse në të gjitha sferat e ekzistencës sonë dhe shpesh është një burim i humbjeve dhe zhgënjimeve të hidhura, pasi mund të krijojë forma të rënda depresioni ose reagime të zemërimit dhe agresionit jashtë kontrollit.
Në fakt, ne mund të jemi viktima të pritshmërive tona të gabuara në përballje me të tjerët. Mjafton të mendoni se sa herë i tregojmë vetes se çfarë do të ishte e drejtë të bënim dhe sa herë, në mënyrë spontane, bëjmë diçka tjetër. Nën një presion të caktuar emocional, ne zgjedhim diçka më pak të vështirë dhe stresuese sesa ajo që do të ishte e drejtë të bënim.
Nga pikëpamja kognitive, ky psikokurth bazohet në aftësinë e ulët për ta vlerësuar realitetin, duke e parë në këndvështrime të ndryshme: ne kapemi fort pas bindjeve dhe besimeve tona. Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë vetëm për zgjidhje të ndërgjegjshme, por në të shumtën e rasteve, për zgjedhje të bëra në bazë të perceptimeve dhe ndjenjave të bazuara në emocionet e momentit apo në shoqërimet, shpesh të pandërgjegjshme, me përvojat e mëparshme. Pra, nuk bazohemi në arsye. Nuk mjafton të dimë si të mendojmë mirë për të shmangur së gërmuari këtë kurth mendor. Siç thotë autorja e serisë së librave “Harry Potter”, J. K. Rowling, “Ne jemi të lidhur me një lidhje të padukshme me frikën tonë. Ne jemi kukulla dhe kukulla viktimë të pritshmërive tona”.
Për të shpëtuar nga kurthet e mendjes dhe si të dilni prej tyre, ju sugjerojmë librin e autorit, i cili ka situata dhe tregues realë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.