Tani është pikërisht koha që të mendojmë për çastet e para të ardhjes së fëmijëve në kopsht.
Çdo ditë të jetës sonë ne sillemi në mënyra të ndryshme me njerëz të ndryshëm. Por gjatë periudhës së fëmijërisë, shumica prej nesh mësojmë se si të sillemi në mënyrë të pranueshme nga shoqëria në të cilën jeton. Dhe këtu një rol të rëndësishëm luan periudha 3–6 vjeçare, gjatë së cilës fëmijët frekuentojnë kopshtin.
Mësueset e fëmijëve të kësaj grupmoshe duhet të kenë parasysh se në çdo situatë ekzistojnë të paktën tre faktorë rreth të cilëve rrotullohen ngjarjet në grup e që janë: fëmijët, ne dhe mjedisi rrethues.
1. Fëmijët janë ende në procesin e tyre të zhvillimit, janë ende të papjekur dhe pa përvojë. Ndjenjat e tyre janë të fuqishme dhe ata ende nuk mund t’i kontrollojnë ato. Në shumicën e rasteve, mënyra e sjelljes së fëmijës varet nga faza e zhvillimit të tij, por ajo ndikohet shumë edhe nga temperamenti, aftësitë, shëndeti, familja, ndjeshmëria, si dhe nga historia e jetës së tij. Sjellja e tij mund të jetë normale për fazën e zhvillimit ose, në të kundërt, mund të tregojë për ekzistencën e disa problemeve serioze me të cilat fëmija po përballet.
2. Ne jemi të pjekura dhe me përvojë, por rritja e askujt prej nesh nuk ka qenë perfekte, sepse të gjitha kemi doza papjekurie dhe foshnjërie që flenë brenda nesh. Megjithatë, ne jemi në gjendje të vështrojmë brenda vetes dhe t’i njohim pikat tona të dobëta, t’i pranojmë ato apo edhe t’i anashkalojmë. Dhe nëse mund të ndodhë që reagimi ynë i parë ndaj veprimit të një fëmije të zemëruar është që edhe ne të zemërohemi apo t’i bërtasim, atëherë kjo do të thotë se nuk jemi rritur ende ose jemi ndikuar, me siguri, nga gjendja jonë shëndetësore, nga përgjegjësitë personale apo gjendja emocionale e çastit.
3. Gjithçka në mjedisin rrethues – madhësia dhe mobilimi i dhomës, temperatura dhe ajrimi, numri i njerëzve që janë në të, zhurmat e ndryshme, mjedisi fizik i jashtëm etj – ndikon mbi ne dhe mbi fëmijët.
Të gjitha edukatoret e arsimit parashkollor që kanë pasur grup të parë, pra fëmijë të moshës 3-4 vjeç, janë dëshmitare të një situate shumë të vështirë në ditët e para të ardhjes së tyre në kopsht. Por kjo nuk përjashtohet as në grupet e dyta dhe të treta, kur fëmijët vijnë për herë të parë në atë kopsht ose në atë grup, vijnë nga një kopsht tjetër, nga një rreth tjetër ose nga një vend tjetër.
Për mësueset tashmë janë të zakonshme skenat e mëposhtme: fëmijë që qajnë me ngashërim kur ndahen nga prindërit, që provokojnë të vjellët, që nuk afrohen me të rriturit, fëmijë të dhunshëm, fëmijë që kanë probleme me të folurit në dialekte të ndryshme e që ua frenon mënyrën e komunikimit. Por jo të rralla janë edhe rastet kur prindër të caktuar duan t’i imponojnë mësueses mënyrën e sjelljes së fëmijëve të tyre; prind që, në një çast nervozizmi dhe kur sheh se po i ikën koha duke u marrë me fëmijën, e godet atë; prindër ose gjyshër që kërkojnë të rrinë gjatë në kopsht. Po t’u shtosh këtyre edhe parapëlqime të veçanta apo teka të fëmijëve, numrin e tyre të madh nëpër grupe etj, kuptohet se sa e rënduar bëhet situata. Por nuk ka si të jetë ndryshe. Kështu ndodh me fëmijët. Ndërkaq, asnjëherë nuk duhet të harrojmë se përshtypja e parë zgjat përgjithnjë, ndaj dhe duhet të bëjmë përpjekje që kjo “përshtypje” të jetë sa më e mirë, në mënyrë që të realizohet më lehtë dhe më mirë përshtatja e fëmijëve me personelin e kopshtit dhe me mjedisin e ri.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.