Këshilla & Arsye

June 15, 2017 | 12:30

Nga Dr. Klaudia Stajka / Lente kontakti? Çfarë duhet të dini më parë!

klaudiaPërdorimi i lenteve të kontaktit gjatë tridhjetë viteve të fundit ka qenë në kulmin e lulëzimit të tij në pothuajse mbarë botën. Dekada e fundit ka prekur edhe Shqipërinë. Por a ka tregu shqiptar informacionin e duhur në këtë fushë apo ne jemi thjesht kopje shabllone e zhvillimit të huaj?! Pyetjet më të zakonshme që hasen te personat e interesuar janë: A mund të përdorë çdokush lente kontakti? Në çfarë moshe duhet që të përdoren? Cili është tipi i duhur për mua? A është e dhimbshme ta prekësh syrin me dorë? Më mirë syze apo lente? Po sikur të më zërë gjumi me to?

lente-kontaktiËshtë plotësisht normale të kesh të tilla pikëpyetje para herës së parë. Në fund të fundit, nuk është diçka që duhet marrë lehtë. Bëhet fjalë për një proces që kërkon me domosdoshmëri konsultë me mjekun dhe një recetë mjekësore. Pikërisht, ky është hapi i parë që duhet marrë pas dëshirës për të hequr syzet.

Vizita dhe konsulta me okulistin!

Të dashura vajza, tani është momenti për të hequr lapsin e syve, penelin dhe t’i thoni jo make up-it. Mjeku duhet të ketë përpara recetën e fundit të syzeve tuaja, si dhe të jetë në gjendje të ekzaminojë çdo pjesë të syrit në një “mjedis” sa më të pastër. Është mjeku okulist ai që vendos nëse parametrat e syrit tuaj janë adekuat për të vendosur lente kontakti, materialin e përshtatshëm të tyre, diametrin e lentes dhe të dhëna të tjera që i diferencojnë ato nga njëra-tjetra si lagështia, oksigjeni dhe nëse syri është i aftë të kalojë natën me to.

Lentet e kontaktit sot janë të disponueshme për pothuajse çdo recetë dhe formë syri. Evolucioni i tyre ka arritur në nivelin më të lartë të sigurisë dhe komfortit!

Përdorimi i lenteve fillon që nga mosha tetë vjeç, në varësi të aftësisë së pacientit për kujdes e higjienë vetjake dhe ajo që të gjithë duhet të dinë është se, pavarësisht moshës, hera e parë gjithmonë do t’ju shkaktojë një ndjesi të çuditshme, të ngjashme me atë të futjes së një qerpiku në sy, pluhurit apo të një gërricjeje të lehtë, e cila kalon gjatë dhjetë minutave të para derisa syri të përshtatet me praninë e një trupi të huaj në të. Në rast dhimbjeje, vendosja e lentes është e papranueshme dhe duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku juaj. Lentet e kontaktit janë të disponueshme në disa afate përdorimi, që nga ato ditore në ato mujore e disamujore. Fëmijët dhe adoleshentët janë të rekomanduar të përdorin lente ditore, të paktën deri në moshën 21 vjeç. Kjo sepse lentet ditore janë më të lehta dhe më pak të rrezikshme në përdorim. Të tilla lente, pasi hiqen prej syrit, nuk përdoren më, duke ulur kështu mundësitë e kontaminimit bakterial. Përdoruesit e lenteve mujore duhet të jenë disi më të kujdesshëm në mirëmbajtjen e tyre. Gabimi më i shpeshtë që ndodh në të tillë pacientë është se, shumica përpiqen të mbushin plot me solucion pastrues kutinë mbajtëse të tyre kur në fakt steriliteti ndikohet nga të tjera sjellje. Këto kuti duhen shpëlarë çdo ditë me ujë të nxehtë të rrjedhshëm dhe paskëtaj me solucion, për t’u lënë në fund të hapura, të thahen gjatë ditës. Një gabim tjetër i shpeshtë është se shumica e përdoruesve neglizhojnë ndërrimin e tyre. Kutitë duhen zëvendësuar rregullisht çdo tre muaj. Prej tyre krijohet një zinxhir i gjatë dhe i rrezikshëm infeksioni.

Gjumi me lente? Njësoj si gjumi me këpucë, ndoshta dhe më i keq!

