Psikofakt

October 17, 2019 | 8:25

Nga Edmond TUPJA / A ekziston vallë lumturia?

Shumë bojë është derdhur dhe shumë ligjërata janë mbajtur lidhur me lumturinë si nocion, por edhe si realitet në një vend e periudhë të caktuar, dhe kjo prej shekujsh, të paktën këto dhjetë mijë vjetët e fundit, pra qysh nga lindja e qytetërimeve. Siç e kemi theksuar para disa muajsh në faqet e kësaj reviste, jo pak filozofë, sociologë, psikologë, shkrimtarë e leksikografë janë përpjekur të japin secili përkufizimin e tij të lumturisë, meqenëse, sipas Zhan-Zhak Rusoit, çdo njeri kërkon të jetë i lumtur dhe, rrjedhimisht duhet të dijë se ç’kërkon.

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Edmond Tupja, përkthyes dhe shkrimtar shqiptar

Po të thellohesh në analizat e tyre lidhur me lumturinë, bindesh shumë shpejt që lumturia është, së pari, diçka shumë relative: ky nocion nuk është krejt i njëjti në vende të ndryshme, në epoka e në qytetërime të ndryshme dhe, sidomos, në shtresa shoqërore të ndryshme. Kështu, për shembull, për të qëndruar vetëm në shekullin tonë, pavarësisht globalizimit të gjithanshëm të shoqërisë njerëzore, pavarësisht uniformizimit përherë e më të dukshëm të jetës së përditshme, pra të mënyrës së të jetuarit, të kërkesave e të projekteve në jetën e çdonjërës e të çdonjërit prej nesh, mund të pohojmë (duke u shqetësuar apo duke u kënaqur?) se po afron, me sa duket, momenti i pashmangshëm kur të gjithë ne që kemi fatin të jetojmë në rruzullin tokësor, do të kemi pak a shumë të njëjtin nocion të lumturisë, por, siç e kam shkruar tashmë, kurrë 100 përqind të njëjtin, sepse rrethanat ku do të ndodhet secili prej nesh do të ndryshojnë edhe në mënyrë të paparashikueshme.

Megjithatë, ndoshta pas disa shekujsh, pasi shkenca të ketë bërë të mundur krijimin e tipit njerëzor optimal, falë klonimit të të cilit të gjithë banorët e planetit Tokë do të kenë krejtësisht të njëjtën mënyrë të jetuari e të menduari, mund të arrihet në një përkufizim absolutisht të njëjtë të nocionit “lumturi”. Sidoqoftë, le të qëndrojmë, pra, në kohën e sotme dhe, me këmbët në tokë e me mendjen në kokë, le të këqyrim për disa çaste njeriun e sotëm ose, më saktë, njerëzit e sotëm, që janë të ngjashëm, por akoma të ndryshëm – dhe jo pak – nga njëri-tjetri. Secili prej nesh, dihet, kërkon të jetë i lumtur, por, përveç padrejtësive socialekonomike që na bëjnë të palumtur, për të mos thënë fatkeqë, e vërteta është se secili nga ne mësohet shumë shpejt me lumturinë që ka dhe nis të ketë zili dikë tjetër që i duket më i lumtur se vetja, ndërkohë që ky i dyti, ndonëse i lumtur – sipas të parit –, ka zili një të tretë, i cili ka zili një të katërt e kështu me radhë.

Pra, siç e theksuam më lart, lumturia na qenka fort relative, çka na shpie në përfundimin se po të ishim ne, qeniet njerëzore, vazhdimisht të lumtur, do të mësoheshim me lumturinë dhe ajo nuk do të kishte më asgjë tërheqëse në sytë tanë, njëlloj si ajri që thithim çdo ditë, apo jo? Cili nga do ta quante veten të lumtur vetëm sepse thith ajër, pra thjesht sepse merr frymë (përjashto, sigurisht, ata që e dinë se pas pak do të vdesin)? Atëherë, mos vallë duhet t’i kthehemi mendimit të mençur e të thellë të Blez Paskalit, filozof francez i shekullit XVII, sipas të cilit njeriut nuk i intereson aq lumturia sesa kërkimi i saj?

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 142

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top