Në fokus

November 28, 2019 | 13:28

Nga Edlira Durmishaj: Këshilla psikologjike pas një traume

Shpërnda! Ndihmo! Qetëso! Shumë mesazhe kam marrë nga të rinj të panikuar që pyesin si të menaxhojne frikën, ankthin pas ngjarjes së tmerrshme e tronditëse të tërmetit.

Së pari, me keqardhje shpreh pamundësinë time për t’ju bashkuar psikologëve në terren, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të goditur nga katastrofa, dhe besoj në mirëkuptimin tuaj sa kohë në plan të parë janë fëmijët, të cilët padyshim zënë nevojën më emergjente për mbështetje psikologjike dhe parandalim. 

Edlira Durmishaj, Psikologe Klinike

Edlira Durmishaj, Psikologe Klinike

Së dyti, mendova të ndaj këtu publikisht disa këshilla të cilat shpresoj se do t’ju vijnë sadopak në ndihmë e t’ju lehtësojnë të bashkëpunoni me tronditjen tuaj me dhimbjen, me traumën.

1-Falenderoni

Ju kurrë nuk mund ta dini se deri ku mund të kishte shkuar dhimbja juaj. Për sa kohë keni “jetën” ju jeni akoma të bekuar me mundësi dhe shanse pafund nga e ardhmja juaj. 

2-Reflektoni

Të shpërthesh në mallkime, sharje, ofendime, blasfemi e pikëpyetje pa adresë nga më të dhimbshmet, është gjëja më e thjeshtë, por mos harroni ligjin: Asgjë në jetë nuk ndodh rastësisht. Asnjë sprovë nuk vjen vetëm për një arsye të mirë. E meqë sprovat na kushtojnë dhimbje, asnjë e mirë nuk vjen pa dhimbje. 

Ajo është kusht i domosdoshëm për rritje, zhvillim, ndryshim. 

Ndalu dhe reflekto, medito! Zoti që nuk t’i mbylli shanset e jetës, ka menduar edhe se si do të furnizojë më tej.

3-Vlerësoni

Shpesh në jetë na duhet të rivlerësojmë atë që kemi, ato që bëjmë, energjitë që shpenzojmë etj, por të gjendur përballë atashimit emocional me situatat, personat dhe rutinat, e kemi të vështirë, pothuajse të pamundur të rivlerësojmë e më pas të ridimensionojmë pozicionin e tyre në zemrat tona, si dhe përkushtimin tonë në kohë dhe energji ndaj tyre. 

Të tilla situata na detyrojnë duke na “shkundur” të mbetemi vetëm ne dhe ajo që është më e rëndësishmja se të gjitha: jeta, shëndeti. 

Këto, situata na japin mundësinë reale të ridimensionojmë pozicionin tonë në jetë ndaj vetes, ndaj më të shtrenjtave, ndaj prioriteteve, ndaj Zotit.

4-Reagoni

Sapo keni mbijetuar! Me siguri edhe sot, akoma ndjeni dridhje e ju duket sikur akoma shtëpia juaj po tundet e pamja ju dridhet herë pas here, aq sa ju bëhet fiksim të shihni aplikacionet tuaja, a ishte vërtet një tërmet i regjistruar, apo t’u duk ty sikur u dridh? 

Është ndjesi e fortë, shumë e fortë. E di se besoni se jeni aty aksidentalisht, e se do të duhej me shumë gjasa të mos ishit, por jo! Ju nuk jeni aty rastësisht, as aksidentalisht.

Jeni akoma sepse Zoti ka caktuar se kë do marrë pranë vetes, dhe kujt do që t’i hapë dritare të reja e dimensione të reja kuptimi, ndjenje, vlerash, dhe patjetër, do të dëgjojë zërin tuaj. 

Atje lart, nuk është aq terr sa ç’mund të imagjinoni. Pikërisht ndjenja e mbijetesës aksidentale dhe të ndjerit në pikëpyetje për ekzistencën, kjo sapo ka shënuar në mendjen tuaj, në zemrën tuaj, në shpirtin tuaj, në trupin tuaj, Traumën.