Problemi qëndron këtu: lentet e kontaktit janë si një barrierë që izolojnë kornenë nga oksigjeni. Kur ju mbyllni sytë për orë të tëra krijoni një mjedis të errët, të ngrohtë, anaerob, optimal për rritjen e baktereve dhe kërpudhave. Ndonëse është e kundërindikuar të flini me lente në sy, pas një dremitjeje të papritur nuk ka vend për t’u alarmuar! Në pjesën më të madhe të rasteve ju do të zgjoheni dhe gjithçka do të jetë në rregull. E rëndësishme është të mos shkoni me vrap për t’i hequr! Më e mira që duhet bërë në një situatë të tillë është të hidhni disa pika nga lëngu juaj lubrifikues (lot artificial) sepse me siguri ato do të jenë tharë dhe të prisni disa minuta. Në të kundërt, mund të pësoni ndryshime të shikimit, skuqje të syrit dhe, në rastin më të keq, abrasion, gjë që duhet t’ju çojë menjëherë për ndihmë mjekësore.

Mbrojini lentet tuaja nga uji!

Acanthamoeba është një mikroorganizëm, i cili rritet në mjediset ujore. Tubacionet e ujërave, pishinat, liqenet dhe uji i ngrohtë janë habitati i tyre i parapëlqyer. Ndonëse një infeksion i tillë mund të ndodhë dhe në persona me sy krejt të shëndetshëm, syri, i cili mban lente është më i prirë për të zhvilluar infeksion duke qenë se ato qëndrojnë ngjitur me kornenë për një kohë më të gjatë. Nëse ndodh që kjo e fundit të infektohet, dëmtimi mund të jetë tepër i madh dhe rezistent ndaj mjekimeve. Për çdo shqetësim, e rëndësishme është që të ruani qetësinë! Edhe nëse lentja ju është zhdukur. Paniku në një situatë të tillë vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat. Megjithatë, ja ku është një lajm i mirë: nuk mund të ndodhë asnjëherë që lentja të rrëshqasë nga pjesa e përparme në atë të pasme të syrit. Konjuktiva ndodhet gjithmonë aty për të bllokuar çdo gjë që rrezikon të kalojë në pjesën e pasme të tij! Kur të vendosni të përdorni lente është e rëndësishme të dini se nuk do jeni të parët që, pasi të fërkoni sytë, shikimi të turbullohet. Me siguri lentja ka lëvizur, është përthyer nga fërkimi ose ka rënë, por siç e thamë më sipër, është e pamundur që ajo të zhduket. Në të shumtën e rasteve ndodh që të jetë ngjitur lart dhe gjithçka duhet bërë, është disa pika lëng hidratues, t’i mbyllni sytë dhe t’i fërkoni butësisht horizontalisht, duke parë poshtë derisa ajo të rishfaqet.

Keni shumë kohë që përdorni lente kontakti dhe kohët e fundit ato thahen dhe mjegullohen më shpejt se dikur? Çfarë po ndodh?

Ky është një shqetësim i zakonshëm që vjen kryesisht në përdoruesit e rregullt të lenteve prej më shumë se dhjetë vjetësh. Vlen të përmenden disa faktorë që nxisin tharjen e syrit: Kontakti i lentes me kremin e duarve apo sapunët me bazë linolini, medikamente si antihistaminikët, anksiolitikët, kontraceptivët oralë apo dhe orët e gjata para kompjuterit ndikojnë në reduktimin e lagështisë së syrit dhe, si pasojë, tharjen e tij. Nëse preferoni të përdorni lentet e kontaktit thjesht për të ndryshuar ngjyrën e syve, trajtojini ato me të njëjtin kujdes! Komponenti estetik nuk i distancon ato nga kujdesi mjekësor. Nuk janë të rralla rastet me dëmtime të rënda të syrit për shkak të blerjeve online, shkëmbimit me dikë tjetër apo përdorimit të solucioneve lubrifikuese nga joprofesionistë.

Përse të heqim syzet optike?

Lentet e kontaktit ju mundësojnë një pamje më natyrale, pa kufizime të fytyrës dhe janë të kombinueshme me të gjitha ngjyrat e gardërobës. Lentet nuk mbushen me avull nga ndryshimi i temperaturës dhe nuk janë të bezdisshme në ditët me shi. Ndryshe nga syzet nuk kufizojnë shikimin periferik dhe nuk ju rëndojnë e rrëshqasin mbi hundë. Me lente kontakti të gjithë do mund të shohin sytë tuaj të bukur!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top