Një informacion i vlefshëm për gratë, mjekët, mamitë dhe stafet mjekësore!
Hemorroidet gjatë shtatzënisë janë një fenomen mjaft i njohur kudo në botë. Studimet referojnë se rreth 50% e grave preken nga sëmundja hemorroidale përgjatë muajve të shtatzënisë. Ndonëse një pjesë e grave ankohen për hemorroidet gjatë shtatzënisë, një pjesë e tyre ankohen pas lindjes së fëmijës.
Një numër i konsiderueshëm i grave referojnë se më tepër e dhimbshme ka qenë menaxhimi i hemorroides, se sa vetë lindja. Simptoma fizike të tilla si hemorragjia, dhimbje gjatë e pas defekimit, pruritusi, vështirësia në daljen jashtë, formacionet rreth e qark zorrës dhe stresi psikologjik e vënë gruan në një situatë shqetësuese përballë vetes dhe personave të tjerë në familje.
Ndonëse simptomatologjia e hemorroides është e njëjtë si para, gjatë shtatzënisë apo pas lindjes, shpërthimi i sëmundjes sidomos gjatë muajve të fundit të shtatzënisë e lodh së tepërmi gruan shtatzënë, që ka për qëllim të përfundojë më sukses shtatzëninë e dëshiruar.Hemorroidet gjatë shtatzënisë janë një fenomen jashtëzakonisht i pakëndshëm dhe i dhimbshëm.
Gratë duhet të informohen që disa ndryshime të thjeshta në mënyrën e jetesës ndihmojnë në parandalimin e zhvillimit të sëmundjes hemorroidale. Disa mënyra për të parandaluar zhvillimin e hemorroides në shtatzëni janë:
- Së pari duhet të evitohet konstipacioni apo kapsllëku.
Gratë duhet të konsumojnë dietë të pasur me fibra, ku përfshihet konsumimi i drithërave, frutave, perimeve dhe zarzavateve, të pinë 8-10 gota ujë në ditë, të evitojnë përdorimin e bukës së bardhë, pijeve të gazuara, ushqimeve pikante dhe ushqimeve të thata apo fast-food.
- Të përdorin suplementin e fibrës për reduktimin e kapsllëkut.
- Të evitojnë shtrëngimet e tepruara në tualet.
- Të evitojnë qëndrimin ulur për një kohë të gjatë. Nëse punoni në një zyrë ku duhet të qëndroni ulur në karrige gjithë kohës, çdo orë mundohuni të ngriheni dhe të ecni disa minuta. Në shtëpi qëndroni shtrirë në anën e majtë kur flini, lexoni apo shikoni televizor, në mënyrë që të ulet presioni në venat rektale dhe të rritet kthimi i gjakut nga pjesët e poshtme të trupit.
- Të bëjnë ushtrimin Kegel çdo ditë. Ky ushtrim konsiston në kontraksione të muskulaturës rreth anusit dhe vaginës për rreth 5-7 sekonda (pasuar me relaksimin e tyre). Kjo manovër rrit qarkullimin në zonën rreth zorrës dhe forcon muskulaturën anale, të vaginës dhe uretrës. Ushtrimi mund të bëhet 5-10 min çdo seancë dhe të përsëritet 2-3 herë në ditë.
- Mjekimet lokale konsistojnë në aplikimin e pomadave qetësuese që lubrifikojnë zorrën, ulin edemën dhe inflamacionin lokal dhe qetësojnë dhimbjen për rreth 10-14 ditë.
- Rekomandohet që të evitohet përdorimi lokal i sapunëve dhe shampove dhe të shpëlahet zorra me ujë të ngrohtë disa herë në ditë.
- Kompresat me akull mund të aplikohen disa herë në ditë, për të ulur edemën dhe diskomfortin anal. Gratë duhet të konsultohen me kirurgun koloproktolog për situatën shëndetësore dhe në muajin e fundit duhet të vlerësohen dhe për mënyrën e lindjes.
Në përgjithësi mjeku gjinekolog e rekomandon konsultën koloproktologjike.
Rastet më prolapse të avancuara hemoroidale, me tromboza e inflamacione të shprehura, rastet me fissura anale, me dhimbje e kontraktura, rastet që kanë bërë operacione të mëparshme rikonstruktive të zorrës, apo dhe kompleksit sfinkerial etj, u rekomandohet operacioni cesarian.
Rastet pa problematika evidente lindin natyralisht.
Pas lindjes, edhe kur ajo bëhet me operacion, mund të ndodhin përkeqësime të zorrës së trashë.
Postpartum, operacioni mund t’u ofrohet në çdo kohë, në varësi të situatës.
Edhe lehonat mund të operohen, nëse nuk mund të evitohet operacioni.
Pas interventit, fëmija mund të rifillojë ushqyerjen me gji, pasi terapia që i ofrohet gruas është e pranueshme gjatë laktacionit.
Episiotomitë mediane mirë është të evitohen, dhe të bëhen mediolaterale nga mjekët, për të shmangur dëmtimet e kupolës së sipërme të sfinkterit ekstern, me pasoja të rënda në continiencën anale.
Ndonëse vetë procesi i lindjes natyrale lë një inkontiniencë anale tranzitore, për shkak të rupturës difuze të kompleksit sfinkterial nga stretching, por që përmirësohet në një aspekt kohor prej 6 muajsh.
Çfarë kuptojmë me hemorroide?
E njohur ndryshe në gjuhën e përditshme popullore si “majasëll”, hemorroidet janë struktura vaskulare (të enëve të gjakut) të pjesës së fundit të zorrës së trashë (rektumit), në nivel të daljes së jashtme të anusit. Në gjendjen e tyre normale këto vena luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në kontrollin e defekimit (jashtëqitjes). Ato bëhen patologjike (pra të sëmura)kur fryhen dhe skuqen.
Pikërisht në këtë moment ato emërtohen si sëmundje hemorroidale (ose majasëlli). Hemorroidet klasifikohen në dy kategori, në hemorroide të brendshme dhe në hemorroide të jashtme. Në shumë raste mund të kemi njëkohësisht kombinimin e të dyja formave. Pikërisht në bazë të këtij klasifikimi përcaktohen edhe simptomat klinike të kësaj patologjie, si dhe jepen trajtimet që duhen ndjekur.
Burimi: supershendeti.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.