Duhet të dini se, ashtu si kujtimet tuaja, edhe trupi juaj ka memorie. Ai është si një mendje e madhe më vete. Asgjë në të, nuk kalon pa lënë gjurmë. Dhe dhimbja ka një mision: Ajo kërkon që të dëgjohet, të ndjehet. 

Organizmi ynë na e rikthen përjetimin e dhimbjes në formën e një kujtimi “flashback”.

Është sikur do të të thotë: “Të kujtohet kur filloi të dridhej toka fuqishëm dhe ti nuk dije ku të shkoje dhe mendove se do të vdisje tani dhe, dhe, dhe, dhe…. “ … dhe kështu ti e mban aty eksperiencën të gjallë, të freskët sikur të ishte tani. 

Këtu reagoni! 

Thuajini vetes tuaj: Ishte e tmerrshme, e dhimbshme, shuuuumë e frikshme, doja të ulëras nga tmerri por kisha frikë të traumatizoj fëmijët që ishin në gjumë etj, (sipas rasti tuaj). Por, faleminderit Zotit, TANI ËSHTË VETËM NJË KUJTIM I HIDHUR. Ka kaluar, është e shkuar tanimë, nuk është realiteti im tani. 

Ndërkohë, bëni frymëmarrje të thella, përpiquni të qetësoni trupin, merrni ajër të pastër, bëni një dush, hani ndonjë çokollatë etj, etj., veprime të vogla që shprehin përkujdesje dhe dashuri…. ndaj VETES. Ajo e meriton! 

Kjo do t’u ndihmojë që ju të ringjallni vetëdijen tuaj.

5-Flisni 

Flisni me njëri-tjetrin për ngjarjen. Tregoni eksperiencën tuaj. Dëgjoni ato të dikujt tjetër. Përpiquni të ndihmoni dikë. Kërkoni ndihmë për veten nëse shikoni se nuk po e tejkaloni dot situatën. Por mos u panikoni! 

Është normale të jeni të trembur të frikësuar, të mos ju hahet e t’ju jetë çrregulluar gjumi. 

Pasi ajo që keni në mendje, në kraharore e parasyve nuk është imagjinare, por një eksperiencë reale kontrete nga e cila ju, keni dalë paqe. 

Mos nxitoni të merrni barna neurologjike apo psikiatrike. 

Kontaktoni me një psikolog para se të merrni diçka. Nëse do ta gjykojnë se duhet, ata do t’ju referojnë te një specialist neurolog apo neuropsikiater. 

Është përgjegjësia juaj që, medikamentet që fusni në trupin tuaj, t’i merrni te një kopetent i shëndetit mendor. 

Mos harroni vetëm ju, jeni përgjegjës për nevojat tuaja! 

E nëse mendoni se ajo që ndodhi nuk e meritonit, keni në dorë që këtej e tutje, të mos ia ritregoni vetes tuaj pambarim, po të njejtën përvojë. 

Vetja juaj nuk e meriton t’ia risillni në vëmendje. Mos e bëni! Prisheni ciklin përmes, Mirënjohjes dhe Falenderimit. 

Dhimbja është njerëzore, mos e harroni! Vuajtja, jo. 

Vuajtje do të thotë që me vetëdije, t’ia risillni vetes suaj parasyve atë dhimbjen e atij momenti. 

Kjo është nga ju, nga nevoja për të folur dhe treguar gjithë botës se sapo keni mbijetuar. 

Atëherë ashtu bëni! Tregojani botës mbarë, jo vetes, ajo e di mirë. Ndaj meriton të ndihet e dëgjuar, e vlerësuar dhe nën kujdes. 

Më falni për këshillat nga rehatia dhe ngrohtësia e shtëpisë dhe gjirit familjar.

Sot disa prej nesh janë të sprovuar ndryshe.

Ndërsa ne, të sprovuar sa do tua lehtësojmë dhimbjen. 

Zoti na ndihmoftë!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top