Për ishullin e Elbës kisha dëgjuar dhe isha kuriozuar që e vogël, kur gjyshi nga babi më tregonte rreth historisë se si Napoleon Bonapartin e internuan “në këtë vend të vogël e të vetmuar”. Dija që i përkiste Francës, dhe ishte cepi më i largët i mundshëm ku mund të internohej një i burgosur i rrezikshëm siç mund të quhej vetë Napoleon Bonaparti. Më pas mësova që Napoleoni kishte ardhur në këtë ishull, pikërisht në Portoferraio, në 3 maj 1814 për të filluar dënimin e tij të internimit. Gabimi ishte se atij iu lejua të mbante roje personale prej gjashtëqind burrash me vete në ishull. Dhe ai qëndroi në Elba për 300 ditë para se të arratisej dhe të kthehej përsëri në Francë më 26 shkurt.
Që do ta vizitoja këtë ishull, këtë dukej që e kisha kornizuar si ide qysh kur isha e vogël, por që e shtyja vizitën atje, kjo ndodhte pasi nuk më intrigonte shumë. E çfarë do shoh në një vend të humbur, ku imagjino, internojnë njeriun më të rrezikshëm të kohës? E përfytyroja si një vend të zymtë, të shëmtuar, me ndërtesa të rrënuara, dhe me pluhur të kuq si hekuri që nxirret nga minierat me shumicë të ishullit.
Një ditë e pashë përsëri këtë ishull në një revistë që bleva rastësisht në një librari. Aty m’u rikujtua historia që më tregonte gjyshi. Lexova me një frymë artikullin dhe po kërkoja nga fotot të krijoja një ide për ishullin në tërësi. Por përsëri mbeta e paqartë, pasi autori i artikullit siç duket, tjetër qëllim kishte pasur. Kështu që u nisa vetë ta prekja e ta shkelja me këmbët e mia, të nuhasja aromën e tij dhe të ndjeja çdo gjë të tij realisht. Shkuarja ime aty përkoi nga fillimi i majit dhe qesha me vete, pasi edhe Napoleoni në fillim maji ishte internuar aty.
Në fakt realiteti që ndesha ishte krejtësisht jashtë çdo përfytyrimi. Ishulli i tretë për nga madhësia në Itali (pas Sardenjës dhe Sicilisë), pjesë e arkipelagut të Toskanës, me një jetë shumë të vrullshme dhe aktive, me baret e vogla ku këndojnë këngëtarë dhe klientët pinë verë jashtë në rrugë, se nuk kane se ku të rrinë, por e gjithë kjo bën një atmosferë të hareshme për ishullin, me dyqane shik dhe lokale ku shërbejnë në një mënyrë shumë të veçantë me detaje që ta marrin mendjen, me plazhet dhe ujin kristal, molin e këndshëm ku rrinë parkuar jahtet apo varkat e vogla…
Ishulli duket një parajsë e vogël në tokë. Linjat e trageteve që ikin e vijnë çdo një orë ose më pak, janë ato që lidhin ishullin me pjesën tjetër të botës dhe këtë e bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jeta e natës: aventurë pa pushim, aq sa të duket sikur nuk ka fund: motorë që venë e vijnë, këngëtarët dhe grupet e të rinjve që kërcejnë në rrugë, alegri e pakufishme. Por edhe dita ka shkëlqim e bukuri! Dhe teksa shihja ndërtesat e vjetra dhe të reja, ndërsa shihja reliket apo kështjellat, faret, bedenat, muzeumet, muret rrethues, plazhet që shtriheshin poshtë këmbëve të fortesave shumë pranë portit, pyesja veten: “atë Napoleon Bonapartin për pushime e kishin sjellë këtu apo për ta internuar?”.
Me klimën si shampanjë e kodrat e mbushura me vreshta, a kishte ndopak ngjashmëri me një vend si Spaçi, p.sh, siç e përfytyroja unë gjithë këtë? “Spaçi” i Napoleonit, një parajsë e vogël me diell dhe ngjyra. Ky quhet ishulli i Elbës.
Çfarë nuk duhet lënë pa provuar:
1- Të provosh të blesh parfumin vendas që quhet “Aqua elba” – për burra dhe për gra, ku 100 ml kushton 80 Euro.
2- Të provosh të pish verë vendase sepse aty rriten shumë vreshta dhe vendi mbahet për verë cilësore. Edhe birra gjithashtu është tipike, ajo më tradicionalja quhet “Napoleon”.
3- Të ngjitesh në kështjellën e qytetit ku sheh pothuajse gjithë ishullin, vilën e Napoleonit, Muzeun dhe gjithë vendin ku ai ka qëndruar.
4- Të bësh hiking në kështjellën Volterraio. Ajo është e mbushur me mister. Thuhet që netëve dalin shpirtrat dhe fantazma. Nëse nuk e besoni, pyesni vendasit. Nëse nuk besoni as ata, provojeni vetë.
5- Të bësh plazh në një nga plazhet me natyrë të mrekullueshme dhe ujin kristal.
Sugjerim:
Unë për vete sugjeroj që të flihet në hotel pranë qendrës historike. Në mes, tek sheshi pranë Kishës ka një parkim të madh ku mund të lësh makinën pa problem dhe gjithçka e bukur është afër.
Si arrihet deri në ishull?
Ishulli është pjesë e Italisë. Arrihet nga Piumbino me tragete që nisen çdo 1 orë. E gjithë rruga vajtje-ardhje kushton rreth 60 Euro për person. Gjithashtu edhe për makinën në varësi të përmasave që ka.
Kur të shkosh?
Muaji maj është muaji më i bukur i vitit në ishull por alegria dhe qejfi për argëtim që kanë vendasit nuk njeh stinë. Mendoj që korriku dhe gushti janë muajt më me fluks turistësh, vështirë të kënaqesh!
Kuriozitet:
Ishulli Elba është i famshëm në mbarë botën për strehimin e perandorit francez Napoleon në 1814 gjatë mërgimit të tij. Por historia e saj shkon prapa në parahistori, me fisin Ilvati nga Liguria që e quajti ishullin “Ilva”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.